Kosova e lirë, a shtet dhuratë?

13 Qershor 2020, 08:46Blog TEMA

Nga Dush Gashi

Para 1999-ës, Serbia ka ikur edhe dy herë të tjera nga Kosova. Që kjo të ndodhë, është dashur që secilën herë të shpërthejë nga një luftë botërore, e para dhe e dyta.

Por, Serbia, është kthyer prapë po aq herë. Me terror e krime të reja.

Edhe për të ikur përfundimisht u desht një tronditje globale – rënia e sistemit komunist në Rusi, revolucioni i kadifenjtë në Evropën Lindore, shpërbërja e Paktit të Varshavës. Pa këto tërmete planetare nuk do të ndodhte shkatërrimi i Jugosllavisë.

Në finale, edhe vetë ndërhyrja ndërkombëtare në Kosovë mund të mos ndodhte, sikur kasapi i Ballkanit të mos i kishte përgjakur duart edhe në dy lufta të tjera, në Bosnjë e Kroaci, duke i zemëruar keq udhëheqësit e atëhershëm të shteteve prijëse të botës.

Me gjithë këto, është dashur energji e angazhim i paparë i diplomacisë perëndimore për të koordinuar e përgatitur gjatë tërë vitit 1998, në mos edhe më herët, ndërhyrjen ndërkombëtare. Pastaj edhe bombardimet për plot 78 ditë të aleancës ushtarake më të madhe e më të fuqishme që ka parë bota ndonjëherë.

Kaq ishte e nevojshme që të kapitulonte Serbia!

Për këto gjëra nuk flitet sot. Theksi rregullisht vëhet në rezistencën, vuajtjet dhe, sidomos luftën tonë. Sigurisht, edhe këto duhet përmendur, por edhe ta kemi të qartë se pa një konstelacion të tillë faktorësh, ngjarjesh e rrethanash, të cilat – siç e ka thënë dikush para meje – mund të ngjajnë vetëm njëherë në një mijë vjet, Serbia do të ishte ende këmbëkryq në këtë vend.

Tash, njëzet vite pas lufte, nuk mund të kuptoj se si thuaja askush nga klasa jonë politike nuk e ka dëshmuar se e kupton rëndësinë kolosale historike të tërë këtyre rrethanave të papërsëritshme. Nuk kam parë njeri nga këta që sot bëjnë politikë ta këtë goditur në ndërgjegje gjithë ai gjëmim bombash e raketash që bota u desht t’i zbrazë mbi Serbinë.

Përndryshe do ta çmonin më shumë lirinë. Dhe nuk do të na binin në situatë që ambasadori gjerman, për turp të zotit, të na thotë se na qëndrojnë prapa për një shtet si duhet, e jo për një shtet dhuratë për një pakicë.

Pa eufemizëm, kjo do të thotë për një shtet si plaçkë lufte.

4 komente në “Kosova e lirë, a shtet dhuratë?”

  1. Olimpia says:

    E drejte logjika e artikullit.Por ka nje gabim historik te rendesishem.Te gjitha shtetet e vogla dhe te mesme europiane por edhe ne bote jane krijuar si rezultat i luftrave apo vendimeve te fuqive te medha.Pra Kosova nuk perben nje vecori. Nderkohe renia e ish BS krijoi pesembedhjete shtete te reja,ne teresi pa lufte.Dhe kjo ndodhi edhe per faktin se ruset ishin edhe te ,,lodhur,,me kete bashkim popujsh shpesh pa asnje lidhje midis tyre,por edhe te peshes ekonomike qe duhet te mbanin .Nderkohe qe serbet jane te semure nacionaliste ,dhe si te tille nuk kuptimin se cfare po ndodhe ne Europe,.Logjika me e thjeshte impononte qe shqiptaret duhej te ishin te paret qe duhej te largoheshin nga ish Jugosllavia,si e vetmja popullsi jo sllave dhe e dyta per nga numeri pas serbeve,Nderkohe te tjeter,pavaresisht dallimeve ,ishin sllave te jugut,me nje gjuhe ,nje kulture,pavaresisht nuancave apo besimeve fetare.Pra ishte absurde qendrimit i shqiptareve me sllavet,dhe kete absurditet me se fundi ,pas nje tragedie te gjate kombetare,e kuptuan edhe SHBA dhe Europa.Natyrisht njohja e rolit te tyre duhet te jete e padiskutuesheme per shqiptaret,por sic thote drejte artikulllshkruesi ,per te bere shtet dhe jo per te plackitur,pavaresisht te meritave te luftes.

  2. betixho says:

    Thelloje zoti Gashi materialin T’uaj shumë të argumentuar dhe gati programatik.Nuk është vetëm një ndërtim shteti i modelit Perëndimor dhe me demokraci të arritur por edhe një program bisedimesh me Serbinë që të çojë detyrimisht në një paqe mes Shqiptarëve dhe Serbëve,e domosdoshme këjo për sigurinë dhe konsolidimin e shtetit Shqiptar të Kosovës ,me sigurinë që në ç’do situatë gjeopolitike në disfavorin tonë,Serbia të mos kthehet në të kaluarën e saj të rimarrjes së territoreve,por të ndihet besëplotë para fqinjëve Shqiptarë për respektimin e paqes së përjetshme.

  3. shtet shkërdhatë says:

    undefined

  4. shtet shkërdhatë says:

    undefined

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje