A ishte vërtet perandori Neron, ai që i vuri zjarrin Romës?

25 Korrik 2020, 20:45Dossier TEMA

Natën e 18 korrikut të vitit 64, një zjarr i madh përfshiu Romën, duke e shkatërruar rëndë qytetin për më shumë se 6 ditë. Ai do të mbetej në histori si Zjarri i Madh i Romës, dhe legjenda thotë se perandori Neron, jo popullor tek masat “nisi të këndonte”, ndërsa qyteti po digjej.

Por a ishte vërtet Neroni shkaktar i atij zjarri? A ka ndonjë të vërtetë në këtë histori? Pikëmja tradicionale, thotë se Neroni fajësoi për zjarrin të krishterët, duke nisur kësisoj 3 shekujt e persekutimit romak ndaj tyre.

Asnjë burim parësor mbi zjarrin, nuk ka mbijetuar deri në ditët e sotme. Përkundrazi, ne mbështetemi në rrëfimet dytësore nga historianët romakë Taciti, Suetoni dhe Dion Kasi. Taciti, burimi ynë kryesor i lashtë mbi këtë temë, e dokumentoi rrëfimin e tij rreth 60 vite pas ngjarjes, ashtu si Suetoni.

Ndërkohë Dion Kasi, shkroi mbi të 100 vjet më vonë. Rrefimet e tyre, ndryshojnë në mënyra të ndryshme, duke e lënë të hapur debatin mbi shkaktarin e atij zjarri. U tha se zjarri kishte nisur në dyqanet në tregun e qytetit, që shisnin ato që Taciti i përshkruan si “sende të ndezshme”.

Këto dyqane ndodheshin pranë stadiumit të garave me qerre të njohur si “Circus Maximus”, dhe u përhap me shpejtësi për shkak të disa faktorëve. Së pari, në atë kohë në qytet frynte një erë e fortë. E njohur si Lo Sciroço (Shiroku), kjo erë e thatë me origjinë nga Saharaja, përfshintë Italinë gjatë muajve të nxehtë të verës.

Së dyti, shumë nga shtëpitë e qytetarëve në zonën ku shpërtheu zjarri, ishin shumë pranë njëra-tjetrës dhe të ndërtuara keq kryesisht me lëndë druri, duke siguruar kështu “karburantin” e bollshëm që zjarri të vijonte i favorizuar edhe nga thatësira e verës.

Taciti shkruante se përpjekjet për të fikur zjarrin, u penguan nga bandat e grabitësve dhe zjarrvënësve, të cilët sulmuan zjarrfikësit, duke inkurajuar kështu përhapjen e flakëve. Kur zjarri u vu më në fund nën kontroll, 3 nga 14 lagjet e Romës ishin shkatërruar plotësisht, dhe 7 të tjera ishin djegur gati në shkatërrim.

Zjarri kishte prekur dy të tretat e Romës, kishte vrarë qindra njerëz, lënë pastrehë mijëra të tjerë, dhe shkatërruar një pjesë të arkitekturës më madhështore të Romës, përfshirë Tempullin e Jupiterit dhe Shtëpinë e Vestalëve. Ndërsa në lidhje me Neronin, Taciti pretendon se në atë kohë perandori ndodhej larg, në qytetin bregdetar Antium.

Megjithëse Taciti nënkuptonte se grabitësit, që ndihmuan përhapjen e zjarrit, mund ta kenë bërë atë gjë me urdhër, nuk e thotë direkt se nga mund të kishte ardhur një urdhër i tillë. Ndërkohë, Suetoni dhe Dion Kasi po. Ata besojnë se fajtor për zjarrin ishte vetë perandori Neron.

Pasi ai donte të digjte pjesë të qytetit që nuk i pëlqente, në mënyrë që të mund të ndërtonte më pas një pallat të madh në vend të tyre. Djegia e Romës, nuk dukej të ishte një veprim i huaj për karakterin “impulsiv” dhe “të korruptuar” të Neronit, perandorin e fundit romak të dinastisë Julio-Klaudiane.

Edhe pse disa historianë modernë, kanë nisur ta shohin atë nën një dritë më të favorshme, Neroni mbetet gjithsesi mishërimi i dekadencës dhe shkatërrimit të Romës antike. Perandori shkonte në shtrat me nënën e tij, më pas e vrau atë, së bashku me një numër grash dhe vëllain e tij.

Në fakt, zërat mbi përgjegjësinë e Neronit nisën të qarkullojnë qëkur zjarri nuk ishte shuar ende. Dhe shumë fakte nuk e favorizojnë. Para zjarrit, Neroni shpresonte të shembte një të tretën e Romës, për të ngritur aty një seri pallatesh luksoze të zbukuruara me monumente.

Ai ëndërronte ta quante kompleksin “Neropolis”. Kështu, Roma do të rindërtohej sipas vizionit të tij. Por Senati i hodhi poshtë planet e tij, duke e nxitur tiranin Neron të gjente një mënyrë tjetër, dhe ky ishte zjarri. Kur ra zjarri, Neroni nuk u kthye në qytet, derisa flakët nisën të kërcënojnë edhe pronën e tij, një shtëpi që po e ndërtonte për të lidhur pallatin e tij me kopshtet e Maecenas.

Zjarri nuk mundi të ndalej në kohë, dhe ai dogji si shtëpinë ashtu edhe pallatin e tij. Vetëm në atë moment, Neroni e ktheu vëmendjen tek populli, dhe u kthye t’i ndihmonte romakët.  Ai hapi për të pastrehët Campus Martius-in dhe ndërtesat publike të Agripës, madje dhe kopshtet e pallatit të tij, dhe ngriti struktura të përkohshme për të ndihmuar një turmë të varfërish”-shkroi Taciti.

“Furnizime me ushqime u sollën nga Ostia dhe qytetet fqinje, dhe çmimi i misrit u ul në 3 serterca për një sasi prej 9 kg. Por ato akte nuk prodhuan asnjë efekt, pasi qarkullonin kudo zërat, sipas të cilave perandori u shfaq në një skenë private dhe këndoi këngën e shkatërrimit të Trojës, duke e krahasuar fatkeqësitë aktuale me atë të antikitetit”- vijon më tej historiani.

Zërat u shtuan edhe më shumë, kur Neroni ndërtoi një pallat të ri mbi hirin e godinave të djegura. E njohur si “Shtëpia e Artë”, Domus Aurea kishte veç të tjerash një statujë bronzi 30 metra të lartë të Neronit, kopshte, vreshta, dhe madje një liqen artificial.

Për të hequr akuzat ndaj vetes, Neroni ua hodhi fajin për zjarrin të krishterëve, që në atë kohë ishin një pakicë e pambrojtur. ”Talljet e çdo lloji, shoqëruan vdekjet e tyre. Të mbuluar me lëkurat e kafshëve, ata u shqyen nga qentë, u gozhduan nëpër kryqe, apo u dogjën në turrën e druve, për të shërbyer si ndriçues natën”- rrëfen Taciti.

Historiani romak, e pranon se të krishterëve iu ngarkua faji për zjarrin, pasi ata ishin një objektiv i lehtë. Historianët thoshin se të krishterët e hershëm në Romë, besonin se qyteti ishte një “vend i lig”, pasi ata mendonin se shumica e qytetarëve të tij ishin paganë.

Ata profetizuan se qyteti do të shkatërrohej nga një “zjarr i madh”. Dhe ku ra zjarri i madh, shumë të krishterë mund ta kenë konsideruar atë si fillimin e këtij “Gjykimi të Fundit”, dhe për këtë arsye nuk ndihmuan në fikjen e tij.

Ndaj ishte e thjeshtë që Neroni t’ua hidhte atyre fajin. Gjithsesi, nuk dihet nëse Neroni i ka shënjestruar të krishterët për të hequr përgjegjësinë nga vetja, apo nëse ai e shfrytëzoi atë ngjarje tragjike për të nisur persekutimin e tij ndaj tyre.

Për ata që argumentojnë se zjarri nuk mund të jetë shkaktuar nga Neroni, provat ose mungesa e tyre, anojnë disi në favor të tyre. Librat e historisë, nuk përmbajnë asnjë lidhje të drejtpërdrejtë që vërteton se urdhrin për zjarrin e dha vetë Neroni. Gjithçka që kemi janë zëra dhe thashetheme.

Zjarret në kryeqytet, nuk ishin një dukuri e rrallë gjatë muajve të verës. Dhe Neroni nuk humbi vetëm pallatin e tij gjatë zjarrit, por ai hapi dyert për popullin. Plani i tij i ri i zhvillimit urban, ndërtoi shtëpi të reja të bëra me tulla dhe të ndara nga njëra-tjetra, për të parandaluar një tragjedi të ngjashme.

Kjo shpjegon edhe popullaritetin e tij tek njerëzit e zakonshëm të Romës; dhe pakënaqësinë e madhe ndaj perandorit, që vinte kryesisht nga klasat e larta dhe elita qeverisëse. Nuk ka dyshime se Neroni përfitoi nga zjarri që ra në Romë. Cilido që të ketë qenë shkaku i tij, ai përfitoi nga situata për ta çuar më tej agjendën e tij politike, dhe për të vënë në zbatim vizionin e tij për një Romë të re. / History.co.uk – Bota.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje