Historia e rrallë e 30-vjeçarit, i cili mësoi të qëndisë për hir të dashurisë. “Punishtja” e çiftit dhe planet për të ardhmen
Nga Alessia Selimi
Në një etazher të drunjtë pikasen ngjeshur vëllime librash, të paraprira nga një makinë e vjetër shkrimi. Në faqen e bardhë të murit një kurorë me degëza ulliri të bën të mendosh se të zotët e kësaj shtëpie në rrugën “Ali Demi” tërhiqen nga simbolika e lashtësisë.
Dori dhe Kozeta, përkatësisht 30 dhe 22 vjeç, nuk gëzojnë një punishte, por vetëm dëshirën për të rrokullisur gishtërinjtë dhe penjtë shumëngjyrësh. Kësisoj, ofrojnë tashmë prej një viti qëndisma të punuara me dorë në objekte të ndryshme. Nën logon “Puthje nëpër penj”, ata komunikojnë me klientët e tyre përmes rrjeteve sociale.
Iniciativa u ndërmor fillimisht nga Kozeta, e cila ka mbaruar studimet bachelor për Fizioterapi në Universitetin Mjekësor të Tiranës. Më tej u përvetësua si dëshirë edhe nga Dori, që mbart një eksperiencë thuajse 5-vjeçare si ushtarak dhe më pas si mobilier.
Ndryshe nga shumë të tjerë, të cilëve u ka marrë një tjetër ritëm jeta, Dori dhe Kozeta nuk e kanë ndier ndikimin drastik të pandemisë Covid-19. Përkundrazi! Karantina duket se u ka dhënë mundësi për të reflektuar dhe menduar mbi krijime të reja e sa më origjinale. Dhe sipas asaj çka dihet, qëndisja është përdorur që në krye të herës si një metodë efektive ndaj ankthit dhe stresit. Madje, ata s’reshtin së rekomanduari këdo që po përjeton të tilla ndjesi, që t’i drejtohet qoftë edhe për një orë qëndisjes, sidomos në këtë periudhë kur kryefjala e ditës është koronavirusi.
Ky çift i ri rrëfen për gazeta “Fjala” hapat e parë, vështirësitë e hasura rrugës, si dhe projektet e planet për të ardhmen me “Puthje nëpër penj”. Duke marrë parasysh klimën e një shoqërie që s’është mësuar të dëgjojë për djem që i kushtojnë rëndësi dhe kohë qëndisjes, ish-ushtaraku nuk ngurron të ndalet te vetja.
“Rreth tre muaj përpara se të jetonim bashkë, Kozeta më tregonte vazhdimisht se kishte një dëshirë të madhe për t’u përmbushur artistikisht dhe për të shprehur aftësitë në të krijuar. Kjo i vinte si pasojë e faktit se mjekësia nuk ka vend për art dhe Kozi, duke qenë natyrë e tillë që në adoleshencë, pra me pasionin për letërsinë, pikturën, histori arti, muzikën, nuk e gjente veten e saj të plotë tek fizioterapia dhe kështu donte me patjetër një rrugë të dytë ku të mbushte atë boshllëk. Fillimisht e mbështeta duke menduar se do të ishte thjesht një dëshirë kalimtare për t’u ndier mirë”, tregon fillimisht Dori.
“Me kalimin e kohës po kuptoja se ajo donte që kjo nismë kaq e vogël për t’u ndier e plotë, të bëhej më e madhe dhe të merrte vëmendjen e duhur. Dy muajt e parë e mbështesja vetëm me fjalë, pasi shihja se edhe tërheqja e njerëzve ndaj iniciativës nuk ishte edhe aq serioze dhe në numër. Mirëpo pasi kishim vendosur pak e nga pak se do të jetonim bashkë, vendosëm gjithashtu që ta merrnim seriozisht edhe këtë iniciativë. Fundja, interesi po rritej”, vijon ai.
30-vjeçari shpjegon se pikërisht këtu shenjohet lindja e emrit të faqes së tyre nëpër rrjete sociale. “Është një emër tërësisht origjinal, i cili është menduar në ato momente si një ndërthurje e dashurisë tonë si çift dhe penjve mes nesh që erdhën në të njëjtën kohë me bashkëjetesën tonë, ndaj e kemi quajtur ‘Puthje nëpër penj‘”, thotë Dori.
I identifikuar dikur nga uniforma ushtarake, Dori thotë se nuk e ka konsideruar asnjëherë si problem apo tabu qëndisjen. “ Të përballesh dhe të provosh qëndisjen, që cilësohet deri diku e panjohur nga burrat/djemtë shqiptarë, ka të bëjë me personalitetin dhe formimnt e njeriut. Unë personalisht e kam parë teorikisht dhe praktikisht si një formë arti shumë të bukur. Më pas as që e kisha menduar se do të qëndisja ndonjëherë, por që nga momenti që e kam provuar (pavarësisht problemeve fillestare për të mësuar hapat e parë) më ka pëlqyer jashtë mase. Më është dashur rreth një javë të mësoj gjërat bazë, pastaj si çdo punë tjetër, nëse fokusohesh dhe e pëlqen atë që bën, do të perfeksionohesh me kalimin e kohës”, thotë Dori teksa rendit edhe të mirat që ka përftuar nga qëndisja. “Më ka kalitur durimin, më ka bërë të fitoj qetësi emocionale dhe të jem më i mprehtë ndaj detajeve të jetës.Miqtë e mi, duke e njohur karakterin tim, më kanë thënë se nuk kanë pasur ndonjë habi të madhe ndaj veprimit tim, sepse më njohin prej vitesh se si mendoj, flas apo e konceptoj jetën.”
Me qëllimin për të treguar histori nëpërmjet copave dhe penjve, dyshja është e fokusuar te marrëdheniet njerëzore dhe jo konsumatore, ndonëse iniciativa e tyre ka marrë tashmë formën e një biznesi të vogël, fitimet e të cilit shkojnë herë për qiranë e shtëpisë dhe herë për ushqimet.
“Ne jemi vërtet të fokusuar te ndjenjat e klientit. Arsyeja pse ne bisedojmëme ta është sepse punimi duhet patjetër të shprehë emocion. Çdo punim artistik nuk ka jetë pa ndjenja brenda tij. Dhe e vërteta është se arti, edhe kur e bën për ta shitur, duhet të bëhet me dashuri”, shprehet Kozeta duke shtuar se e ka të pamundur t’i ndajë punimet në më të bukura apo më pak të bukura. “Edhe pse nuk janë të gjitha me histori mes tyre, ato në vetvete janë shkrirë në qëndisje dhe fakti që ne kemi kontribuar në këtë shkrirje, gjithmonë na lumturon.” Nuk përjashtojnë asesi kontributin dhe fuqinë e internetit. Megjithatë, çifti thekson se vazhdimësia për të shprehur dhe bërë atë që dashuron është te forca personale e çdo njeriu. “Ne ndoshta kemi fatin që kemi njëri-tjetrin dhe kjo na bën ta mbajmë fort atë çka kemi”, thonë ata.
Pyetjes nëse ia dalin të jetojnë mirë përmes këtij biznesi, Kozeta i jep një përgjigje pozitive. “Ne kemi vënë re se shqiptarët me njëri-tjetrin po bëhen gjithmonë e më shumë mbështetës, sidomos ndaj atyre që po punojnë fort dhe e meritojnë mbështetjen për shkak të produktit final. Po marrim gjithmonë e më shumë vlerësime ndjesore ashtu edhe monetare. Për të qenë të sinqertë, po jetojmë gjithashtu mirë dhe paqtë, sepse e duam fort atë që po bëjmë”, shprehet Kozeta.
i takon interesit ekzistues për punimet e këtij lloji, Dori dhe Kozeta tregojnë se ata që orientohen më shumë drejt tyre janë çuditërisht të rinjtë. “Interesi çdo ditë e më shumë bëhet edhe më i madh. Arsyeja kryesore është se njerëzit kërkojnë t’i dhurojnë vetes apo njerëzve të dashur gjëra të veçanta, të krijuara posaçërisht për ta. Shtojmë faktin se në Shqipëri po vjen një erë e re drejt dashurisë për krijimet e punuara me dorë.Nëse flasim për moshën e orientuar drejt qëndisjes, ne si shqiptarë do të na vijë menjëherë në mend mosha mbi 30 vjeç, por çuditërisht janë ata nën 30 vjeç që e presin dhe duan më shumë këtë rrymë artistike”, shprehet çifti duke argumentuar se hamendësojmë për klientë më në moshë për arsye se qëndisja në Shqipëri është pjesë e traditës dhe ç’është pjesë e saj mbetet nostalgjike dhe më e pranueshme tek ta.
Në përfundim të bisedës, Dori dhe Kozeta shprehen se “profesionalizimi mbi një fushë të caktuar rritet me përvojën e viteve te kushdo”. Dhe rrjedhimisht, koha do të tregojë se sa shumë do të mësojnë dhe krijojnë prej qëndisjes.(fjala)