Trokitje në çdo derë: Prifti argjentinas mbush boshllëkun e shtetit për banorët e izoluar në Lezhë

8 Prill 2020, 16:17Sociale TEMA
Trokitje në çdo derë: Prifti argjentinas mbush boshllëkun

Në gjurmët e traditës së misionarëve katolikë, At Serxhio po ndihmon me ushqime familjet e varfra dhe të izoluara nga epidemia e koronavirusit në njësinë Ungrej në Lezhë –një zonë e varfër që sipas banorëve është e braktisur nga shteti.

Nga Elvis Hila

Njësia administrative e Ungrejt në veri të Bashkisë së Lezhës u mbulua nga dëbora në fillim të prillit, por moti i keq nuk e pengoi At Serxhon që të ngjitet në mal dhe të trokasë në dyert e njerëzve në nevojë, të izoluar prej javësh nga kriza e koronavirusit në Shqipëri.

Në gjurmët e traditës së misionarëve katolikë, prifti argjentinas shërben prej vitesh në famullinë e Kalivaçit. Por gjatë javëve të izolimit nga COVID-19, At Serxhio po përpiqet të shpërndajë jo vetëm ushqim shpirtëror, por edhe ndihma për banorët e varfër.

“Kjo periudhë izolimi e ka vështirësuar më shumë jetesën e shumë familjeve në zonën e Ungrejt, për shkak se janë në kushte të vështira ekonomike dhe kanë mungesë të ardhurash. Unë i kontaktoj në vazhdimësi për t’i pyetur për problemet që kanë. Kam mundur të siguroj ndihma për shumë familje nëpërmjet Caritasit përgjatë kësaj periudhe dhe po ua dërgoj familjeve në nevojë,” thotë At Serxhio.

Njësia administrative e Ungrejt numëron rreth 1 mijë banorë të shpërndarë nëpër fshatra në një zonë të thellë malore. Shumica e banorëve përpiqen ta sigurojnë jetesën nëpërmjet bujqësisë dhe blegtorisë, por kriza e koronavirusit e ka vështirësuar gjendjen e tyre.

Përgjatë javëve të fundit, Bashkia e Lezhës ka shpërndarë paketa ushqimore për rreth 150 familje të kësaj zone, por nevojat konsiderohen shumë herë më të mëdha. At Serxhio po përpiqet ta mbushë këtë boshllëk falë bashkëpunimit me disa shoqata bamirësie me në krye Caritas-in.

Ndue Paluca, kryeplak i fshatit Kashnjet në njësinë administrative Ungrej lavdëron përpjekjet maksimale të At Serxhios, ndërsa shton se konsultohet me të për çdo problem të fshatit.“U bënë vite që unë jam në atë zonë dhe trokas në çdo derë. Më duket vetja sikur të jem në vendlindjen time. Këtu është një komunitet i varfër, por shumë dashamirës dhe bujar. Ndjehem shumë mirë këtu dhe me besimin në Zot shpresojmë t’i kalojmë sa më shpejt këto ditë të vështira të krijuara nga koronavirusi,” thotë At Serxhio, ndërsa shton se do të vazhdojë të kontribuojë sa të mundet.

“Është një njeri i mrekullueshëm që po bën shumë për zonën time. Çdo problem që ia kam  prezantuar ka bërë të pamundurën, për t’i dhënë zgjidhje edhe jashtë mundësive të tij. Zona këtu është e varfër dhe në këto ditë izolimi, kërkesat e banorëve për ndihmë janë të shumta. At Serxhio po bën të pamundurën për të ndihmuar çdo familje në vështirësi me qëllim që t’i kalojnë sa më lehtë këto ditë të vështira në izolim,” thotë kryeplaku Paluca.

Apeli i tij në këto kohë të vështira shkon në adresën e institucioneve shtetërore.

“Shpresoj që edhe shteti t’i kthejë sytë nga kjo zonë e braktisur,” shton Paluca.

Banorët e njësisë administrative me të cilët BIRN arriti të bisedonte përmes telefonit thanë se prifti u ka qëndruar pranë për çdo nevojë të tyre.

“Po bëhet një muaj që nuk kemi lëvizur nga shtëpia. Të them të drejtën, prifti ka qëndruar shumë afër, na ka sjellë në vazhdimësi ushqime për t’i kaluar këto kohë të vështira,” thotë një i moshuar që jeton vetëm me bashkëshorten.

“Po na gjendet afër sikur të jetë një njeri i joni. Ky fakt na gëzon shumë, sepse nuk jemi të braktisur,” përfundon ai.

4 komente në “Trokitje në çdo derë: Prifti argjentinas mbush boshllëkun e shtetit për banorët e izoluar në Lezhë”

  1. askush nuk urrehet me shume se ai qe thote perhere te verteten......[PLATO] says:

    corapekuq,kjo gjendje e mjere eshte turp per ty qe luan edhe ”katolikun”………….rrot [email protected]
    bravo per at.Sergio.

    1. Taqka says:

      po pederastet e kishes greke ne alvania ku jane vre pousti ? pse nuk dalin dere me dere te ndihmojne njerzine po jane mbllur vrimave ? Janullatos arxidoglyftis ku eshte mooo ? E kini izoluar mire se mos e ha mortja e moret fund pastaj

  2. Hydajeti says:

    Rahmet pa i indihmoft atast edhe dom Simoni ka sherbyer ne Ungrej Fregen e Kashnjet jane njerz te mire te dashur Zoti i ndimoft ata

  3. arriff says:

    …. ty bravo or Prift , por kameramanin pse e mer me vete.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje