Kategoria Superiore, RTSH bën kërkesë për të hapur “ekranin”

30 Maj 2020, 14:42Sport TEMA

Televizioni Publik i kërkon FSHF-së të drejtën e transmetimit të një apo disa ndeshjeve falas.

Futbolli pas erës së pandemisë do të ndryshojë. Nuk bëhet fjalë për ligjet themelore të fizikës, por për mënyrën e të menduarit dhe të sjelljes. Loja më e ndjekur e planetit natyrisht që do transformohet, madje edhe në shtëpinë e saj, kontinentin e vjetër ku ka gjetur kushtet për t’u zhvilluar deri në formatin që njohim sot ku miliardat e marketingut dhe të drejtat televizive i kanë dhënë formë topit.

Në Europë, kordoni që lidhte platformat televizive dhe futbollin ishte nyja gordiane përpara pandemisë, aq sa ky binom nuk mund të konceptohej pa njëri-tjetrin. Por 3 muaj më pas, me rihapjen e kontinentit situata duket se ka ndryshuar dhe jo pak madje. Kampionatet më të ndjekur të kontinentit që ekzistencën e tyre e kishin lidhur ekskluzivisht me të ardhurat e platformave transmetuese, kanë vendosur të përshtaten me kushtet dhe kohën që po jetojmë.

Për të evituar grumbullimet e mëdha përpara apo në afërsi të stadiumeve të boshatisur ku do të luhet futboll, është vendosur që ndeshjet e kampionateve të transmetohen pa pagesë. Vendime që në Angli apo Gjermani u morën sa hap e mbyll sytë për të respektuar gjthashtu edhe abonentët që humbën mundësinë për të ndjekur skuadrat e tyre nga shkallët e stadiumit.

Me kampionatin elitar, Kategorinë Superiore që do të hapë dyert këtë mesjavë, një sinjal shprese dhe sfide për t’i dhënë një shuplakë të fortë virusit. Vendim i pritshëm por që ngre problematika të ngajshme me ato në shumë vende europiane dhe jo vetëm. Në bazë të parashikimeve për rifillimin e shpejtë të Kategorisë Superiore edhe televizioni publik shqiptar vendosi të investohej në një sipërmarrje të ngjashme me Gjermaninë, Austrinë apo Anglinë duke ideuar një projekt qartësisht në mbështetje të njerëzve që nuk do të kenë mundësi të jenë të pranishëm në stadiume.

Që në datën 20 Maj, RTSH ka adresuar në FSHF një kërkesë zyrtare për transmetimin e të paktën një ndeshjeje në javë të Kategorisë Superiore, në mënyrë që të gjithë shqiptarët të kenë mundësi të ndjekin nga shtëpia ndeshjet për pjesën e mbetur të sezonit. Në letër kërkesën adresuar FSHF, Televizioni Publik shton që ndeshja apo ndeshjet që mund të transmetohen në RTSH, mund të prodhohen nga televizioni kundrejt kontratës përkatëse të licencimit të të drejtave.

Inisiativa e platformës së gjithë shqiptarëve mbështetet në themelet e parimeve të RTSH për të qëndruar pranë çdo familjeje dhe njeriu, pjesë në familjen e madhe të shqiptarëve që sot pas pandemisë po vuajnë pasojat e dëmëve financiare dhe psikologjike që shkaktoi virusi që tronditi botën.

1 komente në “Kategoria Superiore, RTSH bën kërkesë për të hapur “ekranin””

  1. kripa me karar says:

    Une s’kam per ta kuptuar kurre kete kerkese; si ka mundesi qe i behet kerkese transmetimi per futbollin shqiptar Armando Dukes nga televizioni qe mbahet me taksat e shqiptareve?! Dreqi ta haje, po ky popull s’ka me asnje te drejte veçse kur te duan padronet e borgjezise extreme? Po shteti nuk ben dot nje ligj qe tvsh te transmetoje ne interes te publikut shqiptar te gjitha ndeshjet dhe te gjitha sportet? Pse njeriu shqiptar eshte ne funksion te ekonomise se tregut apo ekonomi e tregut ne funksion te njeriut? U be bastarde fare ky sistem qe na e trumbetonin si liri, kur me te shternguar se sot s’kemi qene as ne kohen e skllavopranorise. E kuptoni? Dilni nga shpella!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje