Australia ndodhet nën një agresion të vazhdueshëm kibernetik nga “një armik i sofistikuar”. Denoncimi është bërë nga kryeministri Scot Morrison, i cili nuk ka përmendur emrin e “shtetit armik”, por e ka bërë deklaratën për të rritur ndërgjegjësimin e kërcënimit që i kanoset vendit.
“Ky aktivitet ka vënë në shënjestër organizatat australiane të sektorëve të ndryshëm, përfshirë të gjitha nivelet e qeverisë, industritë, subjektet politike, arsimin, shëndetësinë, ofruesit e shërbimeve bazë dhe infrastrukturën. Ajo që mund të konfirmoj është se nuk ka një numër të madh aktorësh shtetërorë që mund të angazhohen në këtë lloj aktiviteti dhe është e qartë, bazuar në këshillat që kemi marrë, se ky aktivitet bëhet nga një aktor shtetëror me kapacitete të sofistikuara,” – është shprehur Morrison, kryeministër i Australisë.
Sidoqoftë kryeministri nuk komentoi spekulimet se sulmet kibernetike janë pasojë e armiqësisë në rritje mes Australisë dhe Kinës.
Sulmet interpretohen gjerësisht si ndëshkim për mbrojtjen që Australia i bëri një hetimi të pavarur mbi origjinën dhe përhapjen e koronavirusit, hetim që fajësonte Pekinin.