Leonidha Mertiri
Nga Leonidha Mertiri*
…Ishte dita e parë e javës së fundit të muajit, e hënë, 25 janar 1993. Po lexoja në zyrë një informacion të ambasadës sonë në Beograd, mbi median serbe për ngjarjet më të fundit në ish republikat jugosllave. Rreth orës 8, bie zilja e telefonit. Ngrita receptorin. “Zoti Mërtiri? – dëgjoj prej andej. Jam Sekretarja e Ministrit. Në orën 10, Ministri ju pret në zyrë”. Faleminderit, – i thashë, me një zë të zvargur, ngarkuar me emocion, por dhe me ankthin e së panjohurës së takimit. Prapë? – thoshja. Ajo “prapë” lidhej me një ngjarje të çuditshme, që kishte ndodhur pas asaj mbledhje me të gjithë stafin dhe që unë do ta mësoja më vonë, dy muaj para kësaj telefonate të atij mëngjesi janari.
…Udhëtoja me Ministrin, me ALITALIA-n, për në Konferencën që zhvillohej për Bosnjën në Stamboll. Atë natë do të ndaleshim në Romë dhe të nesërmen, prej andej, në qytetin organizator, ku na prisnin Ambasadori ynë në Ankara, Skënder Shkupi dhe Konsulli i Përgjithshëm në Stamboll, Orhan Zarshati, të cilët do t’i bashkoheshin delegacionit shqiptar katër anëtarësh. Kur kishim dhe rreth dyzet minuta për të mbërritur në aeroportin e Fiumiçinos në Romë, zëri i zotit Serreqi sikur më shkundi, tek rrija si i përhumbur me sytë e ngulur në ekranin, që në ato çaste paraqiste lartësinë në të cilën ndodheshim: tetëmijë metra…tetëmijë…tetëmijë, – sikur përsërisja me vete. Këtë tregues nuk e di pse e fiksova dhe nuk e ndava gjatë viteve nga ajo bisedë e porsazhvilluar në avion. Ç’lidhje mund të kishin të dyja?
I drejtpërdrejt, sikurse ishte ai, pa hyrje – dalje dhe biseda si të qe jo në fillim, por në vijueshmëri të saj, më thotë: Zoti Mërtiri, ke pasur ndonjë nga të familjes me punë në Ministrinë e Punëve të Brendshme apo në organe të saj? Jo, ia ktheva aty për aty, i bindur për çka po thoshja. Dhe shtova, jo për t’u treguar kurajoz, por për të ngarë bisedën: Edhe mund të kisha, zoti Ministër, se do të kryenin një punë, por nuk kam pasur as nga familja, as të afërt. E di?, – ndërhyri ai, do të të kishim hequr nga ministria… Dhe duke mos vazhduar atë që nisi, më pyet: Ç’mendim ke për ata që kemi larguar? Teksa përpiqesha vetëtimthi të gjeja psenë e heqjes time dhe më tepër arsyet e ndryshimit të këtij mendimi, përgjigjem: Për disa do të ndodhte kjo, por pati jo pak të tjerë që kanë punuar…Si të mos kishte më tej kureshtje për përgjigjen, duke më ndërprerë, përsëriti: Po, do të kishim hequr. Dhe vijoi:
Pak javë, pas largimeve nga puna, një zonjë, të cilën unë e njihja, më dërgon një letër. Në të, më thoshte: Alfred, kini bërë shumë mirë që kini pushuar njerëz që e meritonin, por për fat të keq në Ministri kini mbajtur ende disa, të lidhur ngushtë me Sigurimin e Shtetit. Një nga këta është dhe Leonidha Mërtiri, me të cilin jam njohur në rrethana tepër të vështira. Pas arrestimit të tim shoqi, sikurse e di, para disa viteve, më thërrasin në hetuesi, ku ballafaqohemi me këtë njeri, akuzat e të cilit për burrin tim, por dhe për mua, si grua e tij, ishin të tmerrshme. M’u krijua një gjendje e rëndë, daljen prej së cilës po e kërkoja në vetëvrasje.
Po habitesha me çfarë më shkruante kjo grua që e njihja mirë. Tjetër mendim ishte për ty. Atëherë vendosa ta thërras atë në zyrë. Ishte mëngjes. Të kam thirrur dhe ty në zyrë, por pa të rënë në sy. Mban mënd? Po, – i thashë. (Si ta harroja unë atë ditë; e kujtoja mirë madje. Sepse të të thërriste ministri në atë kohë, menjëherë pas asaj liste të gjatë të pushuarish, mendja të shkonte vetëm për keq. I turbullt, mendoja se mund të më komunikohej të lija punën). Të porosita, vazhdoi ai, që pas dy orësh të më sillje një informacion të shkurtër për gjendjen e komuniteteve në Bosnjë dhe cilat qenë të rejat më të fundit në marrëdhëniet e saj me Kroacinë, meqë në orën 12 do të shkoja për këtë gjë te kryeministri. Vure re njeri tjetër në zyrën time?, – pyeti pastaj ai. Jo, ia ktheva. (Ku bëhej fjalë, në atë gjendje që isha, të shihja majtas e djathtas!). Në të majtë, kur hyn në zyrë, ku ulem me mysafirët, qëndronte një grua. Ishte ajo, vijoi ministri, autorja e letrës. Sapo dole ti nga zyra, ajo u ngrit menjëherë në këmbë, duke ardhur drejt tavolinës ku rrija unë: “Më fal Alfred, tha, i kam rënë më qafë një njeriu që s’e kam njohur kurrë”.
Siç mësova, ajo më ngatërronte me një hetues të njohur, pothuajse me të njëjtin mbiemër, ku “ë”-ja ime, te mbiemri i tij, herë mbetesh “ë” e herë bëhej “a” (K. M nga Kolonja). Me këtë çka mësova, ndihesha i obliguar ndaj ministrit. Mundet që ai të mos e organizonte ballafaqimin për të cilin më foli, duke i prerë drutë shkurt: “Qëndrojnë apo jo gjërat që ngrihen për të, le të vejë dhe ky me të tjerët”. Ishin vite jo fort të kthjellët, kur mund të shkoje si sëpata pa bisht, dhe, më e keqja, si në rastin tim, të merrje pas dhe një të paqenë të helmët. Por ai bëri të kundërtën.
Këto kujtoja gjatë atyre rreth dy orëve, përzier me hamendësimet për takimin e orës dhjetë. Në raste të tilla, sikurse shpjegova dhe më parë, mëndja më shumë të shkon për keq. Tek unë, kjo lidhej dhe me gjendjen e rëndë shpirtërore. E kisha të vështirë t’i bëja ballë asaj që më kishte rënë. Pikërisht, në ato muaj, më 5 korrik 1992, u godita nga një fatkeqësi tepër e rëndë. Humba përgjithnjë, në rrethana të çuditshme, Donën, bashkëshorten time. Ishte ora 22. Sapo ishim ndarë te Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, me M.C-në, një shokun tonë të afërt dhe gruan e djalin e tij. Si të mos shkëputeshim dot nga njeri tjetri dhe, kështu siç ishim, sikur do të qe hera e fundit që do të rrinim me Donën, siç ndodhi vërtetë, ritual që u përsërit katër-pesë herë, ata përcillnin ne dhe ne ata…Kishim bërë tre-katër hapa nga trotuari pranë hyrjes së Hotel “Dajtit”, për t’u hedhur në trotuarin tjetër te parku “Rinia”.
Bulevardi ishte krejt bosh, pa asnjë makinë. Papritur, një motor, me shpejtësi të çmendur, që vinte nga ish Ekspozita “Shqipëria Sot”, mori kthesën tek Ura e Lanës drejt nesh dhe…Me fjalën në gojë, ramë të dy. Dona, e goditur dhe rrëzuar me pjesën e mbrapme të kokës në tokë, kurse unë pranë saj, vetëm me një shembje të papërfillshme të gishtave të këmbës. Gjithçka mbaroi aty… Humba përgjithmonë gruan, pas njëzetekatër vitesh, pa u ndarë nga njeri tjetri, kurse im bir, Artani, mëmën e tij të shtrenjtë. Vrasësi iku në “drejtim të paditur”, kurse drejtuesit e policisë, të Tiranës dhe rajonit 1, S. S dhe B. B, me ministrin e brendshëm të asaj kohe në krye, B. K, megjithë ecejaket e mia në zyrat e tyre, premtimet që më bënin, as e vunë ujët në zjarr. Njerëz të policisë, dashur pa dashur, kisha bindjen se, me heshtjen e tyre, duke mos i dhënë asnjë informacion prokurorisë, megjithë këmbënguljen e kësaj të fundit, ishin bërë, dashur apo pa dashur, krahë të sigurt të vrasësit, që ai kurrë të mos zbulohej as sot e kësaj dite…E çuditshme! Asnjë lëvizje e policisë…
…Dhe mendimet, vazhdonin kokolepsjen e tyre. “Prapë? “, – përsërisja dhe në mënyrë të habitshme, në momente të veçanta, kur bëhesh pa dashur dhe supersticioz, sikur trimërohesha, duke i thënë vetes: “Le të bëhet, ç’të bëhet!”. Veç këto, pa e fshehur, ishin tepër jetëshkurtra.
Në orën 10 pa pesë minuta, me një bllok në dorë, zbrita te zyra e sekretares së ministrit. Ulu, -tha, do presësh pak, se shefi është duke folur në telefon. S’ka gjë, – i thashë, po rri kështu. Qëndrimi në këmbë më dukej më i përshtatshëm për t’u thënë emocioneve “boll më”. Kaluan shtatë-tetë minuta. Sekretarja, pasi pa që në aparatin telefonik drita e kuqe u shua, u ngrit, trokiti në zyrën e ministrit dhe u fut brenda, për ta njoftuar atë se kisha ardhur. Të vijë, -dëgjova t’i thotë. Hyra, duke qëndruar në fund të zyrës. Hajde, zotni, tha ai, afrohu, me dorën drejtuar nga karrigia përballë tij, në anën tjetër të tavolinës së punës.
Kemi vendosur, tha prerazi, të hapim Zyrën tonë në Shkup. Menduam të shkosh Përfaqësuesi i Shqipërisë atje, sikurse Maqedonia me Viktor Gaberin këtu. Do të shohim dhe për gradën diplomatike. Hollësitë e tjera do t’i bisedosh me zotin Çabej. Bëhej fjalë për zotin Tanush Çabej, Drejtor i Burimeve Njerëzore, i cili kishte punuar inxhinier në Kombinatin e Autotraktorëve, njeri i drejtë, i përkushtuar në këtë detyrë dhe tepër komunikues me njerëzit. Dakord? – tha ai. Do të nisesh këto ditë. Për punën do të flasim përsëri para ikjes. I besojmë punës tënde…Këto ishin pak a shumë fjalët e tij. Faleminderit, zoti ministër, – ia ktheva, tani disi më i çliruar. U ngjita në zyrë, në katin e tretë. Kisha ftohtë apo më dukej? U mbështeta menjëherë në karrige, me pardesynë e hedhur krahëve, sepse kaloriferët në më të shumtën e rasteve nuk punonin. Nga ana tjetër, mendimet nuk më linin. E kisha lodhur kokën kot deri atëherë. Në ato rrethana sidomos, e konsideroja vlerësim çka më bëhej, ndaj dhe gjatë tërë kohës në detyrën e re, do ta ballafaqoja shpesh veten me atë se sa po e justifikoja besimin që m’u dha.
Në këto e sipër, doreza e derës së zyrës ulet me vërtik dhe zëra të zhurmshëm pushtuan mjedisin. Ishin Ruhiu, Petriti dhe Gilmani, djem të rinj, të aftë, plot energji, që sapo kishin filluar punë në drejtorinë tonë për rajonin dhe shumë shpejt do na lidhte një miqësi e pastër. U qeshte fytyra. Atyre sapo u kishte thënë drejtori, Eqremi, i cili kishte dijeni më parë, por si “tutius” që ishte, ky nëpunës model i administratës shtetërore, mua nuk më kishte dhënë së paku një sinjal, përderisa nuk isha thirrur zyrtarisht për detyrën që më ngarkohej. Vetëm tani, pas thirrjes sime, ai u kishte thënë punonjësve të drejtorisë. Të tre më përqafuan dhe më uruan me shpirt dhe që do të ishim përsëri së bashku. Sepse Maqedonia, siç kam thënë, mbulohej nga Drejtoria e Parë.
Madje, Gilmanin do ta kisha shefin tim. Sepse, kështu e thërritnim referentin që mbulonte shtetin përkatës, me të cilin kontaktonim të parin për gjithçka që lidhej me punën. Ishin momente të paharruara këto. Kurrë nuk më janë ndarë ato çaste, që mbartnin sinqeritet, respekt, larg mllefeve, edhe pse ndonjëri prej tyre i kishte hequr në kurriz padrejtësitë e së djeshmes që sapo kishim lënë prapa. Ruhi Hado, një intelektual këmbëngulës, djalë i një juristi të njohur dhe familje juristësh, i ati i të cilit më vonë e pësoi nga regjimi i kohës, para ardhjes në Ministri, kishte provuar dhe punë të rëndomta. Pas viteve nëntëdhjetë, krahas fakultetit të ekonomisë, do të mbaronte me rezultate të larta dhe fakultetin juridik. Edhe në vitet e mëpastajme do të kontaktoja me të, sepse të dy ndoqëm karrierën diplomatike. I vlerësuar në punët që do të kryente më vonë gjatë viteve si drejtor dhe ambasador në disa shtete, sot ai vazhdon të punojë në Ministrinë e Europës dhe të Punëve të Jashtme, ndërsa Petriti dhe Gilmani, të dy mjaft të përgatitur për sektorët që mbulonin, nuk punuan gjatë në Ministri, duke iu kthyer profesioneve të mëparshme apo marrë rrugën e emigrimit.
Pas komunikimit të mësipërm, me drejtorin Meta bëmë një program të shkurtër, duke u përqendruar në disa takime brenda ministrisë, sidomos në Drejtorinë e Çështjeve Juridike, Konsullore dhe Traktateve, atë të Organizatave Ndërkombëtare etj, si dhe me disa drejtues të dikastereve qendrore, Ministrinë e Ekonomisë, të Punëve të Brendshme dhe të Kulturës. Gjatë këtyre ditëve doli dhe vendimi i Ministrit të Punëve të Jashtme për emërimin tim në detyrën e Përfaqësuesit dhe Konsullit të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë në Republikën Ish Jugosllave të Maqedonisë. Për të ardhur te ky funksion u diskutua gjatë, për faktin që nuk e kishim njohur ende Maqedoninë dhe marrëdhëniet diplomatike midis dy shteteve nuk ishin vendosur. Muaj më parë, të dyja ministritë e jashtme gjykuan nëpërmjet një “gentlemen’s agreement”, që emërtimi të jetë “Përfaqësi me zyrë konsullore”, edhe pse protokolli diplomatik nuk e përmbante një të tillë. Më në fund, iu propozua ministrit, si më i përshtatshmi, duke parë dhe përfaqësitë e para në Maqedoni, ai i “Përfaqësues i Shqipërisë, Konsull”, pra, në nivel të njëjtë me atë të homologëve të mi në Shkup. Kështu, gjatë përditshmërisë së punës, herë do të thërritesha si Përfaqësues i Shqipërisë, sikundër isha, e cila u ruajt dhe në korrespondencën zyrtare me Ministrinë tonë dhe strukturat e tjera shtetërore, herë, sidomos nga opinioni dhe kolegët diplomatë, me atë të Konsullit.
Kjo Përfaqësi, me aktivitetin e saj, në të vërtetë, luante më tepër rolin e ambasadës. Ajo do të realizonte kështu një përfaqësim të plotë të shtetit të vet në vendin pritës, prej të cilit nuk do të kishte asnjë kufizim, të politikës së tij të jashtme, do të mbronte interesat e vendit, duke nxitur bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat dhe mbrojtur të drejtat, interesat e shtetasve tanë, si dhe të drejtat kombëtare të popullsisë shqiptare që jetonte në Maqedoni, brenda kufinjve të përcaktuar nga e drejta ndërkombëtare etj.
*Pjesë nga libri i diplomatit Leonidha Mërtiri: “Një diplomat i Tiranës në Shkup”
Shkruani kujtimet ( ishin kohe te lavdishme thote… o zot ) per kohen tuaj te ndritur se Shqiperine e cuat per skrap !!!!!
Anononimi “Mantho” ju pershendes
Perse o zoteri nese ne I tille shqetesohesh se z Mertiri ka perdorur shkurtime emrash.
A mendoni ju dhe shume si ju se sa banal paraqiteni para lexuesit si anonim edhe atehere kur cfare shkruani mund të kete vlere.
Ke të drejte kur kerkon informacion të plote sikur të tjeret kane të drejte te dine kush jeni ju pasi fatekeqesisht per shqiptaret po vazhdon revolutioni kulturor kinez ne Shqiperi
Mire e ke mor xhan. Ne nuk na duhen keto gjera. Ne na duhet me ke i kalon pushimet Çilieta apo si te besh femije me meditim sipas Ethem Ramadanit
Duhej te merrej KALOÇI me kto lloj gjerash.
I thjeshte, i mencur, i matur , i duruar dhe me nje mjeshteri fjale paraqitjen rrefimet ne kete pjese nga libri i diplomatit te karieres te Leonidha Mertirit Ai eshte i sinqerte i lirshem ne komunikim ne pershkrimin ne dinamike te atyre ngjarjeve dhe situatave te ngarkuara plot stres dhe ankth te asaj kohe dhe obligimit ndaj detyres. Loni me mjeshterine e fjales me etiken dhe formimin e tij profesionale te rremben ne rrefimet e tij te ben pjese te jetes se tij Loni ne menyre te admirueshme paraqet sa mire di te menaxhoj situata te ngarkura plote strese , te papritura dhe dhimbje familjare si ne rastin e humbjes se bashkeshoqes se tij te dashur Dona, komunikimi dhe puna me koleget e tij Rrefimi i tij i thjeshte i sinqerte te ben per vete . Ai eshte pa komplekse i drejtepersedrejti jep nje komunikim te ngrohte me lexuesin e ben ate bashkeudhetar te rruges se tij Lexuesi e ndjen i perjeton njesoj si ai momentet qe pershkruan ne saj te mendimit te tij te thethe dhe fjales se tij artistike mjeshterore te derdhur ne ate shkrim se fundi me vjen keq qe rrefenje tek tema qe aq e shkurter duke pritur numrin tjeter te vazhdojme udhetimin e metejshem me Lonin gjithesesi jemi pjese te
udhetimit te tij
I dashur Loni te uroje shendet sukse per librin
Po perse flisni kështu?!
Ku të gjejmë ne njerëz si Z. Mertiri, që të shkruajnë me kaq objektivitet! Madje, aty njihemi edhe me njerëz të aftë dhe që kanë punuar me përkushtim për këtë vend. Si Z. Serreqi psh
Ju lumtë Mertiri dhe Tema!
Konkluzioni: Administrate Shqiptare ka qene model. Fajin per gjendjen mjerane te Shqiperise e ka populli dhe jo sunduesit e tij.
Ooo Mertiri, pse mendon se dikujt ne vitin 2020 do ti interesoje ç’keni katranosur ju të saleh berishes ne vitin 1992?
Edhe atehere nuk ju duronim dot, jo më tani.
Po ikni ore, na u zhdukni se na vjen te vjellim.
Aq me teper kur maskarain sali e kemi ende neper kembe.,
Ooo Mertiri, pse mendon se dikujt ne vitin 2020 do ti interesoje ç’keni katranosur ju të saleh berishes ne vitin 1992?
Edhe atehere nuk ju duronim dot, jo më tani.
Po ikni ore, na u zhdukni se na vjen te vjellim.
Aq me teper kur maskarain sali e kemi ende neper kembe.,.
Manthos
Me vjen keq per sa shkruan. Ato iniciale qe perdor autori nuk jane sajime, jane te emrave te njohur. Ministri Brendshem B.K eshte Bashkim Kopliku, S.S-drejtori i Policise se Tiranes asht Sali Stafa etj.
Jam i sigurt se do reflektosh pas kesaj.
Miqesisht. Bledari
Bledar! Reflektova. Ja ka 12 minuta qe reflektova dhe kerkoj ndjese.