Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe bëhen bashkë kundër SHBA-së, revoltohet Uashingtoni: Kanë kaluar në anën e Ajatollahëve

21 Gusht 2020, 10:48Bota TEMA
Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe bëhen bashkë kundër

Heiko Maas, Josep Borell, Jean-Yves Le Drian dhe Dominic Raab

Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe e hodhën poshtë kërkesën e SHBA-së për të rivendosur sanksione kundër Iranit.

Ministrat e Jashtëm të tri shteteve, Heiko Maas, Jean-Yves Le Drian dhe Dominic Raab, deklaruan në një reagim të përbashkët se ky hap është “i papajtueshëm me përpjekjet tona aktuale” në lidhje me marrëveshjen bërthamore ndërkombëtare me Iranin.

Pas abrogimit të njëanshëm të marrëveshjes bërthamore në maj të vitit 2018, SHBA nuk është më anëtare e marrëveshjes, thanë ministrat.

“Problemi aktual i shkeljeve sistematike nga ana e Iranit e detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshja duhet të zgjidhet përmes dialogut”, u shprehën ata.

Ministrat i bënë thirrje Iranit që të respektojë marrëveshjen, “të tërheqë dorë urgjentisht nga të gjitha masat që nuk janë në përputhje me detyrimet e tij bërthamore dhe të rikthehet menjëherë në zbatimin e plotë” të marrëveshjes.

SHBA e akuzon Teheranin për shkelje “të mëdha” të marrëveshjes

SHBA synonte të aktivizonte një mekanizëm të diskutueshëm për të rikthyer sanksionet e OKB-së kundër Iranit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i dorëzoi një letër kryesisë së Këshillit të Sigurimit të OKB në New York, ku e akuzonte Teheranin për shkelje “të mëdha” të marrëveshjes ndërkombëtare bërthamore të vitit 2015.

Me një letër të tillë vihet në lëvizje i ashtuquajturi mekanizëm i përshpejtuar për rivendosjen e sanksioneve të OKB kundër Iranit.

Por rezultati i procedurës është sidoqoftë i hapur, sepse është e diskutueshme, nëse SHBA ka të drejtë ta aktivizojë këtë mekanizëm.

Në mosmarrëveshjen për zgjatjen e sanksioneve ministri i Jashtëm i SHBA-së, Pompeo i akuzoi shtetet evropiane se “kanë kaluar në anën e Ajatollahëve”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje