Historia e panjohur e Gani Strazimirit: Nga përplasja me rusët për ruajtjen e qëndrës historike të Tiranës, te denoncimet në Prokurori, për prishjen e objekteve të kultit

27 Maj 2020, 16:30Dossier TEMA
Historia e panjohur e Gani Strazimirit: Nga përplasja me rusët

Memorie.al publikon historinë e panjohur të arkitekt Gani Strazimirit me origjinë nga rrethi i Dibrës, i cili në periudhën e Monarkisë së Zogut studjoi në Universitetin Politeknik të Torinos në degën e Arkitekturës, por i ndërperu studimet dhe u kthye në atdhe, për t’u angazhuar në Lëvizjen Antifashiste, fillimisht me njësiet guerile të Tiranës dhe më pas në rrethin e Dibrës, ku shtëpia e tyre ishte një nga bazat më të mëdha të Luftës dhe babai i tij, Ismail Strazimiri, u vra nga gjermanët që bombarduan shtëpinë e tyre me artileri. Dërgimi i Ganiut për studime në Bashkimin Sovjetik menjeherë pas mbarimit të Luftës dhe diplomimi i tij në vitin 1950 në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit të Moskës, në degën e Arkitekturës dhe kthimi në Tiranë duke u emëruar si kryearkitekt i Zyrës së Urbanistikës, ku ai u muarr me planin rregullues të kryeqytetit, gjë të cilën ai e kishte filluar që në periudhën e studimeve në Moskë, ku kishte konsulencën e dy arkitëktëve të njohur rus, Kratjuk dhe Polyakov, të cilët erdhën edhe vetë në Tiranë duke studjuar nga afër terrenin. Përplasja e Strazimirit më pas me specialistët rusë për vëndin se ku do ndërtohej Pallati i madh i Kulturës, dhe tërheqja e tij më pas nga ajo punë, duke kaluar te Instituti i Monumenteve të Kulturës, të cilin ai e themeloi vetë dhe përplasja më pas me autoritetet partiake e shtetërore, deri në rangjet më të larta, si ajo me kryeministrin Mehmet Shehu, për prishjen e Bezistanit të Shkodrës, apo Kishës së Shën Mërisë, ku ai bëri denoncimet në Prokurori, duke i konsideruar ato si krime të rënda që duheshin ndëshkuar penalisht.

Nga Dashnor Kaloçi

Nxënës i Paskalit në Shkollën e Vizatimit

Gani Strazimiri u lind më 9/ V/ 1915 në qytetin e Peshkopisë, prej nga është dhe origjina e familjes së tij. Duke filluar nga viti 1932, Ganiu ndoqi studimet pranë shkollës së Vizatimit në Tiranë, e cila sapo ishte hapur dhe drejtohej nga piktorët e njohur, italiani, Mirio Ridola dhe Andrea Kushi. Lidhur me këtë revista e njohur “Minerva” në atë kohë, midis të tjerash shkruante: “Që tani kemi 4 djem shqiptarë që dëshmojnë talent të spikatur në pikturë”. Skulptori Odhise Paskali, (”Skulptor i Popullit”) në atë kohë ishte mësues i skulpturës në atë shkollë dhe duke parë talentin e djaloshit të ri nga Dibra, Gani Strazimiri, ngulmonte: “ai djalë duhet të ndjekë rrugën e artit, pasi është shumë i talentuar”. (Dhe duket se parashikimi i Paskalit s’ishte i gabuar, pasi shumë vite më vonë, rasti e solli që mjeshtri i skulpturës shqiptare, Odhise Paskali, të bashkëpunonte me Gani Strazimirin, për disa vepra të tij, siç ishin bazamenti i monumentit të “Gjergj Kastriot Skënderbeut” në Tiranë, “Partizani Fitimtar” në Përmet etj).

Lidhur me periudhën e Shkollës së Vizatimit në Tiranë, në një shënim të shokut të tij të klasës, Sadik Kaceli, thuhet: “Gani Strazimirin si nxënës të talentuar dhe punëtor, që nëse do vazhdonte në fushën e pikturës, do të realizonte punë të mëdha. Pikturat e tij shquhen nga kompozimi, ngjyrat e ngrohta plot dritë”. Shumë piktura të Strazimirit, prej kohësh janë pronë e familjes apo dhe miqëve të tij. Po kështu edhe Galeria e Arteve në Tiranë ka dy punë të tij, si: “Pazari i vjetër në Tiranë”, vepër e realizuar në vitin 1931, dhe një peisazh i realizuar në vitin 1936. Ndërkohë katër piktura, me të cilat Ganiu fitoi konkursin për nder të “Nënës Mbretneshë”, janë dërguar më vonë në një konkurs ndërkombëtar në Paris, për të përfaqësuar Shqipërinë e Monarkisë së Zogut, por për fat të keq, veprat nuk u kthyen më në atdhe!

Student i Arkitekturës në Torino

Pas mbarimit të Shkollës së Vizatimit, në periudhën e viteve 1936-1940, Ganiu ndoqi gjimnazin e Tiranës, ku u shqua si një nxënës shumë i mirë. Ky ndryshim, pra vazhdimi i gjimnazit, erdhi si dëshirë e të vëllait më të madh ing. Lutfi Strazimiri, që merrte përsipër financimin e studimeve të tij, vetëm nëse ai do studionte për arkitekturë. Kështu nisur nga kjo, Ganiu studjoi për tre vite në Fakultetin Politeknik (dega e Arkitekturës) të atij qyteti dhe i ndërpreu ato, pasi në vitin 1942, ai u kthye në atdhe, ashtu si shumë studentë të tjerë shqiptarë që ishin asokohe në Itali, të cilët erdhën për të luftuar kundra pushtimit fashist të vëndit. Por gjatë atyre tre viteve, ai ishte një nga studentët më të mirë të kursit të tij, gjë e cila pasqyrohet nga regjistrat përkatës, ku shihen rezultatet e provimeve dhe të gjitha janë me vlerësimin ‘shkëlqyeshëm’. Pas kthimit në atdhe, Ganiu u vendos në Tiranë ku që në qershorin e vitit 1942, ai u angazhua me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë pjesë e njësiteve guerile të Tiranës. Nisur nga aktiviteti i tij i madh në Tiranë, ku kërkohej për t’u arrestuar, me vendim të qarkorit komunist të Tiranës, në gushtin e vitit 1944, ai u dërgua në rrethin e Dibrës, si anëtar i Këshillit Nacionalçlirimtar të atij Qarku, pasi shtëpia e tij në atë rreth, ishte një nga bazat me të rëndësishme të Luftës. Nisur nga ky fakt, forcat gjermane e goditën shtëpinë e familjes Strazimiri me artileri, (mortaja) dhe aty mbeti i vrarë babai i Ganiut (Ismail Strazimiri), i cili me njëherë pas mbarimit të Luftës, u shpall “Dëshmor i Atdheut”.

Diplomohet në Fakultetin e Arkitekturës në Moskë

Me mbarimin e Luftës në fundin e vitit 1944, pasi punoi për disa kohë si shef i seksionit Ndërtimit dhe Urbanistikës së rrethit të Dibrës, në fillim të vitit 1946, Gani Strazimiri u dërgua për të vazhduar studimet për arkitekturë në Moskë, të cilat ai i kishte filluar dikur në Fakultetin e Torinos dhe i kishte lënë në vitin e tretë, pasi ishte kthyer në atdhe për të marrë pjesë ënë Lëvizjen Antifashiste. Gjatë asaj periudhe që ndiqte studimet pranë Fakultetit të Inxhinjerisë (Dega Arkitekturë) në Moskë, Ganiu kishte marrë përsipër të merrej me planin rregullues të kryeqytetit shqiptar, Tiranës, gjë për të cilën ai pati konsulencën e ndihmën edhe të dy arkitektëve të njohur rus, Kratjuk dhe Polyakov, të cilët erdhën edhe vetë në Tiranë duke parë nga afër gjëndjen e qytetit. Veç të tjerash, kjo gjë bëhet e ditur edhe nga një shkrim i vitit 1952 i gazetarit, Hamdi Petrela, publikuar në revistën “Miqësia”, (botim i Shoqatës së Miqësisë, Shqipëri Bashkimi Sovjetik), ku në mes të tjerash shkruhet:

E gjeta në punë e sipër, kah po vizatonte me laps mbi një letër transparente, do pallate të mëdhenjë, të bukur….

– Ç’ka janë këto…?! – e pyeta miqësisht, pasi u njoftëm….-

– Pallatet të rinj për Tiranën….

-Ju keni në dorë dhe planin rregullues të Tiranës?!!….

-E kush u’a tha?!…më pyeti dhe më shikoi me sy shqyrëtonjës.

-Drejtori, pse nuk është e vërtetë, a?!….Lëshoi një pshertimë dhe pa u menduar, më tha:

-Ah, ç’jeni ju gazetarët, gjë s’leni pa marrë vesh?!

-Unë për ju kam ndërmënd të shkruaj…..

-E çfarë do të shkruani për mua?!

-Që jeni një arkitekt i ri, e që….

-Ma preu menjëhere fjalën: – Ka plot arqitektë këtu. Çdo vit po shtohet numri i tyre….

-Po ju keni në dorë planin rregullues të qytetit tonë të dashur…- U duk se diçka mendonte. Pastaj buzëqeshi dhe tha ngadalë:

-Këtu, sejcili nga ne ka në dorë një diçka të bukur. Mirë është, p. sh., të shkruani për ndërtimet në qytetin e punëtorëve në Patos. Ja, shikojeni atë djaloshin atje – është inxhinjeri i ri, Koço Miho, që këtë vit u kthye nga Bashkimi Sovjetik. Shikoni atë tjetrin përtej, – asht Remzi Skënderi. Ai ka në dorë planin rregullues të Rrogozhinës, qyteti i ardhshëm industrial. Kurse arqitekti Kristaq Sahatçia, ka ndërtimet për vitin 1954 në qytetin e Durrësit. Pse, a më pak interesante janë këto? Në atdheun tonë kudo bëhen ndërtime madhështore.

-E pse të mos shkruajm mbi planin rregullues të Tiranës? – e pyeta mbas një heshtje të shkurtër.

-Jo, unë s’kam asnjsë kundërshtim, bile unë gëzohem, po do t’u lutem që për mua të mos thoni asnjë fjalë.

-Ai bëri një xhest me dorë, dikujt i dha përgjigjie për atë çka e pyetën, e vijoi:

-Jemi dakort?! …

-Po! Ju përgjigja pa dashje. Këtu dua t’i jap nji sqarim të vogël lexonjësve tanë. Historinë e sipërme të djaloshit unë e kam dëgjue, prej dikujt tjetër. Nga nji mik i ngushtë i tij, se ai vetë, s’më foli gjysëm fjale për jetën e tij, për punën e madhe që ka bërë qysh kur ishte student në Moskë, ku mori përsipër të paraqesë planin rregullues të Tiranës, plan i cili më vonë me ndihmën e madhe të arqitektëve të famshëm sovjetik, Kratjuk dhe Paljakov, që erdhën dhe e studjuan në vënd Tiranën, u bë konkrete e u aprovua nga Komiteti Ekzekutiv i qytetit të Tiranës, natën e 12 nëntorit 1953”.

Përveç punës së madhe studimore që Ganiu bëri për planin rregullues të qytetit të Tiranës, gjatë periudhës së studimeve në Moskë, ai bëri provime shtesë për konstruksion të banesave civile dhe këtë gjë ai e konsideronte si themel të profesionit të arkitektit.

Refuzon postin e zv/Ministrit të Ndërtimit

Në vitin 1950, pasi u diplomua me rezultate të larta, Gani Strazimir kthehet në atdhe ku emërohet si Kryeprojektues në Zyrën e Urbanistikës dhe Projektimit të Tiranës me drejtor, Sali Angonin, i diplomuar në Francë, në periudhën e Monarkisë së Zogut. Dy vjet më vonë, në 1952-in, Byroja Politike e Komitetit Qëndror të PPSH-së, vendosi që ai të emërohej në funksionin e zv/Ministrit të Ndërtimit, gjë e cila bëhet e ditur edhe nga dokumenti arkivor ku thuhet:

Projekt-Vendimi mbi emërimin e Nd/Ministrit.

Këshilli i Ministrave i Republikës Popullore të Shqipërisë, në mbledhjen e datës…

Vendosi:

Emërimin e shokut Gani Strazimiri Nd/Ministër i Ministrisë së Ndërtimit.

Ky vendim hyn në fuqi mënjëherë.

Relacion

Byroja Politike e Komitetit Qëndror të PPSH-së, në mbledhjen e saj të datës 18/IV/1952, rekomandon që shoku Gani Strazimiri të emërohet Nd/Ministër i Ministrisë së Ndërtimit.

Kryetar i Degës së Kuadrit

                        Raqi Shamblli

28/IV/1952

Por me këtë emërim nuk ishte dakort vetë Gani Strazimiri, i cili gjeti mënyrat dhe e refuzoi atë detyrë që i ngarkuan, gjë e cila pasqyrohet edhe në një dokument tjetër (shiko faksimilen përkatëse) ku thuhet:

Dega e Kuadrit                                     Sekret

Landa: MBi mosaprovimin e shokut Gani Strazimiri, për Ndihmës Ministër i Ndërtimit.

Komitetit Qëndror i PPSH-së

              (Drejt. Industris, Komunik.)

                                                Tiranë

Në përgjigjie të shkresës 0048 datë 25/IV/1952, mori në shqyrtim propozimin tuaj për ndihëmës Ministër i Ndërtimit, shokun Gani Strazimiri dhe nuk e aprovoj emërimin e t’ija.

Sekretari i Përgjithshëm

                              Irfan Çelkupa

14/V/1952

Pas refuzimit të postit të zv/ministrit të Ndërtimit, Gani Strazimiri vazhdoi punën e tij si Kryearkitekt i Zyrës së Projektimit të Tiranës, duke u marrë me planin rregullues të kryeqytetit. Por krahas asaj pune voluminoze, në vitet në vijim, ai shërbeu edhe si Shef i Katedrës së Arkitekturës në Fakultetin e Arkitekturës në Universitetin e Tiranës, ku si docent jepte dhe leksione. Gjatë kësaj periudhe, arkitekti Gani Strazimiri realizoi disa nga projektet, si:

Projekti i të parit Plan Rregullues i qytetit të Tiranës.

Projekti i hotelit “Adriatiku” në plazhin e Durrësit.

(Gjithashtu ndiqte projektimin e hoteleve si “Kruja”, “Apollonia”, “Butrinti”).

Projekti i ndërtesës të Komitetit Qëndror si arkitekt i parë.

Projekt i pallatit të Shallvareve dhe pallateve “Agimi”.

Eksperimenton për metoda të reja në ndërtim me një pallat në Tiranë ku janë përdorur tulla në formë S që ul koston e ndërtimit.

Përplasjet me sovjetikët për vendosjen e Pallatit të Kulturës

Por teksa kishte ideuar dhe zbatuar një sërë projektesh arkitekturore, në fundin e viteve ’50-të, për Gani Strazimirin do të fillonin konfliktet dhe përplasjet me specialistët sovjetikë, lidhur me vëndin se ku do të ndërtohej Pallati i madh i Kulturës. Ganiu kishte mendimin që Pallati i Kulturës të ndërtohej aty ku sot është ndërtuar ‘Bulevardi i ri i Tiranës’ (ish-Stacioni i Trenit), i cili do të ishte përballë me godinën e korpusit qëndror të Universitetit të Tiranës, duke qëndruar në dy skajet ekstreme, nga jugu të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe nga veriu të “Bulevardi Stalin”. (Ai mendonte që përballë Universitetit që përfaqësonte dijen dhe shkencën, në anën tjetër të vihej Pallati i Kulturës që përfaqësonte edhe kulturën popullore). Me këtë rast shqyrtohej dhe qëndra historike e Tiranës tradicionale, që quhej ‘Pazari i Vjetër’ të cilën Ganiu mendonte që ajo të restaurohej dhe të zhvilloheshin në dyqane zeje si argjendari, qeleshe punues, kovaç etj.

Po ashtu ai thoshte shpesh, që: “Nëse Tiranës i zë malin e Dajtit, e kë mbytur atë”. Ganiu respektonte zgjedhjen e themeluesve të qytetit për pozicionimin e tij, në mënyrë që mali i Dajtit të bënte një sfond të magjishëm për qytetin. Por mendimet dhe idetë e Ganiut që ishte kundër prishjes së objekteve e godinave të vjetra që i përkisnin periudhave të ndryshme kohore dhe stilit të ndërtimit të tyre, pasi ato pasqyronin etapa të ndryshme kohore të zhvillimit të një qyteti, (siç ishin të gjitha ndërtimet e qëndrës së Tiranës që u ndërtuan në periudhën e Monarkisë së Zogut, apo dhe para saj), ranë ndesh me ato të arkitektëve sovjetikë dhe duke parë mos aprovimin e idesë së tij nga organet partiake, ai u tërhoq nga projekti për planin rregullues të Tiranës dhe siç dihet tashmë, Pallati i madh i Kulturës u vendos aty ku është dhe sot në qëndër të Tiranës, ku u prish ‘Pazari i vjetër’ një monument kulture me vlera të mëdha të trashëgimisë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje