Profesor Ulvi Vehbiu “Frojdi” i Psikiatrisë Shqiptare

15 Korrik 2020, 18:02Dossier TEMA
Profesor Ulvi Vehbiu “Frojdi” i Psikiatrisë Shqiptare

Nga prof. Dr. Lluka Heqimi

Në oborrin e madh të Pavionit 17, kur hynin të ndrojtur studentët e vitit të pestë të Fakultetit të Mjekësisë, ndjehesh në një botë tjetër, e cila ngjante ndryshe nga ajo që jetonin. Njerëz të shpërndarë kudo, të sëmurë, pa afrimitet dhe pa miqësi recitonin në heshtjen e shpirtit të mbetur, mendjen e tyre të braktisur. Ishin gati të gjithë në një pritje që edhe ata vetë nuk mund ta kuptonin, por e dinin se do t’u vinte nga ajo derë e vetme, nga ku hynin e dilnin të gjithë. Kësaj herë u fliste instikti, si një sinjalistikë e vërtetë pritshmërie që ishte ruajtur gjatë natës, pavarësisht turbullimeve të gjumit të lënduar. Vetëm vatra e kësaj kujtese nuk flinte kurrë. Në këtë rast mendja e tyre e hallakatur punonte mjaftueshëm vetëm në një pikë, ashtu si zilja e një ore me alarm. Çuditërisht e përmblidhnin trurin shpejt kur në oborr shfaqej ai që prisnin. Ata mblidheshin bashkë, e rrethonin dhe njeriu-shpresë i takonte, ndalej pak, u jepte të gjithëve një mesazh të shkurtër. Vetëm pas këtij takimi, të sëmurët shpërndaheshin ose uleshin duke u mbështetur në muret e lartë të atij spitali që i ngjante një burgu, ndërsa përthyenin këmbët pranë gjoksit, duke u lidhur gati dy herë me duart e tyre të tejzgjatura. Tani kishte ardhur koha e dashurisë me trupin e tyre, i kish hyrë një frymë brenda shpirtit, i vetmi që nuk i kishte tradhëtuar e që deri diku kish mundur të rrëmbejë funksionin e pjesës së sëmurë. Këtu ishin buronjat e shpresës, thellë në zemër, në selinë e shpirtit. Atyre u kishte ardhur drita, ai u shfaqej në ëndrrat e natës, sepse ishte ky momenti kur ata ndjeheshin të çliruar nga një peshë që edhe për pak do t’i kishte zënë përfund.

Eh sa e rëndë ishte barra e sëmundjes që për ata nuk kishte as formë, as përmbajtje dhe as emërtim! Vetëm në këtë lëngatë, fëmija dhe i riu kërkonin të ishin të rritur dhe të rriturit silleshin si fëmijë. Ritmi biologjik e kishte kryer lëvizjen drejt fundit të ciklit.
Njeriu që erdhi nuk kishte mimikë apo gjestikulime që mund të lëndonin dikë, apo ata të sëmurë, të cilëve një lëvizje u dukej tjetërsoj. Trupi dhe shprehjet e fytyrës së këtij njeriu ishin njësoj si rrobat e tij, të ngrira në paraqitje dhe që reflektoheshin në çdo hap, mbi këpucët e llustruara si prej xhami. Ai lëvizte si hija e një flakërime dhe ata e ndiqnin me sy, derisa zhdukej në një derë tjetër. Kishin marrë nga ky i sapoardhur, për ta kaq i rëndësishëm, mjekimin e thjeshtë, të parin e ditës, fjalën e tij. Ata kishin mbajtur rradhën e takimit ndërsa pas këtij ishin gati ta nisnim ditën e mbushur tashmë me dritë. Nata do të kthehej, por ajo u dukej e largët. Njeriu-Shpresë ishte mjeku i tyre dhe quhej Ulvi Vehbiu. Ai, po ashtu ishte dhe mësuesi që ne studentët, po prisnim.
Ne, po e shikonim nga një dritare salle të improvizuar për studentët me karrige dhe tavolina, të shpërndarë shkujdesur, ngjashëm siç ishte në oborr. Kur ai hynte, ne të impresionuar ndjeheshim njëlloj si të gjithë banorët e këtij spitali të çuditshëm. Fjalët që dilni nga goja e mësuesit tonë nuk ngjisnin me asnjë pedagog tjetër dhe ne i prisnim me kureshtje dhe habi.
Fjala vinte me ngarkesën që mbarte ambjenti i semurë, me shqetësimet e të gjithë atyre që e kishin takuar para pak kohe. Ulvi Vehbiu na nguliti në trurin tonë të njomë, kur ishim vetëm 22-vjeçarë, mësimin e madh të psikiatrisë klinike, se asnjë vdekje nuk vjen plotësisht nga pushimi i punës së zemrës. Njeriu vdes perfundimisht kur vdes truri i tij dhe se sëmundja e këtij organi ngjet me ngatërrimin e disa fijeve te funksionit psiqik, që e shndërronin një njeri me reputacion, në një njeri hedhurinë.

Lindja, studimet dhe fillimi i nje pune te veshtire

Studenti Ulvi Vehbiu, Stema dhe Instituti i parë i Mjekësisë në Moskë “ I.M.Secenov” themeluar ne vitin 1758
Ulvi Vehbiu u lind në një nga qytetet më të veçantë dhe më interesantë të Shqipërisë në Gjirokastër, më 31 maj të vitit 1931. Ishte nxënës në shkollën “Drita” dhe gjimnazist në shkollën “Asim Zeneli”, maturant me medalje ari. Në Institutin e parë të Mjekësisë në Moskë, kur përfundoi Mjeksësinë me diplomën e ekselencës, medaljen e artë në vitin 1956 ai ndoshta ka qenë studenti më i dallueshëm i huaj i të gjitha viteve. Kishte lindur të ishte deri në fund të jetës i shkëlqyer. Në këtë institucion kishte mësuar I.M.Secenovi neurofiziologu i famshëm, babai i fiziologjisë ruse, emrin e të cilit mbante Instituti, Sergei Korsakov, Vladimir Serbski, Pioter Ganushkin, psikiatër të famshëm, po ashtu kirurgu më i shpejt i botës, N.Pirogov dhe mjeku shkrimtar i famshëm, A.Çehov. Motoja e këtij instituti ishte “Primus inter pares”. Mjekësinë e kuptoi nga fillimi deri në fund si neuropsikiatri. Edhe specializimin në këtë fushë e fitoi me zotësi, i udhehequr nga dashuria e veçantë për këtë degë të mjekësisë. I pëlqeu shkenca më e vështirë e mjekësisë së sotme, e të athershme. Këtë Ulvi Vehbiu e kuptoi që në kohën studentore, që ky profil i mjekësisë do të ishte gjithmonë më problematiku. Por siç thuhet vetë Zoti, më të vështirën ia ruan njerëzve të zgjedhur. Ra në sy që prej fillimit të studimeve, madje edhe përmes shkrimeve mjekësore që nisi të botojë, aq shumë sa një gazetë ruse madje nga më kryesoret, “Pravda” shkruajti për të në mënyrën paksa habitore por duke zgjedhur fjalët më të mira. Nga mungesa e mjekëve psikiatër, Ministra e Shendetësisë e caktoi me punë në spitalin psikiatrik, i klasifikuar deri në ato kohë si tabani i dheshëm i Mjekësisë tonë. Ulvi Vehbiu u ndesh me një ambient të egër, pa asnjë kusht, pa njerëzit dhe personelin e përgatitur në këtë sektor specific. Specializimi më i zakonshëm I njerëzve këtu ishte mjeshtria për të lidhur të sëmurët e për të injektuar qetësuesin e fortë. Mjeku i ri 25-vjeçar me gjithë inteligjencën dhe përvojën studentore dhe specializimin në Rusi kishte po të njëjtin mendësi të përgjithshme për këta të sëmurë që trashëgojnë një sëmundje dhe kjo ishte vula më e rëndë që u kishte rënë për të keq. Mjekimet ishin të pakët dhe pa efikasitet, ndërsa shpresa e tyre për jetën ishte njësoj si dora e shtrirë e lypsëve, që kërkonin mëshirë në rrugë. Ëndrra e të riut ishte e thjeshtë, që klinika e psikiatrisë të kthehej si të gjithë motrat e saja të spitalit dhe mbi të gjitha, të kuptohej nga të gjithë se i sëmuri psiqik ishte njësoj si ai që vuante nga zemra, veshkat apo reumatizma. Nuk është e thjeshtë të gjesh një mjek që nga fillimit e punës mjekësore, një shkencëtar të vërtetë, një studiues të përkryer, një botues prodhimtar, mjeshtër i punëve klinike dhe mbi të gjitha novator. Historia e psikiatrisë shqiptare që fillon me Miti Vokopolën dhe gjurmët e arta të një grupi mjekësh psikiatër, ku shkëlqejnë mes të gjithëve profesorët; Xhavit Gjata, Hiqmet Dibra, Ulvi Vebiu, Bajram Preza, Nestor Polimerit. Prej kohëve, kur mjekët dinin shumë dhe bënin pak dhe sot kur ata dinë edhe më shumë dhe bëjnë më shumë kanë kaluar vite ngjarjesh, të cilët do të reflektonin në trajtimin e të sëmurëve psiqik duke kaluar nga metodat e lidhjes me hekura, goditjet, izolimet, insulinoterapia komatoze, gjendja e shokut, piroterapia, somnoterapia, malarja, furunkula, karbunkula apo elektroshoku, në mjekime më të arrira si dhe me farmakopenë modernë të klorpromazinës, haloperidolit dhe imipraninës etj. Këto zhvillime, brenda të cilave ai kishte kontributin e tij e bënë profesorin tonë të shprehet sinqerisht thuajse në fund të jetës: “Sikur të kisha dhe një jetë, do t’ia kushtojë tërësisht psikiatrisë”. Atij I qau syri për të pasur një laborator diagnostikues për mjekimin dhe parandalimin e ndërlikimeve të psikozave manjakale apo efikasitetin e neuroleptikëve, provat frenuese me dexametazon, prolaktineminë që arriti t’i shikojë e ti ndiejë së fundmi.

Ulvi Vehbiu mentori i fatit të njerëzve nën akuzë

Është lënë disi në heshtje ose përmendur rrallë për arsye edhe lufrash politike puna e dr. Ulvi Vehbiut me të sëmurët mendorë nën akuzë, që gjykoheshin apo simulonin të ishin të tillë. Në këtë drejtim konkluzionet e tij thuajse nuk kanë gabuar kurrë. Prej fillimit ai pikaste të sëmurët psiqik dhe ishte një seleksionues i atyre që pranonin më mirë të ishin të sëmurë mendore sesa të dënoheshin me burgim. Mjeku ndante egjrin nga gruri me një delikatesë intelektuale. Nuk mund të kishte ky profesion i veçantë, një mjek psikiatër, një burrë aq fisnik, gojëkyçur dhe fjalëpak sa Ulvi Vehbiu. “Honesty ëas the best policy”, ishte kjo një traditë e cila vinte nga familja, rregullat e një qyteti të ndershëm e të pastër si Gjirokastra, që duheshin respektuar në shoqëri si dhe nga edukimi i mëvonshem, që çdokush mund te merrte ne jetë. As familja, gruaja, fëmijët dhe as shokët, asnjeri nuk mori vesh se kush ishin këta të sëmurë që liroheshin nga burgjet, mbaheshin në burgje ose merreshin publikisht si të sëmurë psiqik, duke abuzuar në heshtjen e komunikimit të tij. Fjalët brilante me të cilat ai zgjodhi t’u përgjigjej kuriozëve që kërkonin të dinin diçka mbi sekretet e tij ishte; “çdokush që nuk sillet mirë në shoqëri është shumë afër një të sëmuri psiqik. Ky njeri duhet të kurohet dhe kurrë nuk duhet t’a drejtojë shoqërinë njerëzore. Bota ka pasur shumë udhëheqës me probleme mendore dhe në këtë drejtim nuk mund të bëjë përjashtim edhe Shqipëria”. Ardianit, të birit i është dashur përmes një artikulli të sqarojë shumë njerëz të cilët politikisht kanë dashur të lëshojnë akuza mbi shëndetin mendor të ndonjë personaliteti. Në këtë rast, i biri thotë atë që është e vërtetë. I ati këto histori “konspirative” i ka marrë me vete, sepse ishte i mbyllur krejtësisht si një pus i thellë. Duke njohur natyrën e këtij njeriu mjaft konseguent dhe të ndershëm edhe ne sot mund të themi me bindje të plotë, se mjeku ka dhënë gjithmonë dhe pa frikë diagnoza të përcaktuara mirë. Këtë mision, profesori Vehbiu e ka kryer si askush tjetër.

Pasioni i një psikiatri për artin, kulturën, librat dhe mësimdhënien.

Ulvi Vehbiu që në vitet e para e deri sa perfundoi specialitetin e psikiatrit ishte kokëulur. Mendja e tij e ndritur e kishte marrë shkëlqimin e duhur nga trashëgimia, librat që kishte lexuar me vëmendje dhe përqendrim, nga teatrot, baletet dhe operat e një vendi që i kishte ngritur në piedestalin më të lartë ato. Perandoria ruse me Pjetrin e Madh, Ekaterinën, hapja e Akademisë së Shkencave në vitin 1725 dhe zhvillimet e mëvonshme e kishin apasionuar të riun shqiptar gjatë studimeve. Gjatë leksioneve, ai na kishte treguar historinë me një hebreu rus. Një ditë ai po lexonte për provim, por lapsin e shënimneve e kishte lënë anash librit. Ulvi hyri në dhomën e tij dhe me shaka i tha shokut se që të marrësh notën më të lartë, lapsin vendose në mes të librit. Hebreu e hoqi nga vendi ku e vendosi shoku dhe iu përgjigj se do të marrë notën më të mirë edhe kështu. Ulviu doli nga dhoma, por u rikthye sikur të kishte harruar diçka. Hapi derën dhe pa se lapsi ishte vendosur në mesin e librit. Më kujtohet kur thoshte: “Ne njerëzit besojmë shumë në një tjegull të vendosur në muze, pranë të cilës thuhet se është gjetur mijëra vjet më parë, ndërsa nuk i besojmë kur dalim jashtë, një letre të shkruar mbi një tavolinë të ngjyrosur; mos e prek, është e sapolyer. Të gjithë do të priremi të provojmë nëse boja është tharë. Përmes këtyre shembujve sa normalë aq të çuditshëm, ai shpjegonte sa komplekse është sjellja e njeriut. Profesor Vehbiu ka botuar më shumë se të gjithë, libra dhe artikuj problematikë mbi psikiatrinë. Ai ka shënuar një rekord, krahasuar me të gjithë shkencëtarët shqiptarë duke lënë rreth 200 punime shkencore. Ai ishte pasionant i botimit dhe me një vullnet dhe talent të pagabueshëm drejtoi cilësisht si kryeredaktor, revistën “Buletini i Shkencave Mjekësore”. Profesor Ulvi Vehbiu nuk i la studentët të lodhnin duart e tyre në leksione, siç ndodhi në vitet tona të studimit, por ndryshe nga shumë katedra të tjera, ai shpejt u kujdes që ata të kishin dispencën për të mësuar mirë shkencën e sëmundjeve mendore. Ajo që konsiderohet një kontribut i vyer është teksti i parë për mjekët që do të specializoheshin në psikiatri.

Unë, studenti i dr. Ulvi Vebiut

Nga leksionet e marra dhe veçanërisht nga praktikat, të gjithë studentët e vitit të 5-të i atribuonin vetes sëmundje psiqike, ndoshta edhe të ndikuar nga ambientet e Pavionit 17-të dhe lëndës që na jepej me kaq pasion. Unë kam pasur fatin e mirë të dëgjoja disa leksione dhe nuk ishin pak praktikat me mjeshtërin e psikiatrisë. Profesor Ulvi Vehbiu jo rrallëherë na thoshte:
“Ne të gjithë kemi shenja të sëmurëve psiqik. Nëse ti ke apendisit, kirurgu ta heq atë dhe t’i bie rehat njëherë e mirë. A mund të hiqet truri i semurë, që të shpëtojmë prej tij? Kjo nuk mund të bëhet. Oh çfarë ka truri! E rëndësishme për ne, madje edhe për trurin tonë është ta kurojmë dhe të kujdesemi. Truri duhet të mbahet i shëndetshëm, të stërvitet me lexime dhe të mjekohet. Sa I takon asaj që juve dukeni si të sëmurë psiqik kur dilni nga praktikat tona, parametri kryesor matës është sjellja sociale. Një njeri që sillet mirë dhe në mënyrë sociale nuk është i sëmuri ynë.

I nxitur nga një shkrim i profesor Vehbiut, nisa të përdor stërvitjen autogene, një terapi relaksuese për sportistët profesionistë. Shembujt bindës që jepeshin me lëngështimin në gojë vetëm duke e përfytyruar limonin, apo me rritjen e temperaturës deri në 40 gradë në njerin krah, kur imagjinojmë vendosjen e tij në ujë të nxehtë, më shtynë ta aplikoj këtë stërvitje të mendjes për futbollistët e ekipit përfaqësueses së futbollit të Shqipërisë. Gjithmonë i kujtoja nga I kisha marrë këto mësime. Ishte besimi I krijuar prej kohës kur isha student dhe dëgjesat e vazhdueshme dhe të “habitshme” për mësuesin tim.

Prof. Ulvi Vehbiu punonte në klinikën orthodokse në Tiranë. Ishte kthyer nga emigracioni. Një telefon i çuditshëm një paradite më solli me zë profesorin tim.

– Jam Ulvi Vehbiu. Dr. Lluka! Si jeni? Kisha dëshirë të më vizitoni!
– Çfarë këni professor? Ja erdha. Për 30 minuta jam aty!
U nisa në klinikën ortodokse dhe me një ndrotje tërësisht të justifikueshme, vizitova mësuesin tim. Pasi përfundova, shikimi ngulmues i një psikiatri më paralizoi. Dyshimet e tij ishin të pranishme, jo nga shenjat e sëmundjes, sepse ato ende nuk kishin marrë formë dalluese, por si pasojë e moshës, shtoheshin. E mendova edhe unë diagnozën, por pa I rënë në sy. Ishte fillimi, por do të kisha pasur dëshirë ta kuroja unë, ta shpëtoja nga ajo ngarkesë e madhe që do të zhvillohej më vonë. Nuk ishte fat. E keqja ishte shfaqur si fibromialgji. Shkova në shtëpi, dhe mbështetur mbi cfarë pashë i sugjerova një mjekim. Koha tregoi më pas se kishim të bënim, me një sëmundje të rëndë dhe të pakurueshme. Tani që profesori im nuk është më, më duket ky moment si një mundësi për t’u afruar në ato çaste tejet të vështira të jetës së tij. Do të kisha larë të gjithë borxhet e një nxënësi ndaj mësuesit, nëse do ta kisha shpëtuar.

Kjo është fotoja që unë kam stampuar në mendjen time për profesorin. Ai është I qeshur dhe I dashur. Rrallë qeshte si në këtë foto, por kur ishte kështu dukej jashtë profesionit si në një ditë pikniku, ku hallet hidhen në brigjet e një lumi, deti ose në thellësinë e një pylli. Tani që po ndahem nga shkrimi, me ngjau kjo histori e përafërt me diçka që do të ngelet si hiri i mësuesit. Kështu u kthye arkëmorti I tij nga emigrimi. Kohët që shkojnë mbartin harresën, por nëse ato nuk mbartin emra ushtarësh, kujtojnë udhëheqësit e tyre në shekuj të shekujve. Mjekësia shqiptare nuk do të përmendë të gjithë punëtorët e saj, ndoshta edhe të mirët, por nuk do t’i harrojë kurrë shkencëtarët, novatorët, ata që e ndoqën dhe zhvilluan shkencën specifike në të mirë të njerëzve. Janë këta njerëz që triumfuan mbi besytnitë dhe syrin e keq, magjinë apo nuskat në emër të shërimit me një besim të çartun. Kësisoj, asgjë nuk do të zhduket nga kjo botë, dicka do të mbetet e përjetshme ndoshta edhe si pluhur, kur kujton se brenda tij në strukturën zanafille të ekzistencës jetësore qëndrojnë mineralet e një mendjeje të ndritur, si ajo e Ulvi Vehbiut. Pas 12 vjetësh qëndrimi në Shtetet e Bashkuara ndërron jetë dhe lë amanetin, të digjet dhe hiri t’I kthehet në Shqipëri. Sot, hiri I tij qëndron në tokën shqiptare dhe një pjesë e vogël në një vazo porcelani e zgjedhur enkas që ruhet nga e shoqja, e cila hera-herës ia hedh sytë, ku ndodhet i ndrydhur, i pafjalë ai, njeriu i dashur, si në botën e vet të gjallmënisë. Kur shkenca të ketë një zhvillim akoma me të madh, jam i bindur si në fillimet e krijimit të jetës, të formohet nga ky pluhur po ai që fjeti kaq kohë. Këta njerez i bëjnë nder kombit që i ka dhe asnje president kushdo qoftë, për arsye pa arsye, ndan në mënyrë ceremoniale tituj në emër të kombit për t’i bërë ndonjë të mirë njeriut në mënyrë abuzive. Kështu spërkasim me baltë kombin dhe përkrahja e një të ligu ka vënë në rrezik një të mirë.

 

7 komente në “Profesor Ulvi Vehbiu “Frojdi” i Psikiatrisë Shqiptare”

  1. Albert says:

    NJe shkrim qe te ben nder, doktor Lluka Heqimi, per profesorin tuaj dhe nje nder figurat me te spikatura te mjekesise shqiptare, profesor Ylvi Vehbiun. Mbi te tjerat, nga ky shkrim mesoj se ju, Lluka, keni aftesi ti parashtroni shume bukur impresionet tuaja, aq sa po te mos beheshit nje mjek i degjuar, do te ishit pa dyshim nje letrar i mire.

  2. kondi says:

    Faleminderit Doktor Lluka per kete shkrim dinjitoz e qe na mbush me emocione pozitive per korifejte e mjekesisie shqiptare.
    MODEL I FISNIKERISE SHQIPTARE .

  3. pirro says:

    Pedagog dhe psikiater i shkelqyer
    U prehte ne paqe.

  4. Vajza ë një pacienti says:

    Faleminderit Dr. Lluka Heqimi për këtë shkrim kaq të ndjerë për nje mjek fisnik, tepër të aftë profesionalisht, mjaft i ngrohtë me pacientët dhe të afërmit ë tyre. Doktor Ylvi Vehbiu ishte një njeri i mrekullueshëm, shkencëtar dhe mjaft dinjitoz. Figura e tij i bën një nder kombit tonë dhe duhet vlerësuar dhe respektuar si një medaljon i artë në fushën e mjeksisë psiqiatrike.

  5. Outspoken says:

    Kurse tani e gjithe Shqiperia eshte si pavioni 17
    Ose si nje Hale alla turke

  6. Gentian Caco says:

    Leksionet dhe praktikat me te bukura te vitit te pare ishin ato te Prof. Ulvi Vehbiut qe neve atehete 18 vjecare qe enderronim te beheshim mjeke, na jepte Psikologjine klinike.
    Salla e auditorit te pediatrise, ku zhvillonim leksionet, ishte plot por asgje veç zerit te tij nuk degjohej. Kumbues por i qete, na shpjegonte dhe natyrisht leksionet mbi psikoanalizen e Frojdit ishin me interesantet.
    Pedagogu me i kendshem e nje nder me fisniket qe kam patur fatin te njoh.
    Respekt.

  7. Vigjilenca Demiraj says:

    U emocionova shume nga ky shkrim sa i ndjere aq edhe vleresues per Prof. e Madh dhe te paharuar Ylvi Vehbiu.Nje njeri qe te impononte respekt dhe miresjellje me bagazhin e tij intelektual dhe profesional!Gjithmon do te kujtohet ne plejaden e mjekeve ekselent te Mjekesis Shqiptare!R.I.P.??????

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje