Emanuel Egbo është shndërruar në një person mjaft aktiv në mediet nigeriane falë suksesit, që ish-portieri i kombëtares po arrin me Tiranën. Bardheblutë janë drejt titullit kampion dhe po bëjnë një kampionat shumë pranë perfektes, që nga vendosja e Egbo në krye të stolit.
Kështu, trajneri i bardhebluve ka qenë personazhi i radhës për tu intervistuar në “allnigeriasoccer.com”. Ai ka zgjedhur t’i bëjë një lloj reklame Superligës, duke treguar cilësitë e saj dhe lojtarët që do të mund të luanin për kombëtaren e Nigerisë.
Egbo sugjeron për trajnerin e kombëtares së Nigerisë, Gernot Rohr lojtarin e tij te Tirana, Majkëll Ngo (9 gola, 13 asiste) dhe Kirian Nuabuezen (17 gola) e Laçit. Të dy po bëjnë shumë mirë dhe nuk do e refuzonin një ftesë nga kombëtarja nigeriane, pasi kanë lidhje nëpërmjet prindërve me vendin afrikan.
“Ngo është lojtari me më shumë asiste te Tirana dhe një nga golashënuesit e skuadrës. Ai shënoi dhe dhuroi dy asiste në fitoren e fundit kundër Vllaznisë së Shkodrës. Nigeria mund të thërrasë lojtarë nga kampionate të ndryshme.
Unë e humba vendin tim në kombëtare kur u transferova në Shqipëri sepse trajnerët e shihnin Superioren si një ligë të dobët. Ata nuk e dinë se sa është zhvilluar futbolli këtu dhe sa masiv është bërë.
Ka disa sulmues nigerianë që po paraqiten mirë në Shqipëri. Kyrian Nuabueze, i cili ka pasaportë amerikane, ishte golashënuesi më i mirë i kampionatit përpara se të dëmtohej. Ka edhe të tjerë, madje ata habiten pse nuk kanë marrë një ftesë nga kombëtarja.
Nigeria duhet t’i ftojë, po flasim për futbollistë shumë të mirë. E meritojnë një shans. Unë mendoj se Ngo është mjaft i mirë për kombëtaren, ai ka luajtur tek Akademia e Liverpulit me Rahem Stërling.
Ka eksperiencë dhe është rritur në një ambient të mirë, ka një edukim të shëndoshë futbollistik. Është gati 2 metra i gjatë, shumë i fortë dhe i aftë në lojën një kundër një. Ne duhet t’i japim një mundësi çdo qytetari“, u shpreh Egbo.