Rusia dënon me 16 vjet burg "spiunin" amerikan, një ish-marins. Reagon SHBA

15 Qershor 2020, 20:46Bota TEMA

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo shprehu indinjatë ndaj vendimit të një gjykate ruse, e cila dënoi sot me 16 vjet heqje lirie në një burg të sigurisë maksimale shtetasin amerikan Paul Whelan, nën akuzat për spiunazh.

Whelan ka këmbëngulur në pafajësinë e tij, duke thënë se procesi ndaj tij ishte “i montuar” dhe politik.

Sekretari Pompeo e quajti gjykimin të fshehtë, me prova sekrete, dhe pa lejuar si duhet dëshmitarët e mbrojtjes. Ai tha se SHBA kërkojnë lirimin e menjëhershëm të zotit Whelan.

Ambasadori amerikan në federatën Ruse, John J. Sullivan bëri një deklaratë për gazetarët jashtë gjykatës:

“Ai u dënua me 16 vjet pa asnjë prove. Nuk kishte asnjë provë të paraqitur nga gjykatësi që arsyetonte masën e paraburgimit së cilës ai i është i nënshtruar për një vit e gjysmë”, tha ambasadori Sullivan, duke i përshkruar procedurat gjyqësore si një “tallje me drejtësinë”, tha ambasadori.

Vëllai i Paul Whelan, David, tha se avokatët do ta apelojnë vendimin që ai e cilësoi si politik. “Ne kishim shpresuar se gjykata mund të tregojë njëfarë pavarësie, por, në fund të fundit, gjykatësit rusë janë subjekte politike, jo juridike. I kërkojmë qeverisë amerikane që menjëherë të ndërmarrë hapa për ta sjellë Paulin në shtëpi”, tha ai.

Paul Whelan, një ish-marins i cili punonte si drejtor për Sigurinë Globale në kompaninë e furnizimit me pjesë makinash me bazë në SHBA, BorgWarner, u arrestua në dhjetor të vitit 2018, pasi pranoi të merrte nga një i njohur një usb, ku kishte menduar se ndodheshin foto nga pushimet. Autoritetet ruse thonë se në usb ndodheshin materiale të klasifikuara.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje