Nga Alfred Peza
Praktika na tregon senë botën demokratike ka dy kategori politikanësh, partish dhe grupimesh politike të cilët dallojnë mes tyre për nga mënyra e qasjes dhe e raportit që krijonë me fushatat elektorale, proceset zgjedhore dhe ditën e votimit. Fjalorët dhe shkollat e ndryshme politike, mund të sjellin shembuj praktikë, studimorë dhe përkufizime teorike nga më të ndryshme. Në varësi të rrymave, epokave dhe stadeve të zhvillimit demokratik.
Në grupin e parë bëjnë pjesë ato që hyjnë në garë, pavarësisht se kë kanë përballë. Për ta kundërshtari nuk zgjidhet, por mundet. Me punë. Program. Organizim. Frymë. Dhe votë. Ndërsa në grupimin e dytë, bëjnë pjesë ato që futen në garë vetëm pasi janë siguruar më parë për fitoren e sigurtë që i prêt. Duke i zgjidhur punët përmes pazareve. Kompromiseve. Hilerave proceduriale. Paracaktimit të kundërshtarit të dobët. Pasi janë garantuar paradhënie për rezultatin pozitiv që i pret, bëjnë edhe formalitetin.
Në këtë grupimin e dytë, bëjnë pjesë edhe liderët e partitë politike të “Opozitës së Bashkuar”, në Shqipëri. Ky tipar dallues i tyre, është rishfaqur këto ditë edhe në treyzën e Këshillit Politik për reformën e re zgjedhore, ku përfaqësuesit e saj ngulin këmbë tek kërkesa për krijimin e një Qeverie Tranzitore 3 muaj apo 100 ditë përpara zgjedhjeve (në vend të asaj të Kryeministrit Edi Rama). Me pretekstin, se vetëm kështu, mund të ketë garanci për standardin e procesit.
Qëndrimi i Partisë Socialiste përmes përfaqësuesit të saj Damian Gjiknuri, ka qenë i qartë në këtë pikë. Duke u rikujtuar të gjithëve, se Qeveria Tranzitore nuk është një kusht i Reformës Zgjedhore, por thjeshtë një çështje politike, e kërkuar nga përfaqësuesit e opozitës në tyrezë. Sikundër nuk është as edhe ndonjë rekomandim i bërë nga OSBE/ ODIHR, që do të përbënte një detyrim për tu adresuar nga palët në këtë proces.
Ajo për të cilën është e hapur mazhoranca socialiste për të diskutuar, debatuar dhe për të gjetur një kompromis të pranuar nga të gjitha palët, lidhet me një përpjekje serioze për ta depolitizuar gjithë procesin e administrimit zgjedhor. Që është edhe gangrena, nga ku burojnë më shumë kontestime jo vetëm nga humbësit por edhe nga partitë e vogla dhe kandidatët e pavarur, në zgjedhjet e këtyre 30 viteve të fundit.
Pra, ideja është që të mos ketë më komisionerë në ditën e votimit dhe numërues votash në qendra e administrimit zgjedhor, të caktuar nga partitë kryesore politike në vend. Por, ato të zëvendësohen si në shumicën dërrmuese të vendeve me standarde më të larta zgjedhore se ne, nga komisionerë të depolitizuar. Nga njerëz që vijnë nga radhët e atyre që gëzojnë statusin e nëmunësit civil apo të pushtetit të drejtësisë, etj.
Kjo dhe disa opsione të tjera në lojë, në lidhje me futjen e teknologjive digjitale në segmente kyçe të procesit, votimi i emigrantëve, apo mundësia e numërimit të votave në qendrat e votimit njëkohësisht në të gjithë vendin që do të ndihmonte në nxjerrjen e rezultatit brenda pak orëve, kanë qenë disa nga debatet që janë bërë. E për të cilat, nëse gjendet konsensus dhe ka vullnet për tu bërë pjesë e reformës së re zgjedhore, mund të ndihmojnë realisht në rritjen e standardeve elektorale në procet e ardhshme.
Ndërsa ideja e një Qeverie Tranzitore përveçse një temë thjeshtë e debatit dhe dëshirave politike të opozitës, është vërtetuar në të shkuarën, si një eksperiment i dështuar në Shqipëri. Qeveritë e kësaj natyre në villim të viteve ’90, më shumë se ndihmuan për rritjen e standardeve demokratike, u bënë sebepe për rritjen e tensioneve sociale, paqëndrueshmërisë politike dhe rrezikut të sigurisë së jetës në vend.
Pa harruar këtu për të risjellë në vëmëndje, edhe rastin e dështuar të 3 viteve më parë, kur pas marrëveshjes Rama- Basha të 17-18 majit 2017, opozita mori më shumë se gjysmën e portofoleve minstrore që deshi për tu siguruar që procesi zgjedhor do ishte me standarde, e sërisht më pas pretendoi të kundërtën pasi humbi zgjedhjet. Sepse për opozitën tonë, zgjedhjet janë me standarde kur i fiton ajo dhe nuk janë, sa herë që ajo i humbet!
Mendoj se zgjidhja më e mirë është administratë zgjedhore jashtë partive, që vepron vetëm sipas ligjit. Kështu fshihen edhe dyshimet që ka 30 vjet që e shoqërojnë shoqërinë tonë. Është krizë besimi që i duhet dhënë fund.
Unë kam përvojën time si pjesë e komisionit të zgjedhjeve në ditën e votimeve. Procesi mbyllet deri sa numërohen të gjitha votat e hedhura në kutitë e votimit, raportohet rezultati fillimisht në telefon, pastaj kryetari dhe nënkryetari dërgojnë kutitë e vulosura në komisionin qëndror. Këtu ku jetoj unë, zgjedhjet lokale, rajonale dhe kombëtare bëhen në një ditë, një nga të djelat e shtatorit, është e sanksionuar me kushtetutë. Secila fletë votimi ka një ngjyrë, e bardhë, qielli dhe e verdhë, dmth për lokalet, rajonalet dhe kombëtaret, dhe secila parti vjen me kandidatët e saj. Zgjedhësit votojnë partinë ose kandidatin që duan dhe fletët e votimit futen në zarfin përkatës e hidhen në kuti. Por ka dhe një mënyrë tjetër të votuari. Ndodh që tre javë para ke të drejtë të votosh, kam marrë pjesë edhe në një komision të tillë. Ata që ndoshta ditën e votimeve nuk mund të votojnë për arsye të ndryshme, kanë të drejtë ta bëjnë këtë përpara. Që do të thotë se qëndrat e votimit dhe komisionerët, fletët e votimit janë atje ku duhen një muaj para. Këto vota nuk hapen deri ditën e votimit, ndahen sipas zonave dhe vijnë në qëndrën e duhur ditën e votimeve e numërohen me votat e ditës së votimeve. Si zgjidhemi ne? Komisioni qëndror del me një njoftim që kërkohen komisionerë për qëndrat e votimit. aty ka disa pyetje për secilin, ti përgjigjesh, jep të dhënat e tua, dhe pret miratimin. Dy muaj para zgjedhjeve, të dërgohet informacioni nëse je pranuar dhe kur je caktuar. Ka pyetje nëse do e mbash vëndin apo ke tjetër kërkesë, në të njëjtën kohë duhet të bësh një kurs në lidhje me zgjedhjet, detyrim për të qënë komisioner, edhe nëse e ke të dytën apo të tretën herë. Po nuk shkove në trajnim, nuk pranohesh në komision. Të thonë dhe sa paguhesh për shërbimin, komisioneri, kryetari, nënkryetari. Fare trensparent informacioni. Ti takohesh për herë të parë me grupin, vetëm ditën e votimive, të gjithë zbatojnë ligjin dhe bëjnë detyrën sipas porosive në trajnim. Ndodh të mos njohësh asnjërin, ke marrë një email nga kryetari që të informon për orarin që do ndiqet gjetë ditës, dhe kaq. Të gjithë bëjnë detyrën dhe nuk ka kontestime, pasi kur mbyllet votimi, numërimi është i hapur…kjo mund të shkojë deri në mesnatë. PRANDAJ, BËNI KOMISION TË PAVARUR QË TË BËHEN ZGJEDHJET E LIRA. Kërkoni ndihmë nga Suedia, përvoja që shkrova vjen nga ky vënd.