Askush, përveç kujtdo

12 Qershor 2020, 22:30Blog TEMA

Nga Artan Lame

Ngado përqark Globit (natyrisht në pjesën e zhvilluar të tij) ka nisur një gjueti e marrë kundër statujave.
Askush që nuk ka jetuar në shekullin e dytë e të tretë, kur gjithë botën e përfshinë ethet e dënimit të të krishterëve të parë, nuk mund ta kuptojë se çdo të thotë fanatizëm.

Askush që nuk ka jetuar dy shekuj më pas, në shekujt e IV e të V, nuk mund ta kuptojë marrëzinë që përfshiu njerëzinë kundër çdo gjëje që kishte mbetur pagane, përfshirë edhe statujat e botës klasike greko-romake.
Askush që nuk ka jetuar në shekujt e IX e të X, nuk mund ta kuptojë marrëzinë e turmave që shkatërronin ikonat dhe mozaikët, nën fanatizmin e ikonoklastisë.

Askush që nuk ka jetuar në shekullin e XIV, nuk mund ta kuptojë marrëzinë e turmave që, për të shpëtuar nga murtaja, digjnin shtrigat, macet, ebrejtë e gjithfarë tjetër.

Askush që nuk ka jetuar në shekullin XVI, nuk mund ta kuptojë marrëzinë e turmave që digjnin njerëz të pafajshëm për herezi fetare, të qëna e të paqëna.

Askush që nuk ka jetuar në Amerikën e shekullit të XVII, nuk mund ta kuptojë gjuetinë e shtrigave.

Askush prej sa më sipër, nuk mund të kuptojë se si turmat e padijshmëve nuk mund të kuptonin se nuk ndreqeshin hallet e tyre duke thyer statuja e duke djegur ikona, duke denoncuar njëri-tjetrin për heresi a për shtrigëri.

Por është dikush që mund t’i kuptojë dhe e ka për detyrë ndaj qytetërimit dhe historisë që të flasë.

Kushdo që ka jetuar në botën komuniste, e ka jetuar se ç’tmerr janë turmat që djegin ikona, e thyejnë statuja, e grisin librat e Botës së Vjetër, në emër të Botës së Re që nuk erdhi kurrë.

Kushdo që ka jetuar në botën komuniste, e ka jetuar se ç’tmerr është kur njerëzit e tmerruar denoncojnë njëri-tjetrin me shpresën të shpëtojnë kokën e vet.

Kushdo që ka jetuar në botën komuniste, e di tashmë se asnjë problem nuk zgjidhet duke spastruar sheshet nga statujat (po flitet për të hequr Kolombin si pushtues!); asnjë problem nuk zgjidhet duke spastruar librat nga emrat (po flitet për të spastruar librat nga Indro Montaleli!); asnjë problem nuk zgjidhet duke duke ndaluar filmat (po ndalohet “Bashkë me erën” për racizëm dhe “Bracio di Ferro” se pi duhan!).

Thjesht po humbim kujtesën dhe njeriu pa kujtesë është veç gallesë vegjetuese. Kur e gjithë kjo dalldi të marrë fund, bota nuk do të jetë bërë më e mirë, thjesht do ketë mbetur më e varfër.

Botën që kemi e ku rrojmë, me të mirat e të këqiat e saj, e kemi vetëm falë asaj që na lanë e ndërtuan ata që sot po u shtiem statujat e po u grisim librat. Askush (veç diktatorëve) nuk e bën dot vetë statujën e vet. Dhe duhet të bësh goxha vepra në jetë, që t’i vësh në detyrim moral pasardhësit, që të të bëjnë statujën kur të mos jesh më ndër të gjallët.

Veç turmat pa tru që, si të tilla, janë të paafta për të bërë vepra që meritojnë statuja e libra, mund të duan të lartohen duke përmbysur statujat e të tjerëve.

Ata që e kanë provuar, na i lanë mësimin: “Fillon gjithmonë duke djegur librat dhe përfundon duke djegur njerëzit. Për fat të keq i kemi hyrë kësaj rruge. S’di t’ua them, nëse pa kthim, apo ka ende shpresë.

7 komente në “Askush, përveç kujtdo”

  1. mik says:

    Ky edhe e denon diktaturen komuniste, por denon edhe shkaterrimin e literatures saj !!
    Çdo kohe ka logjiken e vet. Koha ne te cilen ne jetojme e kerkon kete ‘ sakrilegj ‘. Nuk jane vende diktatorjale keto qe kerkojne keto ndryshime, perkundrazi, jane vendet ma demokratike ne bote.
    Autori asht ma mire te shikoje mirekuptimin e qeverive ne kerkesat e vullnetit te popullit te vet, se te mbaj leksione boshe.
    Nuk asht si ketu, ku qeveria zgjohet naten per hane, me policy ilegale te armatosur, ne kundershtim total me ligjin, dhe ne kundershtim total me vullnetin e popullit prish teatrin.
    E shikoni ndryshimin zoti Lame ?

  2. Kostandin says:

    Ke harruar “rastesisht” nazistet e Hitlerit qe digjnin librat o Lamce?! Mos je gje fashist zotrote?? ?

  3. Julian says:

    Po ti shohësh ata që po heqin statujat janë thjeshtë njerëzit parazitë, injorantë që nuk kane kontribuar as edhe një gjë për shoqërinë civile.

  4. Askushi says:

    Mirē e ke taj zoti Lame;Ata,çdokushët që vodhën lopën s’paskan faj!
    Atëhere,legalizojua ‘lopēn’ atyreve(pa allishverishe)dhe t’jeshë i qetë se pasardhësit e tyre,do tē ta ngrenë përmendoren e ‘Askushit’

  5. Baram Rexhepi says:

    O Artan. Po thuaja Rames keto gjera, se ai po i shkaterron vlerat kulturore ne Shqiperi.

  6. jopergje... says:

    Bukur. Shkrim suprizues nga nje Budalla klasik.
    Nuk mendoj ta kete shkruar vete sepse nga intervistat e tija ne televizione kam pare qe eshte njeri shume i ceket, pa inteligjence dhe nihilist kur vjen puna tek Historia, kultura dhe dinjiteti i Shqiperise dhe i shqiptareve.
    Nje njeri qe pushtimin nga nje fuqi e huaj fashiste e quan progres dhe tradhetine klasike (si ajo e Esad Pash Toptanit) e quan pragmatizem politik.
    Per njerez te till duhet te jap llogari media se si dhe pse ju jep hapesire por edhe qeveria se perse i jep poste kyce njerezve qe tradhetine ndaj atdheut e shikojne si pragmatizem apo qe jan nihiliste ndaj atdhedashurise te te tjereve ose e percmojne ate si nivel i ulet fshati.
    Mbi te gjitha njeriu behet njeri kur arrin te sensibilizohet ndaj vuajtjes, gezimit, dinjitetit dhe te drejtave te te tjereve…. por po s’u be dot njeri nuk ka per tu bere kurr as intelektual, as historian, as kolumnist. Bisht qeni po!
    Boris Johnson qe eshte historian dhe patriot (eshte e pamundur te pretendosh te besh historianin kur nuk respekton vendin tend, por nejse histori e gjate)… tha per protestat ne Angli qe “Nuk mund te bejme gjoja sikur kemi nje tjeter histori”.

    Kaq sot per Lamet, Lubonjerat, Andi Bushaterat, Muc Nanot e ndonje tjeter syresh qe rend te kap flamurin e internacionalistit te iluminuar ter pordh.

  7. Jorgo says:

    Kjo eshte shume e thelle kesaj epoke po i vjen fundi nuk dime se ç’vjen mbas ketij fundi!!!!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje