Mjeku Maksim Gjoni shpjegoi të shtunën se bashkëpunimi i qytetarëve me autoritetet ishte faktori kyç që ndikoi në lehtësimin e situatës së pandemisë së COVID-19 në Shqipëri.
Në një video të shpërndarë nga Ministrja Ogerta Manastirliu, mjeku i maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”.
“Në vendin tonë, për gjykimin tonë si mjekë, patëm një reagim nga masa e popullsisë shumë efikas, kjo do të thotë se u respektua në masën më të madhe rregulli i distancimit fizik midis njerëzve, që në gjithë botën konsiderohet si masë shumë e rëndësishme në rezultatet më të mira të mundshme ndaj epidemisë së COVID-19,” – tha Gjoni.
Për sa i përket maternitetit, mjeku tha me besim se masat e marra kanë bërë që të shfaqeshin shumë pak raste të infektimit të foshnjave.
“Kemi patur shumë pak raste me temperaturë, çka dyshoheshin si raste me COVID-19, por që nuk rezultuan të tillë. Besojmë se edhe në të ardhmen nuk do të biem ndesh me situata të mbingarkesës në spitalin tonë,” – u shpreh Gjoni, i cili garantoi se në maternitet mbetet i hapur një repart i veçantë për COVID-19 për nevojat që mund të shfaqen në të ardhmen.
Prej 8 marsit, kur u diagnostikua rasti i parë me COVID-19 në Shqipëri, autoritetet kanë kryer rreth 14,500 teste, prej të cilave janë diagnostikuar 989 raste infeksioni.
Sipas të dhënave zyrtare 3 për qind e të infektuarve kanë qenë të moshës 0-9 vjeç – të paktën 29 fëmijë.
Deri më sot janë shëruar 783 persona, 175 mbeten të infektuar, ndërsa 31 kanë vdekur – asnjë nën 40 vjeç.