Bizneset në Velipojë i ankohen liderit të PD, Basha hap "thesin": Do paguani vetëm një taksë (dhe 'makineria' e shtetit do punojë vetë me "ujë")

3 Korrik 2020, 14:44Politika TEMA

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u ndal sot për një vizitë në Velipojë, ku u takua nga afër me përfaqësues të biznesit por dhe me qytetarë të thjeshtë. Këta të fundit iu ankuan Bashës për situatën me të cilën po përballen për shkak të pandemisë.

“Në krahasim me vitet e tjera, 50 përqind e xhiros është deri tani. Është dobët, nuk ka turistë. Këtu puna varet te turistët”,- u shpreh Pal Preka, pronari i një ushqimoreje në Velipojë.

Kreu i opozitës tha se çështja e turizmit, heqja e pengesave për të të do të jetë një nga temat kryesore në takimin e pritshëm me kryeministrin e Kosovës, Abdullah Hoti.

“Natyrisht, pengesat më të mëdha janë në këtë anë, po, në çdo rast, të bëjmë të mundur që qytetarët nga Kosova ta kenë sa më të lehtë për të ardhur në plazhet e Shqipërisë.”- tha zoti Basha, i cili theksoi 2 të këqijat më të mëdha për turizmin tani, përveç frikës nga koronavirusi.

“Ka viruse të tjera që duhen larguar. Për të udhëtuar nga Kosova në Shqipëri ka dy pengesa të mëdha, çmimi i naftës që është më i lartë se në Kosovë dhe taksa e Rrugës së Kombit. Këto janë dy çështjet që sot, ndoshta, nuk zgjidhen dot, po nesër, në qeverisjen tonë do të zgjidhen. 240 lekë taksa që është vendosur mbi karburantin gjatë këtyre 7 viteve do të hiqet dhe taksa e Rrugës së Kombit do të hiqet, siç e kam premtuar.

Kjo, pa diskutim, që do ta ulë dhe koston për turistët nga Kosova, do të bëjë të mundur që më shumë qytetarë të Kosovës t’i drejtohen bukurive të plazheve të Velipojës, plazheve të Shëngjinit dhe plazheve të tjera të Shqipërisë, në Sarandë, Dhermi e kudo.”- tha Basha.

Mes të tjerash kryedemokrati njohu bizneset me programin e PD për t’i lehtësuar ata nga taksat. “Në planin tonë ekonomik, 140 milionë lekë të vjetra e poshtë do të jenë të gjithë biznes i vogël. Dhe biznesi i vogël do të paguajë vetëm 1 taksë, vetëm 1 detyrim, 0.5% të xhiros.

Do të thotë as taksë tabele, as taksë gjelbërimi, as taksë pastrimi, 0.5% e xhiros do të jetë tatimi i vetëm që do të paguajë biznesi i vogël. Këto para natyrisht do t’i shkojnë pushtetit vendor. Ndihma ndaj sipërmarrjes, ndihma ndaj biznesit të vogël është dhe ndihmë ndaj punësimit, është ndihmë ndaj mirëqenies, ndihmë ndaj konsumit.”- u shpreh ai.

Kreu i opozitës vizitoi edhe zonën e shkatërruar nga fadromat pak ditë më parë, kryesisht biznese të vogla që punonin në kohën e sezonit turistik. Qytetarët u shprehen të revoltuar për trajtimin diskriminues nga qeveria, ndërsa nuk i ndalën sulmet për kryeministrin Edi Rama. “Na mbyti mor, Enver iku, Enver erdhi.”- u shpreh një qytetar, të cilit Basha iu përgjigj “Nuk kemi për ta lënë. Do të bëhemi bashkë e do ta ndryshojmë.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje