KPA largon përfundimisht nga sistemi i drejtësisë Petrit Çenon

10 Korrik 2020, 17:10Kronika TEMA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të enjten të lërë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin e gjyqtarit të Apelit të Durrësit, Petrit Çeno për mosdeklarime dhe deklarime të rreme.

Në shkurt të vitit 2019, KPK vendosi të shkarkojë nga detyra pasi u konstatuar një sërë problemesh për kriterin e deklarimit të pasurisë.

Sipas Komisionit, veç mungesës së të ardhurave të ligjshme për të justifikuar pasurinë, Çeno kishte fshehur të ardhurat vjetore dhe pjesëmarrjen e të birit si aksioner në 5 kompani.

KPK gjeti probleme edhe në blerjen e një apartamenti 98 m2 dhe një garazhi 22 m2, shitjen e një apartamenti në Durrës dhe blerjen e një apartamenti tjetër në Golem. Komisioni e akuzon subjektin për një sërë fshehjesh të pasurisë, përfshi vlerën e një apartamenti 144 m2 të blerë nga bashkëshortja, ndërsa shprehet se Çeno  kishte mashtruar bankën për një kredi të cilës i ishte ndryshuar destinacioni.

Në njoftimin e KPA thuhet se trupi gjykues, i përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Natasha Mulaj relatore dhe Albana Shtylla, Ardian Hajdari e Ina Rama anëtarë shqyrtuan në dhomë këshillimi ankimin e Çenos dhe vendosën ta rrëzojnë atë duke e larguar përfundimisht nga sistemi i drejtësisë.

Çeno është në të njëjtën kohë në pritje të apelit, pasi u dënuar nga ish-Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda për korrupsion së bashku me dy kolegë.

Tre gjyqtarët e Apelit të Durrësit, Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno u shpallën fajtorë më 29 tetor 2019 dhe u dënuan nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda me nga 2 vjet burg secili për veprën penale të korrupsionit, ndërkohë që biznesmeni Namik Sadik, i akuzuar se u ka paguar atyre udhëtimin në Madrid, u dënua me një vit burg.

Tre gjyqtarët akuzohen se kanë ndërmarrë një udhëtim në Spanjë në tetor 2014 në shoqërinë e biznesmenit Namik Sadik, pronari i një kompleksi turistik në Durrës dhe se udhëtimi është paguar prej tij. Ky udhëtim përfshinte ndjekjen e ndeshjes së futbollit midis Real Madrid dhe Barcelonës, i njohur si derbi “El Classico”.

Përveç dënimit me burg, gjykata vendosi t’u heqë tre gjyqtarëve të drejtën për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare. Të pandehurit përfituan ulje me 1/3 e dënimit për shkak të pranimit të gjykimit të shkurtuar.

1 komente në “KPA largon përfundimisht nga sistemi i drejtësisë Petrit Çenon”

  1. Agim Rinushi says:

    Ky Kolegji i Posacem i Apelimit eshte formalisht. Ky deri tani nuk ka bere asnje hetim me fakte e argumente, por ka lene ne fuqi te gjitha vendimete e KPK, duke i mbyllur me dhome keshillimi. Si ka mundesi qw asnje i shkarkuar nga KPK dhe qe ka apeluar prane Kolegjit te posacem nuk ka fituar????? Si e marrin rrogen kot keta anetare te komisionit, duke nxjerre jasht sistemit edhe prokurore e gjyqtare te ndershem. Secili te ballafaqohet me faktete dhe jo te digjet per hir te reformes qe do bota……..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje