Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në 21-vjetorin e demilitarizimit dhe transformimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, ka thënë se rrugëtimi i ushtrisë ishte rrugëtim i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
“Kosova e fitoi lirinë para 21 viteve. Në ditët e para të lirisë filloi edhe transformimi politik dhe shoqëror i vendit tonë.
Me marrëveshje me aleatët tanë dhe NATO-n filloi demilitarizimi dhe transformimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Trupat Mbrojtëse të Kosovës.
Pas jetësimit të aspiratave për pavarësi, në vitin 2009 e themeluam Forcën e Sigurisë së Kosovës. Në fund të vitit 2018 e themeluam edhe ushtrinë e Kosovës”, thekson Thaçi .
Kreu i shtetit pohon se shumë shpejt ushtria e Kosovës do të jetë pjesë e misioneve paqësore të NATO-s kudo nëpër botë.
“Rrugëtimi i ushtrisë sonë ishte rrugëtim i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Nderime dhe respekt për të gjitha gratë dhe burrat që sakrifikuan gjithçka për këtë ditë.
Jemi krenarë me ushtrinë e Kosovës, e cila së shpejti do të jetë pjesë e misioneve paqësore të NATO-s kudo nëpër botë”, shkruan Thaçi.