Leonidha Mertiri
Nga Leonidha Mertiri*
Frika e Shkupit se qeveria shqiptare mund te perkrhate propozimin grek per emertimin Maqedonia sllave.Gligorov thote se kërkesa për të qenë popull shtetformues vështirë të pranohet. Presidenti i shqetesuar per “vërejtjet e paarsyeshme që bën Shqipëria lidhur me pranimin e Maqedonisë”
11 qershor 1993
“NDËRHYRJA NË PUNËT E BRENDSHME” DHE REALITETI QË E KUNDËRSHTON ATË
Sot u thirra në Ministrinë për Marrëdhëniet me Jashtë, ku u prita nga zëvendësministri Risto Nikovski.
Jemi të shqetësuar, tha ai, nga shpërndarja e një letre të ambasadorit tuaj në Kombet e Bashkuara, në të cilën bëhet fjalë e komentohet rreth propozimit grek për emërtimin e Republikës së Maqedonisë si “Maqedonia Sllave”. Në letër ka dhe elementë të tjerë. Ç’emër t’i vësh kësaj? – pyeti ai dhe po vet u përgjigj: Është ndërhyrje e hapur në punët tona. Dhe, për ta dhënë më të plotë zemërimin e tij, një tablo që mua më dukej më tepër e sajuar, plotësonte tërë kuadrin – me vështrimin e hedhur matanë xhameve të dritares në krah të djathtë, këmbë përmbi këmbë, sikur të mos kishte përballë askënd.
U krijua një pauzë, teksa dëgjoja, me të njëjtin pozicion, si ai i bashkëbiseduesit, duke vendosur tani edhe unë këmbën e djathtë mbi të majtën, por dhe me një tundje të lehtë të saj. Prisja vazhdimin e shqetësimit të tij, ndërkohë që togfjalëshi, shpesh i lakuar, “ndërhyrje në punët e brendshme” trokonte mendimet dhe bërë tashmë një refren i mërzitshëm, por dhe i zhvleftësuar, që të krijonte me të vërtetë bezdi dhe që do ta dëgjoja edhe në ditët e mëvonshme.
Së dyti, vijoi ai, duke u kthyer nga unë, ndërhyrje në punët e brendshme konsiderojmë qëndrimin e presidentit tuaj, zotit Sali Berisha në takimin që ka pasur me ambasadorin Gert Ahrens (prapë, i njëjti parafabrikat!). Ai ka folur për të drejtat që duhet të kenë shqiptarët që jetojnë në Maqedoni dhe se anëtarësimi i vendit tonë në KSBE, sipas tij, kushtëzohet nga respektimi i këtyre të drejtave. Pastaj zëvendësministri u hodh gjetkë, përsëriti atë që më ishte thënë dhe herë tjetër: Përse Shqipëria vazhdon ta përcaktojë Maqedoninë si ish-Republikë Jugosllave. Dhe, për ta mbyllur shtoi: Të gjitha këto na vënë përpara dilemën, nëse është realisht politika e Shqipërisë, një politikë për miqësi e bashkëpunim apo diçka tjetër.
E falënderova zotin Ristovski për takimin dhe që në fillim i shpreha dëshirën, se do të ishte mirë që sot të isha thirrur për të diskutuar se si ta zgjerojmë bashkëpunimin midis dy vendeve tona dhe çështje të tjera me interes të ndërsjellë. Pastaj, lidhur me letrën e ambasadorit të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, për propozimin grek për “Maqedonia Sllave”, i thashë se shqetësimi është i drejtë dhe nuk mund ta kualifikojmë këtë ndërhyrje në punët e brendshme të shtetit maqedonas. Një emërtim i tillë e injoron popullsinë shqiptare këtu dhe nacionalitetet e tjera, si popull josllav. Pastaj, çfarë moskonsekuence ka nga pala shqiptare që reflektohet në marrëdhëniet tona dypalëshe? Presidenti Sali Berisha, edhe në takimin që ju përmendët me zotin Ahrens, ka shprehur po atë dëshirë dhe vendosmëri, që marrëdhëniet e mira midis dy vendeve të rriten dhe të konsolidohen. Shqipëria, shtova, e ka dëshmuar se është për miqësi të sinqertë, për atë bashkëpunim që është shprehur dhe në takimet dypalëshe. Është gjithashtu në interes të Maqedonisë, të forcimit të vetë shtetit, që shqiptarëve, qytetarë të këtij vendi, t’u sigurohen të gjitha të drejtat dhe liritë njerëzore, sikurse popullit maqedonas. Vetë Konferenca për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (KSBE) ka një rol të madh. Ajo është e orientuar në disa drejtime, midis të cilëve, ai i demokratizimit, shtetit të së drejtës. Anëtarësimi në të i një vendi e bën të domosdoshëm respektimin e të drejtave të qytetarëve të tij. E lashë me kaq rolin e KSBE-së dhe detyrimet që kanë vendet anëtare të saj, se papritur m’u duk sikur po jepja mësime.
Gert Ahrens
Zëvendësministri maqedonas këmbënguli sërish në të tijën, në të drejtat që gëzojnë shqiptarët në fusha të ndryshme. Por jo të gjitha mund të realizohen menjëherë dhe brenda natës, theksoi ai (Shprehje e zakonshme kjo e bashkëbiseduesve të këtyre niveleve). Argumentet që përdoren janë po ato, të cilat venë e vinë sa nga një takim në tjetrin, sikurse u përmendën dhe në këtë të sotmin: nga pjesëmarrja e shqiptarëve në parlament, në numrin e ministrave dhe zëvendësministrave të tyre në qeveri. Prandaj dhe Shqipëria nuk duhet ta bllokojë pranimin e Maqedonisë në këtë Konferencë, duke pasur parasysh dhe faktin që jemi në fillimet e proceseve demokratike.
Më lejoni, zoti zëvendësministër, ndërhyra, por ka një realitet tjetër, për të cilin kemi folur së bashku dhe më parë: Në fushën e arsimit, në mungesën e mjeteve të informacionit në gjuhën shqipe, në dallimet e dukshme ku jetojnë shqiptarët dhe ku jeton popullsia maqedonase. Për fat të keq, lagje të veçanta, madje në Shkup, të banuara nga shqiptarë, ngjajnë me getot e zezakëve, sepse, bie menjëherë në sy, shteti në to nuk ka bërë asnjë investim. Është e vërtetë ajo që thatë për numrin e ministrave dhe zëvendësministrave, por këta janë të vetmit shqiptarë në dikasteret që drejtojnë. Përgjithësisht, strukturat e tjera qendrore dhe lokale janë të huaja për shqiptarët. Ndërkaq, në duar mbaja pasqyra të kësaj gjendjeje, të paraqitura nga organizma ndërkombëtare, disa prej të cilave, janë bërë publike, përmes botimit të tyre në organe të shtypit vendas.
Megjithatë, tha ai, situata nuk është krejt ashtu, si për t’i dhënë fund bisedës sonë.
Mjetet e informacionit e dhanë lajmin për këtë takim, duke u fokusuar vetëm në letrën e përfaqësuesit tonë në OKB, se “zëvendësministri Risto Nikovski i theksoi Përfaqësuesit të Republikës së Shqipërisë në Shkup, Leonidha Mërtiri, duke përkujtuar qëndrimin e qartë të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për këtë çështje (propozimin grek), se kjo në asnjë mënyrë nuk i jep të drejtë diplomacisë shqiptare të ndërmarrë hapa, të cilët paraqesin përzierjen në punët e brendshme të Republikës së Maqedonisë”.
Duke marrë shkas nga lajmi për median, mendova se opinioni i këtushëm ka nevojë të njihet më gjerë me takimin e sotëm dhe me mendimet dhe qëndrimet tona ndaj çështjeve që ngre pala maqedonase. Për këtë qëllim përgatita Njoftimin mbi bazën e shënimeve të mësipërme nga takimi, i cili në fund mbyllet me: “Përfaqësuesi diplomatik i Shqipërisë shprehu gjithashtu dëshirën e shtetit demokratik shqiptar për miqësi dhe bashkëpunim të ngushtë me Maqedoninë, si dhe me fqinjët e tjerë, por duke respektuar të gjitha të drejtat e shqiptarëve, sipas dokumenteve ndërkombëtare”. Njoftimi iu dërgua medieve, përfaqësive diplomatike, konsullatave dhe organizmave të tjera ndërkombëtare me rezidencë në Shkup.
13 qershor 1993
KIRO GLIGOROVIN
E TREMBIN SHQIPTARËT E MAQEDONISË
Sot në mëngjes më tërhoqi vëmendjen një intervistë e Presidentit Kiro Gligorov, dhënë gazetës “Çeshki Denik” të Pragës, të cilën e botojnë organe të shtypit vendas. Mbi gjysmën e intervistës e zë pozita e shqiptarëve në Maqedoni. Po ndalem në disa momente të saj:
Pyetjes së gazetarit mbi numrin dhe situatën e shqiptarëve në Maqedoni, presidenti për të parën përgjigjet se, nuk është në interesin e tyre që numri i shqiptarëve të tregohet më pak se sa është. Por dhe shifrat e iniciuara për 30 apo 50 për qind, mbështeten në atë që sot në Ballkan të gjithë bëjnë gara me numra, që të paraqesin popullin e vet si më të madh.
Për Gligorovin, shqiptarët nuk mund të trajtohen kurrsesi ndryshe, përveçse si pakicë, nga që ata kanë shtetin e vetë dhe jetojnë jashtë atdheut të tyre. Kërkesa për të qenë popull shtetformues vështirë të pranohet, sepse nuk mund të pranohet që çdo pakicë në Europë të mund të ketë rol të këtillë. Atëherë, konkludon zoti Gligorov, do të mbretëronte kaos i përgjithshëm. Kushtetuta jonë, thotë ai, është qytetare, kurse atë që e kërkojnë shqiptarët, sipas argumentit- derisa të mos jemi shtetformues, nuk do të jemi të barabartë, – shpie drejt Kushtetutës nacionale. Kështu, sipas Presidentit, do të manifestoheshin të gjitha tendosjet, tashmë të para në ish Jugosllavinë.
Nacionalizmi, për të, është forcë dominuese në Ballkan, sidomos në vendet e ish Jugosllavisë. Ai pranon se, përjashtim këtu bën në të vërtetë vetëm Maqedonia. Edhe këtu, shpjegon më tej, u paraqitën tendenca të ndryshme nacionaliste, por nuk ngadhënjyen dhe nuk u bënë forcë udhëheqëse. Për këtë, ndaj dhe nuk jemi në luftë. Që të arrihet paqja në Ballkan, duhet të kapërcehen mendimet anakronike se janë të mundshme shtete të pastra.
Pyetjes tjetër, se mos vallë atëherë shqiptarët, si popull shtetformues, do të kërkonin shkëputje, Kiro Gligorov i përgjigjet prerazi: Me siguri, po!
Një qëndrim ky që, qëllimisht, po kthehet në mit nga ata që e lançojnë atë.
Edhe kjo intervistë flet qartë për mesazhin që përcjell: Shqiptarët, që e kanë treguar se janë për prosperitetin dhe stabilitetin e Maqedonisë, i kanë dyert të mbyllura në avancimin e pozitës së tyre; pa një vullnet, mbështetje të krerëve vendas në forcimin e barazisë etnike. Ende do t’u privohen atyre ato të drejta juridike dhe kushtetuese që u takojnë? Megjithatë, këto qëndrime nuk kanë pse t’i dëshpërojnë shqiptarët, përkundrazi, partitë politike shqiptare duhet të rritin këmbënguljen në kërkesat për barazi dhe për një ndërkombëtarizim më të madh të tyre.
Intervistën ia dërgova sot ambasadës sonë në Vjenë për t’u njohur delegacioni i Shqipërisë që ndodhet atje, presidenti Berisha dhe ministri Serreqi, para takimit që do të kenë me homologët maqedonas, takim që m’u kërkua disa ditë më parë nga Ministria për Marrëdhëniet me Jashtë.
18 qershor 1993
INTERESIM REAL PËR BASHKËKOMBËSIT DHE “VËREJTJET E PAARSYESHME”
Takimi i sotëm i Presidentit Kiro Gligorov me misionin e ardhur në Shkup të raportuesve të KSBE-së nxjerr në pah përpjekjet për t’u paradalë hezitimeve ndaj pranimit të Maqedonisë nga ndonjë vend anëtar i kësaj Konference. Ky pranim ishte temë e bisedimeve. Po ndalem vetëm në një moment të këtij takimi, te një pakënaqësi e shprehur nga Presidenti.
Ku qëndron kjo pakënaqësi? – ndërsa i referohemi fjalës së tij. Ai e argumenton atë, siç thotë shprehimisht, me “vërejtjet e paarsyeshme që bën Shqipëria lidhur me pranimin e Maqedonisë”, duke theksuar që “…pikërisht Shqipëria, si vend fqinj, si dhe fqinjët e tjerë duhet të përkrahin inkuadrimin e Republikës së Maqedonisë në organizatat dhe asociacionet ndërkombëtare”.
Se cilat janë “vërejtjet e paarsyeshme”, zoti president i di mirë. Kategorizimi në këtë mënyrë lidhet me ato të drejta që shqiptarëve vazhdohet t’u mohohen dhe me atë që Shqipëria ka të drejtën e vet, por dhe detyrë të interesohet për bashkëkombësit e saj. Nga ana tjetër, është një shfajësim para ndërkombëtarëve dhe, për ta bërë më të besueshme, përsëriten ftesat për ekspertët ndërkombëtarë për të parë dhe analizuar trajtimin e pakicave kombëtare. Por për atë çka konsiderohet “e paarsyeshme” flasin vetë dhe dokumente shumë të rëndësishme, si Kushtetuta e Maqedonisë, gjendja reale e popullit shqiptar këtu, vogëlushët e varfër dhe të lodhur shqiptar përtej Vardarit në Çarshinë e Vjetër, në Bit-Pazar, duke shitur cigare dhe çikërrima të tjera…
Nuk mund të mos e them, por ndjej keqardhje që një politikan i regjur si zoti Gligorov, që ka bërë aq shumë për Maqedoninë, të mbetet në të njëjtat parametra e rrugëtim qëndrimesh ndaj shqiptarëve. Ai e di mirë se mënjanimi i popullit shqiptar, duke e mbajtur larg bashkëpunimit, vendimmarrjeve për çështje të rëndësishme shtetërore, pra, barabartësisë, sikurse bashkështetasit maqedonas, vetëm e dobësojnë shtetin dhe e bëjnë atë të pasigurt. Kjo lloj strategjie, e ndjekur deri në ditët e sotme, këmbëngul sërish, pavarësisht vështirësive që shfaqen, nuk mund ta mbajë më rob dhe në këto kohë të reja presidentin Kiro Gligorov. Është rasti më i mirë mendoj, që përvoja e dukshme dhe shumëvjeçare e tij të pasurohet me elementë të rinj, në dobi të popujve që jetojnë në Maqedoni, të shtetit të përbashkët maqedonas, të paqes në përgjithësi.
*Një diplomat i Tiranës në Shkup: (Në fillimet e shtetit të pavarur të Maqedonisë së Veriut) (4)
Pershendetje ambasador. Gezohemi per librin. Permes Temes po e lexojme me shume kenaqesi. Te urojme dhe te gezosh gjithmone shendet.
Gafa me e madhe qe ka bere Sali Berisha eshte njohja e Maqedonise pa asnje kusht paraprak per te drejtat e shqiptareve atje. Ne ato vite kam udhetuar shpesh ne Maqedoni dhe kam pare gjendjen e mjerueshme ekonomike dhe trajtimin e shqiptareve atje. Autoritetet maqedonase deklaronin se shqiptaret ne Maqedoni ishin 10%, nderkohe qe ne te vertete ishin te pakten 30%. Ulja e numrit te shqiptareve behej duke regjistruar vetem ato qe ishin ne marrdhenie pune, ndersa te tjeret injoroheshin. Nje miku im nga Shkupi qe ishte ne marrdhenie pune, kishte pasaporte, por jo e shoqja shtepiake, 3 femijet, prinderit dhe gruaja e ve e xhaxhait. Pra nga 8 vete, vetem njeri ishte i deklaruar si qytetar i Maqedonise dhe kishte te drejte vote, ndersa 7 te tjeret nuk kishin asnje te drejte. Neper fabrikat apo institucionet maqedone, shqiptaret ishin gjithmone punetoret, ndersa maqedonet, pamvaresisht nga shkalla edukimit, punonin neper zyra. Kam takuar shqiptare me tituj shkencore qe punonin si hamej, pasi nuk u jepnin nje pune ne profesionet e tyre.
Po keshtu, policia maqedonase sillej shume keq me mjetet me targa shqiptare.
Arben Thaci
As sot shqiptaret nuk i kane te gjitha te drejtat kombetare ne Maqedoni, te cilat iu takojne, ne radhe te pare si popull shtetformues. Ndonese ka ndodhur lufta e UCK-se, Mareveshja e Ohrit, Ligji mbi Barazine e Gjuheve e Alfabeteve. Ky diskriminim mund te deshmohet kudo: ne secilin vend ku jetojne shqiptaret, eshte evidente varferia ekonomike, ajo e pabarazise kombetare, mungesa i perdorimit zyrtar te shqipes dhe alfabetit te saj, mungesa e perfaqesimit proporcional te shqiptareve ne institucionet shteterore, administrative e dikasteriet tjera te panumerta. Kombi maqedonas, nuk guxon ta bej te paditurin, dmth qe te veproje si struci, e t’i privoje edhe metutje nga te drejtat me elementare shqiptaret. Zbatimi i perpiket e Mareveshjeves se Ohrit, ne te gjitha konturat e saj, pastaj i perfaqesit adekuat te shqiptareve ne te tera institucionet shteterore si dhe zbatimi i perpiket i barazise se gjuheve dhe alfabeteve jane ceshtje kyqe qe nuk mund te shtyhen me.