Fuqia e një gjesti diplomatik

2 Prill 2020, 10:10Sociale TEMA
Fuqia e një gjesti diplomatik

Nga Blerina Serjani

Është e mahnitshme aftësia e një gjesti të vetëm si shprehje e një forme të diplomacisë së drejtperdrejtë, në një kohë kur mbarë globi rënkon nga pandemia e Covid-19. Ku të strukesh në strofullën e ngrohtë dhe të respektosh kodin sanitar është kthyer në rregullin e ditës. Ku thuasje çdo proces jetësor është kufizuar dhe zonat e banuara  marrin pamjen e qyteteve fantazma, ku sirenat e ambulancave shndërrohen në refren që përsëritet e përsëritet çdo ditë, ekzaktësisht si në filmat fantastiko-shkencor, tek të cilat fantazia e shfrenuar e regjizorit të çon në një tjetër univers.

Megjithëse kjo gjëndje merr trajta gati fantazmagorike, diplomacia nuk mundi të heshtë. Për herë të parë gjatë gjithë këtyre viteve jetë që mbaj mbi supe dëgjoj të buçasin mediat ndërkombëtare për “Dërgimin e 30 mjekëve dhe infermierëve shqiptarë drejt Italisë së gjunjëzuar nga armiku i padukshëm”. Kujt do t’ia merrte mendja që veprimi i Kryeministrit shqiptar do të bënte kaq shumë “zhurmë” duke shkundur nga pluhurat parimet dhe vlerat e Schumanit?

Shqipëria që lakohet se ka shumë detyra për të përmbushur për t’u anëtarësuar në BE, u dha një mësim vendeve që predikojnë solidaritetin dhe vlerat e përbashkëta. Ku ishin sot ato vende në kohën që një nga vendet e unionit siç është Italia, kishte më shumë nevojë se kurrë për ndihmën e tyre? Mesa duket përpos mbylljes së kufijve kanë mbyllur edhe zemrat.  

Ministri i Jashtëm Italian Luigi di Maio shpreh vlerësimin e tij mbi mesazhin e solidaritetit që i vjen nga fqinji përtej Adriatikut. Po ashtu Kryeministri Giuseppe Conte, ish Kryeministri italian Silvio Berlusconi, ish Ministri i Brendshëm i Italisë Matteo Salvini etj, kanë shprehur falënderimet e tyre për Z. Rama dhe qeverinë e tij. Gazeta sportive “Tutto Sport” gjithashtu e hap faqen e parë të saj me emrin e Kryeministrit shqiptar. Lajmi ka marrë dhenë deri në Hollywood ku aktorja Sharon Stone ka evidentuar gjestin human dhe solidar të shqiptarëve.

Ka kaq shumë reagime të mënjëhershme nga politikëbërës, artistë, njerëz të thjeshtë që në postimet e tyre në rrjetet sociale i dedikojnë një status të veçantë shprehjes së mirënjohjes ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Po çfarë është ky kontribut modest në raport më atë çfarë po përjeton Italia që për afro një muaji është kthyer në qendrën e pandemisë botërore. Të jetë kjo një zgjidhje apo një shprehje simbolike e solidaritetit të 30 mjekëve dhe infermierëve vullnetarë apo një ide dhe veprim i Kryeministrit? Natyrisht kjo mbetet thjesht një gjest, i cili përpos mirënjohjes, respektit, humanizmit, shprehjes së marrëdhënieve të mira, është edhe një gjest diplomatik. 

Pa dyshim që gjuajtja e rasteve të tilla dhe reagimi me zhdërvjelltësi i elitës politike i jep një lloj vizibiliteti vendit në perceptimin ndërkombëtar. Vënia në përdorim e një gjesti diplomatik të tillë nënkupton qasjen drejt një diplomacie të drejtpërdrejtë. Ernest Mason Satow në librin “A Guide to Diplomatic Practice”, e përkufizon diplomacinë si: “Aplikimin e inteligjencës dhe taktit, në zhvillimin e marrëdhënieve zyrtare ndërmjet qeverive të shteteve të pavarura”.

