Petro Olldashi, njeri nga pionierët e industrisë së naftës, një nga pak heronjtë e saj

30 Gusht 2020, 10:08Sociale TEMA

Pas një sëmundje të beftë, më 25 Gusht, në moshën 89 vjeçare, u nda nga jeta Petro Olldashi, një nga përfaqësuesit e atij brezi, që nga vendlindja, Sinja e Beratit, njohu drejtpërdrejt luftën Nacional Çlirimtare dhe pas çlirimit të vendit nga pushtuesit, falë bindjeve të tij patriotike filloi rrugëtimin si pjesëtar i armatës së madhe të të rinjve për ndërtimin e vendit të shkatërruar. Që në moshën 15 vjeçare, u bë pjesë në punimet për tharjen e kënetës së Maliqit dhe pas disa muajsh, pjesëtar i brigadave të të rinjve për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Peqin.

Në vitin 1947, u bë pjesë e industrisë së naftës, duke filluar punë në ofiçinën e Patosit dhe pas disa muajsh si punëtor në një prej stacioneve të pompimit të ujit për sondat e shpimit. Ishte koha që në vend, pas lufte kishin mbetur sondat kanadeze të shpimit të përdorura nga italianët por edhe punëtorë italianë të mbajtur në punë nga qeveria shqiptare deri në riatdhesimin e tyre. Dukej se puna në sonda ishte më e kualifikuar ndaj në moshën 17 vjeçare, filloi të punojë në to. I vëmendshëm përfitoi mjaft nga përvoja e sondistëve italianë dhe shumë shpejt nga punëtor në sondë, u bë kryesondator dhe shumë shpejt edhe përgjegjës pusi. Mbasi mbaroi shërbimin ushtarak, kthehet në punë duke vazhduar si gjithmonë atë punë së cilës i a kishte marrë dorën. Me brigadën e tij, dhe me sondat e reja Bu-40, siguronte ritme të larta shpimi, duke thyer të gjitha rekordet e arritura në atë kohë por edhe cilësi të lartë në punë. Filloi të shpojë puse në zonën e Margëlliçit në Patos në Kuqar, Zharrëz etj, u bë shpejt një shpues pararojë, falë moshës së re dhe cilësive të tij të veçanta e të shumta si i vëmendshëm, organizator, i dëgjueshëm dhe bashkëpunues me punëtorët e brigadës. Për këto cilësi, drejtori i ndërmarrjes së shpimit Polikron Cane, e inkurajonte.

Ishte koha pas shpërthimit të pusit 542, kur Petrua me brigadën e tij të shpimit zbret në Marinëz duke vazhduar të mbajë rekordet më të larta në shpimin e puseve. Për këto rezultate, të shkëlqyera në vitin 1959, meritoi titullin “Hero i Punës Socialiste”, i njëjtë me titullin “Hero i Popullit”. Nuk numërohen puset që janë shpuar nga brigada e Petro Olldashit, në tërë luginën e Patosit e deri në Kallm-Verri e Bubullimë të Lushnjës.

Kishte përfunduar vetëm pesë klasë të shkollës shtatëvjeçare ndaj edhe duhej të arsimohej. Me vështirësi, në shkollë nate, përfundoi shtatëvjeçaren dhe në vitin 1960, filloi Teknikumin e naftës në Kuçovë, i cili për kategorinë e punëtorëve të naftës ishte vetëm 2 vjet. Atje duke qenë tepër i përkushtuar dhe punëtor përfundoi me rezultate të mira e u diplomua Teknik shpimi. Në ato vite, Petrua u zgjodh deputet në Kuvendin Popullor, por edhe Kandidat i Komitetit Qëndror të Partisë. Ishte vetëm 30 vjeç, por ishte puna e tij dhe cilësitë e rralla që e ngritën në atë hierarki drejtimi.

Por në se atij i mjaftonte diploma e teknikut, për të drejtuesit e partisë bazuar në cilësitë e veçanta të tij, moshën e re, përkushtimin, kishin vendosur ta nxisnin për të arritur më tej. Hysni Kapo, i njohur me punën dhe rezultatet e tij, e thërret dhe e këshillon të vazhdojë edhe shkollën e lartë dhe në vitin 1962 Petrua fillon Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave. Për shkak se tani ishte edhe një familjar, atij i u dha edhe një pagë mujore. Natyrisht, me shumë vështirësi dhe i ndihmuar mjaft nga shokët e tij studentë të cilët e donin dhe e respektonin për cilësitë e tij të veçanta, i tejkaloi tërë vështirësitë dhe u diplomua me vlerësimin maksimal si Inxhinier shpimi.

Pas shkollës së Lartë, u emërua Kryeinxhinier në Ndërmarrjen e Shpim-Shfrytëzimit në Patos. Në vitin 1972, emërohet Sekretar i parë i Komitetit të Partisë në rrethin e Beratit, ku drejtoi deri në vitin 1975. Në këtë periudhë, kalon përsëri në specialitetiine vet, si Drejtor i Ndërmarrjes së Shpim Kërkimit nr.1 në Kuçovë ku ka drejtuar me sukses brigadat e shpimit të shumë puseve në vendburimin e ri të Cakranit dhe shpimin në shumë zona të tjera të vendit. Në vitin 1980, emërohet Drejtor i Teknikumit të Naftës në Kuçovë, ku u thirr për të dhënë gjithë përvojën e tij në formimin e kuadrove të reja të naftës dhe të gazit. Nga viti 1991, deri dje, më 25 Gusht ai ka banuar në Berat me familjen e tij, bashkëshorten dhe vajzat.

Petro Olldashi, me jetën e tij është një nga shembujt më domethënës për të rinjtë dhe në përgjithësi për të treguar se ku mund të arrish me vullnet dhe përkushtim, duke dashur punën sado e vështirë të jetë, duke dashur bashkëpunëtorët, duke qenë i sinqertë dhe i ndershëm. Këta njerëz, i favorizon edhe natyra. I pa harruar do të jetë figura e Petro Olldashit, heroit naftëtar, të ndershëm, punëtor dhe i dashur si ai.

Prof. Dr. Gjergji Foto, Prof. Dr. Jorgji Hanxhari, Inxh. Viron Cane, Inxh. Tajar Hysi, Vladimir Duraj, Simon Vrusho

3 komente në “Petro Olldashi, njeri nga pionierët e industrisë së naftës, një nga pak heronjtë e saj”

  1. Atdhetari says:

    Qoftë i lehtë dheu që e mbuloi.
    Ngushëllime Familjes.
    Fatkeqësisht kuadro të tillë të Kualifikuar dhe me një Përvojë tejet të madhe, u mënjanuan enkas nga sistemi Dhjerokratik, i cili preferoi “Ekspertë” çaça eksperiencë. (Arsyet i dimë të gjithë).

  2. Lala i Lushnjes says:

    Vdes Shqipëria, pak nga pak dhe vetëm vdes. Ngushëlime familjes dhe të dashurve!

  3. Lani XHABIJA says:

    Ngushëllime families.
    I lehtë dheu, për njeriun e mirë, ing. Petro OLLDASHI.
    Specialist i naftës i zoti, me karakter të paepur, burrë nderi.
    Me shumë konsideratë.
    Lani Ramiz XHABIJA
    KANADA

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje