Nga Ilir Yzeiri
Krenaria është ndjenja më e komplikuar të njeriu. Ajo është në kufij të rrezikshëm me mendjemadhësinë, me fodullëkun, me kryelartësinë, me kokëboshët, disa herë, e me të gjitha ndjesitë e tjera që e bëjnë atë që e tregon me tepri këtë ndjenjë, të duket si i ndryshëm nga të tjerët dhe jo vetëm kaq, por të shfaqet edhe më i epërm se ta. E kundërta e krenarisë është përunjësia, ndjesia e të jetuarit pa u vënë re dhe pa e shfaqur thelbin tënd vezullues që t’u marrësh sytë të tjerëve.
Siç dihet, marrëdhëniet njerëzore janë marrëdhënie shkëmbimi, pra, ne japim e marrim me njëri -tjetrin jo vetëm kur shkëmbejmë mallra në tregun e të mirave materiale, por më shumë japim e marrim ndjenja, qëndrime, ide, i shkëmbejmë ato, i përplasim dhe gjithë këtë shkëmbim e kryejmë përmes sjelljes sonë. Pra, përmes veprimit dhe përmes gjuhës, ligjërimit. Ka mjaft njerëz që flasin pak, por në të gjitha sjelljet e tyre vërehet korrektësi dhe pozitivitet, ashtu siç ka shumë të tjerë që flasin shumë aq sa nuk ke nerva t’i dëgjosh e këta zakonisht i përfillim si fodullë e arrogantë ndonjëherë.
Edhe marrëdhëniet mes shteteve, në format nga më të ndryshmet, janë marrëdhënie shkëmbimi. Në modelin që kemi ne për shtetet, kemi futur aty modelin e njeriut dhe e përfytyrojmë një vend dhe qeverinë e tij si një individ. Pa dashur të hyj në komunikimin ndërkulturor, apo atë mes qytetërimeve, po mjaftohem të shënoj se edhe shtetet e ndryshme, klasifikohen, sa u takon vlerave, ashtu si njerëzit.
Por meqë jemi te krenaria, ajo që dua të them në këtë rast (ndoshta edhe mund të mos jem i saktë deri në fund), është se krenaria e një shteti, ashtu si ajo e një individi, ka më së shumti dy përmasa: të shkuarën dhe veprimin në të tashmen. Në qoftë se krenaria është një lloj mburrjeje, pra, një tepricë ndjenjash që një komb, një vend apo një shtet e ka më të madhe se një tjetër, kjo vjen për shkak se në bursën e vlerave njerëzore, pra, atje ku shkëmbehen ato, ai është më i pasuri. Të kuptohemi, historia e çdo kombi është një vlerë që shkëmbehet edhe me kombe të tjera dhe që secilin e bën të ndihet krenar. Mirëpo, në qoftë se do të futemi në bursën e madhe të vlerave të njerëzimit, të gjithë e pranojmë se aty ka një hierarki, ashtu siç ka edhe në jetën e çdo vendi apo shteti.
Krenaria është një thikë me dy presa sepse në shumë raste ajo të shtyn në veprime përjashtuese dhe, me qenë se ti bindesh që zotëron qendrën e vlerave dhe je superior mbi të tjerët, atëherë mund të ndodhë që të nisësh të eleminosh ata që ti i quan si të pavlerë, pra, si kombe që e kanë humbur krenarinë. Kujtoni këtu Hitlerin dhe të gjitha luftërat që frymëzohen nga ideologjitë triumfuese.
Ne, shqiptarët, përgjatë viteve të socializmit, ndërtuam një hierarki vlerash iluzive të cilat nuk i shkëmbenim në tregun e madh të vlerave të Europës apo të botës, por i shisnim vetëm si mall për ushqim shpirtëror të shtetasve shqiptarë. Teksti i ndërtuar në diktaturë i përngjante dogmës, ai ishte një vlerë që nuk mund të diskutohej, por merrej si aksiomë. Dhe arma më e fuqishme që kanë të gjitha diktaturat, është se ato shesin krenarinë si vlerë të patjetërsueshme te qytetarët e tyre dhe për ata që e vënë në diskutim atë, ka ndëshkime ekzemplare.
Dhe tani të kthehemi te argumenti i këtyre ditëve. Gjesti i fundit që bëri Edi Rama, duke dërguar me iniciativën e tij 30 mjekë e infermierë në ndihmë të Italisë së goditur keq nga COVID-19, është një nga veprimet më të qëlluara që mund të bëjë një burrë shteti. Gjesti i Edi Ramës jo vetëm që na bën krenarë ne, shqiptarëve të Shqipërisë, por edhe shqiptarëve në përgjithësi kudo që janë në botë, por na bën, gjithashtu, që të ndihemi të barabartë pikërisht atje, në bursën e vlerave europerëndimore, pikërisht atje ku ne jo vetëm që nuk ishim të listuar si entitet, por, përkundrazi, shiheshim prej të gjithëve si një entitet me aksione të infektuara që jo vetëm nuk i shisnim dot, por as nuk i shkëmbenim dot.
Edi Rama do të mbahet mend në historinë e re të Shqipërisë si shtetari i parë që arriti ta fusë vendin tonë dhe markën shqiptare në bursën e vlerave europiane. Nuk po përmend këtu ato që i kam thënë edhe herë të tjera për rolin e madh që ka ai në ndërrimin e imazhit të Shqipërisë, por po përmend këtu se, këtë herë, ai e ngriti në një nivel të padëgjuar më parë krenarinë tonë, pikërisht këtë ndjenjë që ne e kishim të pamundur që ta shfaqnim në bursën e madhe të vlerave europerëndimore.
Po pse zgjoi kaq interes ky gjest i Shqipërisë që në këtë rast u identifikua me Ramën? Sipas meje, kjo ndodhi sepse Edi Rama u bë kështu mishërim i asaj vlere që shqiptarët e kanë si përbërëse të ndërtimit të tyre shpirtëror dhe që është mirënjohja për mikun. Në Kanunin shqiptar të Veriut e të Jugut, shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut. Një shqiptare, po ashtu, është bërë sot simboli i përunjësisë dhe i sakrificës për tjetrin. Ky gjest i Ramës që ka zgjuar kaq interes jo vetëm në Itali, por edhe më gjerë, i bëri të gjithë që të kujtohen edhe për Nënë Terezën.
Në anën tjetër, Edi Rama i magjepsi të gjithë me fjalimin e tij, pra me arsyetimin e gjestit që bëri. Të gjitha vlerësimet e larta që kanë dhënë jo vetëm gazetarë, por edhe drejtues shtetesh apo institucionesh për Edi Ramën, janë të merituara. Këtu është rasti të themi se shqiptarët, në këtë rast, ishin me fat se patën një shtetar që bëri një gjest human që i preku të gjithë dhe e shoqëroi këtë gjest edhe me një ligjërim po aq brilant sa gjesti që bëri. Kultura, vizioni dhe interpretimi që ai i bëri krizës globale me arsyetime dhe gjetje që e kapërcenin ngërçin apo nervozizmin ku ishte futur ligjërimi europian, e projektuan Edi Ramën si një lider modern europian dhe kjo ishte një vlerë e shtuar për krenarinë tonë.
Por të kutpohemi drejt. Edi Rama është një drejtues shteti dhe një lider me të gjitha defektet dhe gabimet që ka cilido shtetar tjetër. Këtu nuk kam ndërmend të bëj listën e atyre njerëzve vizionarë që kanë ndërruar imazhin e vendit të tyre dhe që kanë pasur pastaj në jetën private apo në qeverisje edhe skandale, gabime e plot të meta të tjera. Vetëm teoritë leniniste dhe diktatorët projektohen si shenjtër dhe njerëz që nuk gabojnë. Në demokraci, percepetimi për një lider apo një drejtues shteti matet me gjurmën që ai lë në ato pak vite që qeveris. E, nga kjo pikëpamje, Edi Rama, do të mbahet mend si lideri i parë shqiptar që e ridimensionoi vlerën e Shqipërisë dhe që e bëri vendin tonë që të fitojë një nga vlerat që e kishim humbur prej kohësh: krenarinë. Tani, kur ne të udhëtojmë nëpër botë apo ata shqiptarë që janë sot në dhe të huaj, nuk janë më as kriminelët, as të pagdhendurit as inferiorët e Europës, ata janë shqiptarët e vlerava të mëdha, ata janë bashkëkombës të atyre 30 misionarëve që u bënë simbol i krenarisë sonë kombëtare, të cilën e ridimensionoi vizioni i Edi Ramës.
Dhe te mendosh se para disa vitesh shqiptaret jo vetem drejtoheshin nga nje kriminel,por largimin e tij disa zonja e perjetuan me ngasherime,ky eshte nj kapercim kozmik.Bravo Edi Rama,bravo Ilir per kete shkrim.
Shume i sakte ne arsyetimin tuaj Z. Yzeiri!
Ilir, hyrja eshte shume akademike per tu perfshire ne nje artikull gazete, por gjysma tjeter eshte brilante.
Edi rama duhet mbështetut me çdo kusht sepse i ka dhënë shoqërisë shqiptare.Ju kujtohet Tirana?Nuk kishte vend pa kioska,kafene dhe ai mori sëpatën dhe doli vetë i bëri pluhur dhe Tirana në sajë të tij është ajo që është sot.Basha kate vjet jo se fitoi por e mori kariken me punë mafioze nuk bërë asgjë vetëm hoqi nga puna ata që ishin dhe vuri plerat e partisë demokratike.Rama ka bërë shumë po të kujtojmë se mori një shtet të skatosur nga lopçari Berisha i cili vazhdon edhe sot të na japë mënd dhe prokuroria nuk ka ndërmend ta arestojë.Berisha la miliarda pa paguar në njerzit e tij dhe Rama nuk ja zura as në gjë por lufoti të ulte sa më shumë ndikmet e budallaqeve të Berishës.Rama i ka shokët e rallë sepse është këmbëngulës për atë që don të arijë dhe kuptohet që në këtë luftë për të ecur përpara behen edhe gabime jo me dashje por sepse nuk ka rrugë tjetër.Populli duhet ta votojë edhe vitin tjetër sepse po ja dhanë votën opozitës që nuk e besoj gjërat do behen shumë më keq…
Te lumte Ilir per argumentimin e sakte.
Z ILIR shum i sakt na vinte zor te thoshim shqiptar
Tani jemi krenar dhe e kemi per neser ta themi
Mjaft me keto arsyetime femijnore! Zgjohuni nga gjumi! Efekti i droges mbaroj. Jemi te njejtet njerez dhe i njejti shtet qe ishim dhe dje, me te njejtat halle, me gezimet, hidherimet dhe rutinen e perditshme. Nuk zbuluam planetin binjak te tokes, nuk erdhi parajsa, nuk u zhduk kriminaliteti e korrupsioni dhe aq me keq varferia.
Nje gjest simbolik solidariteti i Edi Rames (bravo) eshte nje gjest njerezor qe te jep kenaqesi shpirterore, por kjo nuk do te thote qe prej ketij gjesti shqiptaret “fituan” krenarine kombetare te “humbur” prej kohesh!
Jo, Ilir, as e fituam dhe as e kemi humbur! Krenaria eshte ndjenje e brendshme individuale njerezore ne “lufte” te vazhdueshme midis se mires dhe te keqes, per progresin individual, te familjes, te shoqerise, te kombit e te mbare njerezimit!
Ti je minorikar vlleh apo shqiptar, sepse nuk po te marrim vesh??
O artikull shkrues ! Kur stafi mjeksor prej 30 vetesh po niseshin nga aeroporti i Rinasit, kryeministri Rama tha para kamerave : Ne jemi nje popull i varfer, por nuk kemi memorie te shkurter ( une personalisht i konsideroj keto fjale, si fjale lapidare qe do te mbahen mend per mire).
Tashi nuk po e kuptoj !! Dergimi i ketij stafi mjeksor ne Itali, ishte per te ndergjegjesuar Evropen ne ndihme te Italise, apo per ti shprehur Italise mirenjohjen tone per ndihmen e saj nder vite ?
Sepse interpretimi i ketij gjesti human po zmadhohet si teper, po duket sikur po na ndryshu jeten !! Shkurt , shume zhurme per asgje . A mundet Evropa me na dhane ne Shqiptareve kaq kredi te madhe ne virtyt, vetem per nje gjest teper pozitiv, por qe n’permas asht sa nje lemoshe ? ( nje gur nuk e ban murin, por ndihmon guret e tjere me e ba ).
A ka Evropa memorie kaq te shkurter, sa qe vetem pse derguam 30 mjek dhe infermjere ne kohen e duhur ne Itali, te harroj opinionin qe kishte deri dje per ne Shqiptaret ? Un them qe jo.
Shkrimi i zotit Yzeiri asht brilant, por kam frike se do e vete-ngrije krenarine tone deri ne mekat.
Ne nuk shpetuam njerzimin, por thjeshte dhame nje ndihme modeste ne kohen dhe vendin e duhur. T’ecim me kembe ne toke.
Rama po te ishte kaq i madh, nuk do ishim ne kete gjendje, te fundit ne çdo gja. ( pa permend bemat e tjera )
Po mir Ujin e nxehte a mund te themi qe e kemi zbuluar ne te pakten?