Pikërisht ky veprim jo vetëm që ritheksoi marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe me fqinjin tonë Italinë, por i dha hov edhe mundësive të reja të bashkëpunimit dhe mbështetjes ndërkombëtare reciproke ndërmjet dy vendeve. “Mirënjohja është parametri i madhështisë njerëzore”– do të thoshte Adolfo L’Arco teologu dhe filozofi italian i shekullit të kaluar.

Ne shqiptarët i treguam fuqive të botës dhe atyre skeptikëve europianë që vlerat tona janë të mbrujtura kaq thellë saqë nuk hezitojmë në asnjë moment të ndihmojmë mikun në nevojë që dikur na është gjendur pranë, sikur me këtë duam t’i themi ‘Faleminderit’. Në situata të jashtëzakoshme vlerë të madhe marrin veprimet e liderit, që përfaqësojnë qëndrimet zyrtare të vendit dhe në rastin konkret reagimi pozitiv i menjëhershëm ndërkombëtar e ka dhënë vlerësimin e vet. 

Një gjest i thjeshtë, ka arritur të sfidojë instrumentat më elegantë të diplomacisë. Nuk u deshën orë të tëra të ulura në sallonet mondane të evropës për t’u shtruar në bisedime  për të arritur një zgjidhje, nuk ishin të nevojshme as negociatat. U desh vetëm një gjest i thjeshtë…diplomatik!

1 komente në “Fuqia e një gjesti diplomatik”

  1. ben says:

    Sakte eshte shkruar ne kete artikull te zonjes Serjani.
    Shqiptaret e kane zemren shume te madhe, pertej edhe normales.
    Italianet me ne fund u zgjuan per te kuptuar se cilet jane ata qe deri dje i quajten kriminele, drogaxhinj, pimp (pronari prostitutave), hajdute e ku di une se cfare epitetesh te tjera qe na vinin. Ata harruan se si gjysherit e tyre qe erdhen me arme ne dore si pushtues, qe vrane, prene e dogjen cfare u doli perpara, u mbrojten po nga ky popull shqiptar me ate zemer aq te madhe qe i strehoi armiqte e dikurshem per te mos u pushkatuar nga ish aleatet naziste qe i vrisnin si mizat kur i gjenin.
    Ishte pikersit pushtimi fashist i 7 Prillit te 1939-tes qe prishi ekuilibrat politike ne Shqiperi duke i hapur rrugen forcimit te komunisteve dhe krijimit te nje diktature 50 vjecare ne Shqiperi nga e cila vuajti populli fisnik shqiptar. Po kjo nuk eshte evetmja gje e keqe qe na eshte bere nga Italia. Para dhe pas Luftes se Pare Boterore, Italia u be pale, kryesisht me Greqine, por edhe me Serbine e Malin e Zi per te copetuar trojet tona historike. Rezultat i ketyre intrigave eshte fakti se edhe sot e kesaj dite shqiptaret jane te shperndare nen disa shtete fqinje si ne jug, lindje apo perendim, ku ato kane jetuar nen repression te vazhdueshem dhe ku nuk u njiheshin as te drejtat me elementare. Bile ne disa shtete fqinje edhe sot te drejtat e tyre mohohen ne menyre sistematike, ku me e turpshme eshte fakti se ne Greqi, shqiptareve te hershem atje nuk u njihet as kombesia, pale me te kene te drejta te hapin shkolla ne gjuhen e tyre amtare. Cuditerisht qeverite Greke vazhdojne te flasin per te drejtat e minoritetit grek ne Shqiperi, duke harruar qe te njohin minoritetin shqiptar ne Greqi. Ne vuajme pasojat e nje politike antishqiptare te Italise se asaj kohe dhe me shume gjasa do ti vuajme edhe per shume vite e breza te tjere.
    Ka shume komente te lexuesve te TEMA-s qe thone se i kemi borxh Italise. Ne se gjykojme nga faktet, disa prej te cilave i rendita me siper, atehere del se Italia na ka aq shume borxhe, sa nuk mund te lahet me ne as per shume vite te tjera qe do vijne.
    Nga ana tjeter do te desheronja qe te mos flasim me per nje ndihme simbolike qe i dhame Italise, pasi nuk eshte ne traditen tone te te kujtojme nderet qe u bejme te tjereve, pasi per ne ato jane detyrime qe rrjedhin nga fqinjesia.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje