Zbulohet identiteti dhe shkaku i vdekjes së “mumjes që ulërin”, e zbuluar në 1881 në Deir el-Bahari, afër Luksorit, në Luginën e Mbretërve. Ajo është një princeshë egjiptiane që ka jetuar rreth 3 500 vjet më parë dhe është balsamosur me gojën e hapur dhe trupin e shtrembëruar nga dhimbja e shkaktuar nga një atak në zemër.
Zgjidhja ekëtij misteri është meritë e arkeologut të famshëm Zahi Hawass, ish-sekretari i përgjithshëm i Këshillit Suprem të Antikiteteve të Egjiptit, dhe Sahar Saleem, profesor i radiologjisë në Universitetin e Kajros, të cilët u kanë dhënë fund dhjetëra teorive, shumë të çuditshme, të lindura rreth kësaj kufome.
Të dy ekspertët skanuan mumjen me aparatura të sofistikuara diagnostikuese, rreze X dhe skaner, duke zbuluar identitetin e saj të mundshëm. Hawass beson se ajo është një princeshë e quajtur Meret Amun, bijë e faraonit Seqenenra Tao (mbreti i dinastisë së shtatëmbëdhjetë), e cila mori fronin midis vitit 1560 para Krishtit dhe 1558 para Krishtit.
Studiuesit tani do të përdorin testin e ADN-së për të konfirmuar gjenealogjinë e saj.
Hawass dhe Saleem dyshojnë se princesha ka pësuar një atak në zemër, që i shkaktoi vdekjen e menjëhershme, siç dëshmohet nga pozicioni me këmbët e kryqëzuara dhe të përkulura dhe goja që i ka mbetur hapur. Ekipi i specialistëve zbuloi se ateroskleroza e rëndë, një sëmundje degjenerative koronare e arteries, ka qenë shkaku i atakut të papritur. Hawass shpjegoi se procesi i kujdesshëm i balsamosjes që kryenin egjiptianët e lashtë përfshinte ruajtjen e pozicionit që kishte i ndjeri në momentin e vdekjes.
Për këtë arsye, balsamosësit nuk i ndryshuan asgjë trupit.
Asaj i janë hequr organet e brendshme dhe në vend të tyre është futur rezinë dhe lëndë aromatike. Mumja është mbështjellë me lino të bardhë, ndërsa truri nuk është hequr. Pikërisht kjo pjesë, tashmë plotësisht e tharë, u ka shërbyer studiuesve të përcaktojnë se cilës dinasti i përkiste ajo.
Princesha Meret Amun është gjetur në kompleksin e varrimit të Deir el-Bahari pranë mumjes së një burri. Studimet e kryera në vitin 2012, duke përdorur gjithashtu skanime CT dhe teste të ADN-së, kanë treguar se ai ishte djali i Faraonit Ramses III, i quajtur Pentawere. I përfshirë në vrasjen e babait të tij, ai më pas u vetëvar.
Wow