“Unë mendoj se Tirana do të kërkojë trajner tjetër pas përfundimit të sezonit. Egbo po bën një punë shumë të mirë, por gjithsesi mbetet një trajner portierësh. Shumë i zoti edhe në atë fushë’, pat thënë Starova dy javë më parë në emisionin “Pressing” në ABC News. Deklaratë që më pas u komentua edhe në studio të tjera, aq sa pas një “tjerrjeje” të vazhdueshme e detyroi klubin e Tiranës të dalë me një qëndrim kritik, ndonëse pa e përmendur “Bobin”.
Ish-trajneri kampion i bardhebluve nuk është nga ata që tërhiqet për qëndrimet publike që mban, por saktëson se nuk kishte tendencë që të ulte punën e Emanuel Egbosë dhe aq më pak të mos ketë vlerësim ndaj një kolegu të tij, kushdo qoftë.
“Unë vazhdoj t’i qëndroj besnik mendimit se Tiranës i duhet një trajner ekspert në të ardhmen. Por kjo nuk do të thotë se Egbo nuk po bën një punë të lavdërueshme. Ai ka punuar shumë mirë dhe rezultatet e tregojnë këtë”, thotë Starova për “Panorama Sport”.
Starova, ç’mendim keni ju për Egbonë?
Ka punuar shumë mirë. Më duket njeri serioz dhe ishte zgjidhja më e pranueshme pas largimit të Memës dhe Ahmatajt.
Por ju ama mendoni se Tiranës i duhet trajner tjetër, pasi të përfundojë sezoni…
Po, pikërisht kështu.
Pse nuk mund të vazhdojë Egbo trajner i parë?
Nuk kam thënë që nuk mund të vazhdojë, aq më tepër që nuk e vendos unë. Por mendimi im është ky pra, që Egbo është trajner portierësh.
Pse, nëse je trajner portierësh, nuk mund të bëhesh trajner i parë?
Shikoni, unë vazhdoj t’i qëndroj besnik mendimit se Tiranës i duhet një trajner ekspert në të ardhmen, por kjo nuk do të thotë se Egbo nuk po bën një punë të lavdërueshme. Ai ka punuar shumë mirë dhe rezultatet e tregojnë këtë.
Dakord, por kjo nuk i ka pëlqyer shumë klubit të Tiranës, madje ka pasur edhe një komunikatë për këtë?
Nuk kam ndërmend që të hyj në polemika. Kam një jetë në futboll dhe kurrë nuk kam nënvlerësuar kolegët. Përkundrazi, gjithnjë kam vlerësuar punën e tyre. Por kjo nuk më pengon mua të them mendimin tim. Madje për saktësim, kur kam thënë se Tiranës i duhet një trajner ekspert, pra një trajner karriere, nuk e thashë se kisha ndonjë informacion nga klubi i Tiranës. Thjesht shpreha mendimin tim. Unë jam specialist futbolli dhe askush nuk më heq të drejtën të them atë që mendoj. Brenda etikës sigurisht.
Ndersa starova eshte trajner qoftesh dhe rakie