'Reforma u bë për të futur opozitën në zgjedhje'? Meta sulmon Ramën: Kur dëgjoj deklarata të tilla më krijohet nostalgji për Ramiz Alinë

19 Qershor 2020, 14:11Politika TEMA

Presidenti Ilir Meta në deklaratën e përjavshme për media nga Presidenca, ka folur në lidhje me situatën politike të vendit, duke u ndalur edhe te Reforma zgjedhore.

Ai është shprehur se do të ishte mirë që palët t’i përmbaheshin marrëveshjes, ndërsa i pyetur se çfarë mendon në lidhje me deklaratat e mazhorancës që Reforma u bë për të futur opozitën në zgjedhje, ai thotë se i kujton kohën e Ramiz Alisë.

“Kur dëgjoj deklarata të tilla më krijohet nostalgji për Ramiz Alinë, që i shtyu zgjedhjet në 1991 për t’i dhënë mundësi opozitës të hynte në zgjedhje”, tha Meta.

Ndërkohë ai është shprehur se do të vazhdojë të kthejë ligjet që janë në kundërshtim me Kushtetutën, ndërsa ka tërhequr edhe vëmendjen për borxhin e lartë publik.

“Dua të tërheq vëmendjen mbi nivelin e lartë të borxhit publik. Ripërsëris nevojën e një analize tjetër për të mbajtur nën kontroll borxhin publik.

Do të vazhdoj të kthej ligjet që janë anti-kushtetues që janë të dëmshëm për interesin publik dhe të taksapaguesve shqiptarë”, tha ai.

Për sa i përket 15 kushteve që vendosi Parlamenti Europian, Meta shprehet se kjo është çështje e vjetër, por palët duhet të punojnë për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Mendoj që kjo është një çështje e vjetër, kushtet janë prej vitesh, duke filluar me kryekushtin për zgjedhje të lira e të ndershme. U bënë 4 vite që përsëritet sidomos nga Bundestagu gjerman.

Duke nisur që nga hetimi për dosjet e zgjedhjeve në Shijak e Dibër, dhe duke vazhduar me Reformën Zgjedhore. Kushtet duhet urgjentisht të përmbushen që vendi të hedhe hapa përpara, përndryshe rrezikojmë që të kthehemi pas për integrimin europian.

Qëndrimet e Presidentit janë bërë të qarta. Unë uroj që palët t’i qëndrojnë marrëveshjes që kanë nënshkruar, e cila lë mjaft për të dëshiruar.

Jemi në një situatë të thellë mosbesimi të institucioneve, por është koha për të kuptuar shqetësimet që vijnë nga partnerët europianë. Ata e kanë lënë derën hapur, por nëse ajo derë mbyllët shqiptarët e dinë kush e ka përgjegjësinë.

Ditën e hënë do të kem një takim me Zef Mazin, kryenegociatorin. Do të diskutojmë në lidhje me sfidat dhe përmbushja e 15 kushteve i jep kuptim dëshirës së tij për integrimin europian.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje