Klubet e futbollit janë në pritje të vendimit që do marrë qeveria për rifillimin ose jo të kampionatit.
Presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, mes të tjerash u shpreh: “Unë jam optimist për të rifilluar stërvitjen më 2 maj. Durrësi është gati, por besoj edhe skuadrat e tjera të Superligës.
Do të ngulja këmbë të fillonte futbolli, pasi nuk paraqet asnjë rrezikshmëri. Problem kryesor ne kemi rikthimin e futbollistëve të huaj që janë jashtë”.
Ndërsa presidenti i Flamurtarit, Sinan Idrizi, tregohet i gatshëm parimisht.
“Jam dakord që kampionati të rifillojë, por unë dua garanci nga institucionet shëndetësore që nuk do të ketë asnjë pasojë te lojtarët.
Nëse infektohet një lojtar në Vlorë, ai që mban përgjegjësi jam unë. Le të krijojnë kushtet dhe unë jam i gatshëm ta fus skuadrën në fushë.
Ky është momenti i duhur për të ndryshuar skemën e kampionatit, pasi ka humbur masiviteti dhe skuadrat e qyteteve janë larguar”.