Frikë në Itali për shëndetin e Aurelio De Laurentiis. Napoli ka bërë me dije se numri 1 i klubit të kaltër është prekur nga koronavirusi pasi tamponi të cilit presidenti i klubit jugor i është nënshtruar ditën e mërkurë ka rezultuar pozitiv.
Për momentin De Laurentiis është asimptomatik dhe nuk ka shfaqur shenja të sëmundjes, megjithatë frika ekziston pasi De Laurentiis është 71-vjeç.
Problemi më i madh për momentin qëndron te fakti se mbrëmjen e të mërkurës numri 1 i Napolit ka qenë i pranishëm në asamblenë e ligës italiane të futbollit të mbajtur mes krerëve më të lartë të klubeve të Serie A dhe tashmë frika për infektime masive është më evidente se kurrë.
Pas rezultimit poizitiv të De Laurentiis, presidentët dhe drejtuesit e klubeve që kanë qenë të pranishëm në këtë mbledhje duhet të futen menjëherë në karantinë dhe të kryejnë tamponin.