Sindikata nuk guxon të kundërshtojë Dukën, asnjë fjalë për paketën e FSHF që ndan lojtarët

11 Prill 2020, 11:49Sport TEMA

Sindikata e Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë vazhdon të heshtë sa herë që bëhet fjalë për veprime të çuditshme të FSHF-së që ndikojnë futbollistët.

I tillë ishte vendimi për paketën financiare që paraqiti presidenti i FSHF-së, Armand Duka, sipas të cilës të gjithë lojtarët nuk do të trajtoheshin njëlloj, duke përjashtuar fillimisht ata të klubeve që administrohen nga Bashkitë.

Më pas, FSHF bëri edhe një tjetër ndarje të çuditshme, duke përjashtuar nga ky rregull klubin e Vllaznisë, i cili është në varësi të plotë të Bashkisë e për më tepër lojtarët atje përfitojnë shumë më tepër se sa mund të marrin homologët e tyre në klube të varura nga Bashkitë në Kategorinë e Parë apo të Dytë, shkruan VipSport.

Në çdo vend të botës, Sindikata e Futbollistëve do të kishte reaguar ashpërsisht ndaj një vendimi të tillë që është marrë për arsye të paqarta. Por jo në Shqipëri.

Sindikata duket se ka vendosur që të mos kundërshtojë në asnjë moment direktivat e FSHF-së,  edhe pse për shembull vendimi më i fundit nuk përmban asnjë kriter nga ato që kërkon FIFA për paketa të tilla ndihme dhe mund të shtyjë klubet që të mos paguajnë lojtarët gjatë këtyre muajve.

Sindikata thjesht ka heshtur, ndërsa në postimet e saj ka treguar në rrjetet sociale se në këto ditë po merret me bammirësi duke zbritur vetë në terren për të ndihmuar lojtarë e ish-lojtarë në vështirësi.

Sigurisht, një iniciativë për t’u përshëndetur, por edhe një mënyrë për të shmangur përplasjen direkte me FSHF-në, e cila është akuzuar vazhdimisht se ka qenë sponsorizuese e krijimit të kësaj Sindikate për të mbajtur lojtarët nën kontroll.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje