Djali i legjendës Fadil Vokrri, në mbrojtje të Thaçit: Të bashkohemi përtej dallimeve, po cenohet Kosova

28 Qershor 2020, 15:40Rajoni TEMA

Akuzat e ngritura nga Zyra e Prokurorisë Speciale në Hagë në adresë të presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së Kadri Veseli kanë shkaktuar një sërë reagimesh.

Politikanë të ndryshëm në Kosovë dhe jashtë saj, por edhe ish-veteranë të luftës e kanë cilësuar këtë aktakuzë të padrejtë, pasi sipas tyre, lufta e UÇK-së kundër agresionit të Ish-Jugosllavisë ka qenë e drejtë. Për këto akuza ka reaguar edhe djali i legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri, Gramoz Vokrri.

Djali i legjendës kosovare ka ftuar të gjithë shqiptarët që t’i lënë mënjanë dallimet partiake e të bashkohen, pasi siç thotë ai, sot po cenohet shteti i Kosovës. Ai shton se sot më shumë se kurrë solidariteti duhet të jetë arma më e fortë e qytetarëve.

“Çdo sukses i shtetit tonë u arrit mbi vullnetin, unitetin, sakrificën dhe solidaritetin…Përtej përkatësive politike, ngjyrave partiake apo individëve, sot po cenohet shteti jonë. Ashtu si në fushat e blerta, ku solidariteti ka qenë arma jonë më e fortë, le të jemi të tillë edhe karshi kësaj sfide për shtetin tonë”, shkruan ai,

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka njoftuar se sot do të ketë një mesazh nga zyra e tij drejtuar qytetarëve të Kosovës. Kreu i shtetit nuk ka specifikuar detaje se çfarë vendimi do të ndërmarrë pas ngritjes së aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerizimit nga Zyra e Prokurorisë Speciale në Hagë.

Pas akuzave në adresë të Thaçit, analistët dhe njohësit politikë janë të ndarë në qëndrimet e tyre. Një pjesë janë shprehur se pas kësaj z. Thaçi duhet të japë menjëherë dorëheqjen, ndërsa të tjerë janë të mendimit se presidenti i Kosovës nuk ka arsye të heqë dorë nga posti. Gjithsesi, kjo dilemë e krijuar në opinionin publik pritet të sqarohet nga vetë Thaçi, gjatë komunikimit që pritet të mbajë sot në mbrëmje.

1 komente në “Djali i legjendës Fadil Vokrri, në mbrojtje të Thaçit: Të bashkohemi përtej dallimeve, po cenohet Kosova”

  1. Timi says:

    Po normal që duhet të bashkohemi. Nëse ka shkelur ndonjë ligj duhet ta dënojë shteti jonë dhe jo ndonjë gjyq në botë. Shqiptarët duhet ti zgjidhin vetë problemet. Nuk duhet të presim gjithmonë nga Europa e Amerika.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje