Buletini ditor për COVID-19, Akademia e Shkencave: Shqipëria për të dytën ditë radhazi, regjistron rritje minimale të numrit të të sëmurëve

22 Prill 2020, 18:09Sociale TEMA

Akademia e Shkencave në një deklaratë të bërë thekson se Shqipëria, për të dytën ditë radhazi, regjistron rritje minimale të numrit të të sëmurëve në tërësi dhe në qytetet e mëdha.

Me tej ASH thekson se megjithëse Shqipëria nivelin e të shëruarve e ka në kufirin 56 për qind, ndërkohë që në vendet e rajonit ky tregues luhatet në 22-44 për qind, ditët e fundit të mos ketë ulje të numrit të të sëmurëve faktikë.

Deklarata e plotë:

E mërkurë, 22 prill 2020

Në shkallë botërore dje regjistrohet numri rekord  i të shëruarve në një ditë

Vendet e kontinentit gjenden në fazën e daljes nga piku dhe të kalimit në atë të mbylljes së pandemisë

Numri tërësor i të shëruarve në Europe përbën mbi 25 për qind të të prekurve gjithsej: rekord i ri pozitiv në Itali, mbi 2700 të shëruar në 24 orët e fundit

Të gjitha vendet e rajonit kanë hyrë në fazën e uljes së numrit të të sëmurëve faktikë; edhe në Greqi dje për herë të parë më pak të sëmurë

Në Shqipëri – rritje minimale e numrit të të sëmurëve në Tirane e në tërësi, vatra e re e Krujës ndal uljen e numrit të të sëmurëve faktikë

(Relacion ditor rreth pandemisë në Shqipëri, në Europë dhe në Botë: përhapjes dhe kontrollit të saj, sipas vlerësimeve të E-Group-it ndërdisiplinar “Në ndjekje të pandemisë”, që funksionon pranë Akademisë së Shkencave)

Në Europë dhe në shkallë botërore edhe gjatë 24 orëve të fundme treguesit e rritjes ditore të numrit të të sëmurëve për shkak të përhapjes së Corona-virus-it vazhduan të jenë në ulje. Shtimi i tyre në shkallë botërore u regjistrua në nivelin 3 për qind; në SHBA – 3.27 për qind dhe në Europë – 2.4 për qind. Ndërsa numri i të shëruarve, 43.896 persona brenda ditës në tërë Botën, përbën një rekord pozitiv.

Me një ritëm rritjeje ditore prej më pak se 3 për qind, që vazhdoi edhe dje në Europë, kontinenti ynë gjendet në fazën e daljes nga piku dhe të kalimit në fazën e mbylljes së pandemisë, ecuri qe do të kushtëzohet nga numri i të shëruarve ditë pas dite. Në një shumicë vendesh europiane numri i të shëruarve gjithsej ka kaluar mbi 25 për qind. Ndër to, me numrin më të lartë të të shëruarve janë: Islanda me 82 për qind, Austria me 75.8 për qind; Zvicra me 68,6 për qind; Gjermania me 67 për qind, Danimarka me 64 për qind. Edhe tri shtetet e mëdha, epiqendra të pandemisë, e kanë kaluar tashmë kufirin e 25 përqindëshit: Spanja, Italia dhe Franca kanë gjegjësisht nivelin 40 për qind, 28 për qind dhe 25 për qind. Italia shenjoi një nivel rekord të derimëtanishëm, me mbi 2700 të shëruar në ditë.

Të gjitha vendet e rajonit kanë hyrë në fazën e uljes së numrit të të sëmurëve faktikë, përveç Sllovenisë. Edhe Greqia, që pati një rritje prej 6.9 për qind, jashtë ritmit normal, ndërkohë regjistroi numrin më të lartë të të shëruarve. Në Greqi dje për herë të parë numri i të sëmurëve u ul me 160 vetë.

Shqipëria, për të dytën ditë radhazi, regjistron rritje minimale të numrit të të sëmurëve në tërësi dhe në qytetet e mëdha. Ritme optimiste edhe në numrin e të shëruarve të rinj, pavarësisht efekteve negative të një vatre të re të sëmundjes. Pikërisht kjo ka bërë që, megjithëse Shqipëria nivelin e të shëruarve e ka në kufirin 56 për qind, ndërkohë që në vendet e rajonit ky tregues luhatet në 22-44 për qind, ditët e fundit të mos ketë ulje të numrit të të sëmurëve faktikë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje