Institucionet ligjzbatuese në Shqipëri prej vitesh kanë në arkivat e tyre edhe dosje, që janë mbuluar nga pluhuri i harresës, por rikthimi i tyre për procedura hetimore është tashmë një fakt.
Përveç atyre dosjeve me krime të dukshme, si vrasje, trafik, apo veprime korruptime ka edhe një kategori hetimesh tejet e vështirë dhe mbi të gjitha shumë e rëndësishme.
Bëhet fjalë për krimet e diplomatëve që janë kryer brenda apo jashtë territorit të Shqipërisë. Rasti që të paktën deri më tani është bërë publik ka të bëjë me një rrjeti kriminal shqiptar të gjykuar në Dendermonde të Belgjikës për trafik dhe kontrabandë njerëzish drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Ajo që e bën të veçantë gjykimin e kësaj dosjeve, që ndodhet në arkivat shqiptare të Drejtësisë lidhet me faktin se të akuzuarit e Shërbimit të Prokurorisë Federale Belge, me inicialet G. dhe M., kishin punuar në të shkuarën në shërbimet sekrete dhe Gardën e Republikës dhe jetonin në Bruksel me vizë diplomatike si dhe vizë të përfituar nga një ambasadë e huaj në Tiranë përmes ryshfetit.
Të akuzuarit si organizatorë të disa veprimtarive kriminale në Belgjikë kishin kontakte në Shqipëri dhe provohej se në emër të njërit prej tyre dhe bashkëpunëtorit të tij ishin transferuar fonde drejt një partie politike brenda vendit.
Ky është vetëm një rast, por në fakt janë 9 çështje me karakter diplomatik, për të cilat në disa raste përveç procedimit penal sipas legjislacionit shqiptar një pjesë janë zgjidhur në rrugë diplomatike. Dosja më e bujshme është ajo e dëbimit të diplomatëve iranianë nga Shqipëria, si të përfshirë në veprimtari terroriste e që u zbulua nga autoritetet shqiptare në bashkëpunim me njësitë e hetimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në nenin 7 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë thuhet se shtetasi i huaj, që kryen vepër penale në territorin e Republikës së Shqipërisë, përgjigjet në bazë të ligjit penal të Republikës së Shqipërisë. Por, specifikohet se ligji penal i Republikës së Shqipërisë është i zbatueshëm edhe për shtetasin e huaj që jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë kryen në dëm të interesave të shtetit ose të shtetasit shqiptar si krime kundër njerëzimit, krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues, vepra me qëllime terroriste.
Por ka edhe vepra të tjera penale që mund të kryhen nga të huajt brenda apo jashtë territorit të Shqipërisë, si organizimi i prostitucionit, trafikimi i jashtëligjshëm i njerëzve, fëmijëve dhe grave, prodhimi dhe trafikimi i jashtëligjshëm i armëve, drogës, substancave të tjera narkotike e psikotrope, i substancave bërthamore, i materialeve pornografike, si dhe trafikimi i jashtëligjshëm i veprave të artit dhe i objekteve me vlerë historike, kulturore dhe arkeologjike, falsifikimi i vulës së shtetit shqiptar, parave dhe letrave me vlerë shqiptare, apo krime që cenojnë jetën dhe shëndetin e shtetasit shqiptar, për të cilat ligji parashikon dënim mbi pesë vjet burgim ose çdo lloj dënimi më të rëndë.
Ndërsa në nenin 9 të Kodit Penal është e përcaktuar edhe çështja e përgjegjësisë për shtetasit e huaj që kryejnë vepër penale në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe që gëzojnë imunitet në bazë të së drejtës ndërkombëtare, zgjidhet me rrugë diplomatike.
Por, situata është më komplekse në rastet e personave të mbrojtura ndërkombëtarisht. Në këtë nen, përfshihen kryetari i një shteti, përfshirë edhe anëtari i organit kolegjial që kryen funksionet e kryetarit të shtetit, sipas kushtetutës së atij shteti, kryetari i qeverisë ose ministri i punëve të jashtme, kur këta ndodhen në një shtet tjetër, si dhe anëtarët e familjes që i shoqërojnë, çdo përfaqësues a zyrtar i një shteti ose çdo zyrtar apo agjent i një organizate ndërkombëtare me karakter ndërqeveritar, i cili, në kohën dhe vendin e kryerjes së veprës penale kundër tij, zyrës, banesës private ose mjeteve të tij të transportit, gëzon, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, mbrojtje të posaçme nga çdo sulm mbi personin, lirinë dhe dinjitetin e tij, si dhe anëtarët e familjes së tij.(shqip)