Janë rikthyer përplasjet me armë zjarri në Elbasan.
Së fundmi janë shënuar disa të shtëna në zonën e Krastës.
Deri më tani raportohet se personi i plagosur është Ardian Çapja i cili u transportua menjëherë drejt Tiranës.
Ai ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve e aktualisht i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale.
Ndryshe nga ky version, familjarët e tij në spital teksa kanë folur për uniformat blu kanë deklaruar se ai është rrëzuar në shtëpi dhe është lënduar, shkruan “TemA”.
Nga ana tjetër, banorët në zonë kanë raportuar për të shtëna me armë zjarri dhe shumë pranë banesës ku jeton Ardian Çapja ka marrë flakë një mjet që nga të dhënat e policisë mësohet se ka pasur targa false.
Dyshohet se makina e djegur është e autorit të ngjarjes.
Autorët pas ngjarjes kanë braktisur dhe djegur makinën në zonën e Fushë Mbretit. Brenda në makinë ka pasur fishekë, të cilët kanë shpërthyer nga djegia duke plagosur njërin prej zjarrfikësve që po shuante flakët.
Ndërkohë, policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes. (TemA)