Covid-19, Akademia e Shkencave: Durrësi - qarku i vetëm që e ka përkeqësuar ecurinë gjate majit, Tirana zbret tek 0,6% rritje ditore

25 Maj 2020, 20:23Sociale TEMA

▪Shqipëria 8 herë më pak teste se mesatarja europiane dhe rreth 3,8 herë më pak se mesatarja e vendeve të Ballkanit

▪Në Europë gjatë muajit maj, periudhë kjo e daljes nga pandemia e shkaktuar nga Covid-19, janë kryer me intensitet në rritje testime deri 4 për qind të popullatës gjithsej

▪Përqindjen më të lartë të popullsisë së testuar në Europë e ka Islanda

▪Gjatë muajit maj Shqipëria regjistroi një trend rritje të të prekurve të rinj, me rreth 1 për qind; javën e fundit zbriti tek 0,8 për qind, kurse Tirana zbret tek 0,6 për qind rritje ditore

▪Durrësi – qarku i vetëm që e ka përkeqësuar ecurinë gjate majit

▪Shtimi mesatar ditor i të infektuarve në Europë ka zbritur në shkallën nën 1 për qind

▪Ukraina, Bjellorusia, Polonia dhe Bullgaria janë më të vonuara në fazën e daljes nga pandemia

▪SHBA po ndjekin të njëjtën ecuri si Europa, me një vonesë prej 11 ditësh

▪Treguesit e njoftuar nga India paralajmërojnë se ky vend rrezikon të kthehet shpejt në qendrën kryesore të pandemisë

(Relacion i E-group-it “Në ndjekje të pandemisë” të Akademisë së Shkencave për zhvillimet kryesore në vend, në Europë e në Botë gjatë muajit maj dhe gjatë ditëve të fundme lidhur me zotërimin e sëmundshmërisë)

1. Gjatë muajit maj shumica e vendeve europiane janë përfshirë në procesin e mbylljes së pandemisë dhe të lirimit prej kufizimeve. Kjo periudhë është paraprirë dhe shoqëruar me intensifikim të testeve. Tashmë rreth 4 për qind e popullsisë së Europës është testuar për mundësinë e infektimit nga Covid-19. Ky tregues luhatet nga një vend në tjetrin, nga 0.46 për qind deri në 17 për qind. Përqindjen më të ulët të popullsisë së testuar në raport me të tërën e ka Shqipëria dhe më të lartën Islanda. Në raport me popullsinë tek ne janë kryer 8 herë më pak teste krahasuar me mesataren europiane dhe 3.7 herë më pak krahasuar me mesataren e Ballkanit.

2. Shqipëria gjatë muajit maj ka regjistruar një trend rritjeje të të prekurve të rinj, në kufirin e 1 përqindëshit, tregues që është përmirësuar gjatë dhjetë ditëve të fundit, kur për herë të parë rritja mesatare ditore e tyre ka zbritur tek 0.8 për qind. Përmirësim ka dëshmuar edhe Tirana, e cila ka shenjuar një rritje mesatare ditore tek 0.6 për qind, nga mbi 1 për qind që rezultonte deri më 16 maj. Durrësi si qark është i vetmi që e ka përkeqësuar ecurinë: nga 1.85 për qind në javën e parë të majit, në rreth 2.5 për qind më tej, por me një përmirësim të ndjeshëm gjatë dy ditëve të fundme.

3. Shtimi mesatar ditor i të infektuarve në Europe, ka zbritur nën 1 për qind. Në Europë janë ulur ndjeshëm humbjet në jetë njerëzore: dje u shenjuan 570 jetë të humbura në tërë kontinentin. Shumica e vendeve europiane regjistrojnë një numër të shëruarish mbi 70 për qind ndaj numrit të përgjithshëm të të infektuarve të regjistruar. Trendin më të mirë e kanë Norvegjia, Zvicra, Austria, Sllovenia, Luksemburgu, Gjermania, vendet balltike, Ballkani dhe vendet e Europës Qendrore. Disa vende të Lindjes, si Ukraina, Bjellorusia, Polonia dhe Bullgaria janë më të vonuara në procesin e daljes nga pandemia, ndërsa Rumania e Moldavia e kanë përmirësuar ecurinë e daljes.

4. Edhe në nivel botëror rritja ditore ka zbritur nën 1 për qind, ndërsa qendrat e mëdha problematike në shkallë botërore kanë këtë zhvillim: SHBA po ndjekin të njëjtën ecuri si Europa, me një vonesë prej 11 ditësh. Kështu, rritja ditore e numrit të të sëmurëve të rinj ka zbritur në 1,2 për qind e ndryshe nga Europa, humbjet në jetë njerëzore janë 35 për qind më pak.

Rusia dhe Brazili, dy epiqendrat e sotme të pandemisë, kanë një përmirësim relativ; veçanërisht Rusia, e cila ka një rritje ditore të të sëmurëve të rinj tek 2.6 për qind, ndërkohë që Brazili e ka këtë tregues tek 4.6 për qind. Megjithatë, të dyja këto vende e kanë përmirësuar ritmin e shërimeve në ditë. Ndërkohë në Indi rritja ditore e të sëmurëve vijon me 5-6 për qind, çka paralajmëron se ky vend mund të kthehet shpejt në qendrën kryesore të pandemisë.

www.akad.gov.al

1 komente në “Covid-19, Akademia e Shkencave: Durrësi – qarku i vetëm që e ka përkeqësuar ecurinë gjate majit, Tirana zbret tek 0,6% rritje ditore”

  1. Gaqi says:

    Kush i ka bere keto studime: JORGAQ GAQI HAJDUT KACANI? U pikaaaaaa aqadhjemise

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje