Shqipëria ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme prej muajit mars për shkak të masave të marra nga qeveria për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, ndërkohë që për pasojë jeta politike është paralizuar, ku palët kanë ulur “armët”.
Por një dy nga çështjet të cilat priteshin me shumë interes, pasi shihen si një “patate e nxehtë”, janë edhe komisioni hetimor që po heton presidentin Ilir Meta dhe komisioni i reformës zgjedhore.
Të dy komisioneve iu skaduan afatet, ndërsa mazhoranca i ka shtyrë edhe me disa muaj afatet e tyre. Por në lidhje me këtë dhe se a do t’i shkojë shumica socialiste deri në fund shkarkimit të presidentit Meta nga detyra, në një kohë që ky i fundit ka gjetur gjuhën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama, ka dhënë detaje kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Gjatë një prononcimi për mediat, deputeti Balla zbuloi se mazhoranca nuk do të bëjë asnjë hap pas sa i takon shkarkimit të presidentit Meta, ndërsa shtoi se është në pritje të opinionit final të Komisionit të Venecias, i cili do të shprehet në 22 qershor për këtë çështje.
“Komisioni i Posaçëm është mandatuar nga Kuvendi i Shqipërisë, ku merr pjesë mazhoranca dhe opozita, për të konkluduar lidhur me çështjet e ngritura nga deputetët kërkues dhe në këtë detyrë që ata kanë marrë për fat të mirë po konsultohen dhe janë konsultuar me Komisionin e Venecias.
Dhe në këtë detyrë që ata kanë marrë, për fat të mirë janë konsultuar dhe po konsultohen me Komisionin e Venecias në mënyrë që në finale të vendosin.
Mazhoranca nuk do të tërhiqet dhe se prapakthehu nuk do të ketë, ndërkohë që opinioni i 22 qershorit nga Venecia, do të reflektohet në vendimmarrjen dhe raportin final të komisionit”, deklaroi kreu i grupit socialist,
Taulant Balla. Nga ana tjetër, shkarkimin e presidentit Ilir Meta e komentoi edhe deputetja e opozitës, Rudina Hajdari.
Kjo e fundit duke folur për mediat, u shpreh se komisioni hetimor nuk duhet të ngrihej, për sa kohë që vendi është pa Gjykatë Kushtetuese.
“Komisioni hetimor që po heton veprimtarinë e presidentit Ilir Meta nuk duhet të ekzistonte në një kohë që nuk kemi Gjykatë Kushtetuese.
Ndërkohë që, kjo është përdorur si situatë në konfliktin mes mazhorancës dhe kreut të shtetit”, deklaroi deputetja e opozitës, Rudina Hajdari.