Shembja e mureve dhe ndërtimi i një ure, 30 vjet më pas!

2 Korrik 2020, 21:47Blog TEMA

Nga Alfred Peza

Përvjetori i 30-të i aktit historik të vrasjes masive të frikës nga shqiptarët, është përkujtuar nga shumëkush, si akti i parë i madh i lirisë pas 45 vitesh diktaturë komuniste. Për Shqipërinë, 2 korriku i vitit 1990 kur mijëra qytetarë pushtuan territoret e ambasadave të huaja në Tiranë, është po aq i rëndësishëm sa 9 nëntori i vitit 1989 për botën e lirë, që shënoi rrëzimin e Murit të Berlinit dhe fundin e Luftës së Ftohtë mes perëndimit kapitalist dhe Europës Lindore komuniste.

Pavarësisht distancës kohore, duket sikur disa nga ngjarjet e mëdha që pasuan atë të ambasadave për ta ndryshuar njëherë e përgjithmonë historinë e Shqipërisë, kanë ndodhur dje. Kanë qenë ditë, javë, muaj e vite të vrullshme ato, që sollën jo vetëm pluralizmin politik, por edhe lirinë e mendimit, pronës e më pas atë të lëvizjes. E kështu me radhë, deri në ditët e sotme, kur jemi dy shtete shqiptare në Ballkan dhe Shqipëria pas anëtarësimit në NATO, ka çelur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Pas tri dekadash nga “rrëzimi i murit shqiptar të Berlinit”, duket sikur mbetet ende aktuale një nga mesazhet më të fuqishme të asaj kohe të dhëna nga intelektualët shqiptarë, të cilët i paraprinë përmes shkrimeve dhe intervistave të tyre, zhvillimeve që ndodhën më pas në dhjetorin e 1990, me nisjen e lëvizjes studentore në Tiranë. Një nga shkrimet që ka bërë veçanërisht bujë, jehonat e të cilit vijojnë ende, është shkrimi i Profesor Ylli Popës, me titull: “Në kërkim të kohës së humbur”, si një refleksion me okelion “koha dhe intelektuali”.

Botuar në gazetën “Zëri I Popullit” më 29 prill 1990, vetëm 2 muaj e pak ditë përpara mësymjes nëpër ambasada, shkrimi më shumë sesa për titullin mbahet mend për një frazë gati të strukur në mes të tij: “Doktor te secili nga ne ka nga një mur që duhet shembur dhe një urë që duhet ndërtuar!”. Duke u bërë në këtë mënyrë, pa e kuptuar edhe aq qartë fillimisht, një nga simbolet më të mëdha referuese të shoqërisë shqiptare përgjatë erës së re të lirisë që nisi nga 2 korriku i 30 viteve më parë.

E ndërsa Europa sapo e kishte grisur dhe flakur tutje Perden e saj të Hekurt, përmes rrëzimit të murit që e ndau mespërmes pas Luftës së Dytë Botërore, shoqëria jonë kishte nevojë ulëritëse për të shembur muret e mëdha që koha, ideologjia dhe historia kishte arritur të lartësonte brenda vendit, për të ndërtuar në vend të tyre urat e mëdha të komunikimit e të bashkëpunimit me njëri- tjetrin.

Po çfarë ka ndodhur pas kësaj? A u rrëzuan të gjitha muret që ekzistonin mes nesh? A u rrëzun muret që na kishte imponuar regjimi komunist? A u rrëzuan muret që e kishin ndarë shoqërinë shqiptare, me të shkuarën e saj historike, të përpara 29 nëntorit 1944? A u rrëzuan muret e reja që u ndërtuan me “armiqtë” që regjimi prodhoi me shumicë për 45 vite me radhë? A u rrëzuan muret që e ndanin shoqërinë e pafajshme nga ata që bënë krime në emër të popullit?

Një gjë është e sigurtë, se pothuajse askush nuk u ndëshkua. Askush nuk u gjykua. Askush nuk u pendua. Askush nuk kërkoi falje.

Mirë muret që nuk u rrëzuan, por çfarë ndodhi me urat? A u ndërtuan ato? A u ndërtua një apo disa të tilla? A kanë nisur të ndërtohen, apo thjeshtë mbetën projekte në letër, apo në ëndrrat dhe dëshira e gjithësecilit? A jemi sot me të lidhur me njëri tjetrin përmes urave, më shumë se 30 vjet më parë? A janë ndërtuar urat e reja që do të na lejonin jo vetëm të kalonim por edhe të bashkonim mendimet tona të kundërta? Gjykimet tona të ndryshme? Argumentat tona aspak të njëjta? Bindjet tona jo edhe aq të ngjashme? Vlerësimet tona larg njëra tjetrës?

Një gjë është e sigurtë, se pas 30 vjetësh shumë mure janë rrëzuar. Shumë ura janë ndërtuar. Shumë gjëra kanë ndryshuar. Por ende shumë e më shumë mbetet për tu bërë, për të arritur që të prekim ëndrrën e asaj periudhe që nuk ishte as më pak e as më shumë, por thjeshtë: Ta bëjmë Shqipërinë, si gjithë Europa!

Ironia është se të njëjtët që e shpërdoruan politikisht atë ëndërr dhe atë shpresë mbarëpopullore, vazhdojnë ta bëjnë edhe sot, sikur të mos ketë ndodhur asgjë. A thua se nuk kanë kaluar 30 vjet? A thua se nuk kanë qenë gjysmën e kësaj periudhe në pushtet!

Megjithatë një gjë është e sigurtë. Shqipëria e 2020, nuk është më Shqipëria e 1990. As 2 korriku i sotëm, nuk është më 2 korriku i tri dekadave më parë. Sepse edhe shqiptarët, nuk janë më të njëjtët, në çdo aspekt. Sepse mbi të gjitha, të paktën ia kanë dalë që të shembin muret brenda vetes dhe të ndërtojnë urën e tyre për të ardhmen!

6 komente në “Shembja e mureve dhe ndërtimi i një ure, 30 vjet më pas!”

  1. Gon.al says:

    Shume te verteta ne nje shkrim…
    Bravo

  2. Ambasada says:

    Puna eshte se vazhdojm te jemi po me kok nga ambasadat po mir e ke ti…

  3. emigranti says:

    ah shqiptaret shpetuan nga shiu rane ne bresher

  4. h says:

    Una jam njëri nga ata,por protestoj formalisht që një servil i korruptuar (1miljonëshi)
    të përmëndë dhe përgojojë vuajtjen,kundërshtimin ndaj regjimit,revoltën e sinqertë të gjithë
    atyre që treguan se dinjitetin nën diktaturë dhe varfëri nuk e kishim humbur ,siç e keni humbur ju
    oportunisti i sotëm,shërbëtor i djeshëm.
    Rroftë dinjiteti i revoltuesve të djeshëm.Poshtë korrupsioni i hajdutëve korruptuar të sotëm.

  5. fierza says:

    z.Peza dhe sot pas 30 vjetesh nuk kemi as liri,as prone as siguri as levizje te lire per te ardhmen
    sistemi vetem u riciklua iken komunistat e vjeter dhe erdhen komunistat e rinje, nuk e kuptoj si mund te quhet demokraci kjo ku ne krye PD per 30 vjet udheheq sekretari partis punes Salih Berisha nese thua kemi demokraci po tall loqe me ne.

  6. Cifuti x says:

    Ec mer se ne ja kem kalu Jurops dhe po konkurrojm amerikn tash.
    Jem rrot m rrot.
    A se shef se ça autoriteti kem n perndim n bisnesin e drogs a ?
    Se n Lindje s na e ma suma se atje ka Çeço bixhak.
    Po per kurva a s kem bo hapa epokale?
    Nga katnare ne punonjse seksi.
    Nga shpellbanues n politiks..
    Nga maja malit n nju jork t fushs..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje