Leonidha Mertiri
Vetëm për vetëm të dy, me tre karrige bosh në krah të secilit, të dy presidentët bisedojnë të ulur në oborrin e vilës “Biljana”. Asnjë dokument tjetër nga takimi. Flitet se Millosheviçi, e ka siguruar presidentin Gligorov se midis dy vendeve do të ketë një bashkëpunim të afërt dhe kurrfarë rreziku nga Serbia. Ai i ka kërkuar atij që të kundërshtohet ardhja e trupave amerikane në Maqedoni, për gjoja rrezikun që u vjen vendeve nga kjo ndërmarrje. Millosheviç ka shkuar dhe më tutje. Nisur nga marrëdhëniet e ngrohta serbo-greke, ai është i gatshëm të bëjë rolin e ndërmjetësit në konfliktin e Maqedonisë me Greqinë
Nga Leonidha Mërtiri*
1 qershor 1993.
Dje, më 31 maj, Presidenti Kiro Gligorov u takua në vilën “Biljana” në Ohër me Sllobodan Millosheviç. Një takim i befasishëm dhe jo i zakonshëm. Njoftimi, i dhënë për këtë takim nga kabineti i presidentit maqedonas, është mjaft i thatë. Ai përmblidhet në fjalët, se, të dy presidentët u ndalën në çështje me interes të përbashkët, diskutuan për situatën politike në Ballkan dhe stabilitetin e këtij rajoni. Pak a shumë, ky është i tërë informacioni. Asnjë dokument tjetër nga takimi.
Agjencia zyrtare Makpress, por dhe të përditshmet “Nova Makedonija”, “Veçer” apo mediet audiovizive nuk kanë dhënë asgjë të veçantë nga takimi, me përjashtim të disa sekuencave që kemi parë në Televizionin shtetëror dhe atë privat A-1, ku dy presidentët bisedojnë të ulur në oborrin e vilës “Biljana”. Vetëm për vetëm të dy, me tre karrige bosh në krah të secilit. Çuditërisht, masmedia maqedonase e “plotëson” memecllëkun e sotëm me reagimet e agjencive dhe mjeteve të huaja të informimit. Bien në sy ato të masmedias bullgare. “Oçestven vestnik” këtë takim e shikon si rezultat të nostalgjisë së presidentit Gligorov për ish Jugosllavinë, me theksin që, “nuk mund të pritet nga titistët të bëjnë ndryshime rrënjësore në zhvillimin e demokracisë së nevojshme”.
Ky është takimi i dytë midis Gligorovit dhe Millosheviçit, pas atij të dhjetorit 1991. Sipas disa burimeve, iniciator i takimit është presidenti serb, me synimin, për të pasur përfitimet e veta; te ndërkombëtarët- si njeri i hapur, me Serbi jo të izoluar, që inkurajon zhvillimin e marrëdhënieve dhe për të hipnotizuar më tej elektoratin e vetë, duke pasur në vazhdimësi gjithë përkrahjen në mizoritë dhe çmënduritë e tij.
Nga ana tjetër, duket e habitshme, që Gligorovi është pajtuar pikërisht në këtë moment për takimin: Me një Serbi të izoluar dhe me një lider- vrasës. Si ujk i vjetër në politikë, ai përpiqet të bëjë një politikë pragmatiste, pa harruar faktin që Maqedonia deri dje ishte pjesë e Serbisë, si Serbia e Jugut, pavarësinë e së cilës Beogradi nuk e ka njohur. Kjo mosnjohje vjen sepse shpresohet që fëmija plangprishës të kthehet në gjirin e mëparshëm, kur qysh herët thirrej “Banovina e Vardarit”. Republika e Maqedonisë është krijesë e Josip Broz Titos, më 2 gusht 1944, në Mbledhjen e ASNOM-it. Ai, në kuadrin e formimit të Federatës Jugosllave, e shpalli atë “Republika e Maqedonisë” dhe si një komb me gjuhën dhe kulturën e vet.
Kiro Gligorov, sikurse ma shprehu dhe në takimin tonë të dy muajve më parë, i trembet zgjerimit të mundshëm në Maqedoni të një lufte të nesërme në Kosovë. Vendi i tij u shkëput nga ish Jugosllavia pa një krisëm. Ushtria jugosllave u tërhoq prej saj duke lënë dhe një pjesë të armatimeve, pa folur për lidhjet e përbashkëta dhe nostalgjinë e njohur, si sllavë, për njeri tjetrin. Ndoshta dhe një pasiguri ndaj forcave të OKB-së, duke parë që, megjithëse ato janë të pranishme në Bosnjë-Hercegovinë, raprezaljet kanë vazhduar, imponojnë kështu afrimin me këtë situatë.
Ekonomia gjithashtu është vazhdimisht në rënie. Sanksionet ekonomike ndaj Serbisë dhe Malit të Zi kanë tek ajo ndikimin e vet së bashku me bllokimin nga ana e Greqisë, megjithëse, kur është fjala për embargon e naftës ndaj Serbisë, mallrat e saj hyjnë përsëri përmes tregtarëve serbë apo vendas, sikurse ndodh dhe me autobotet e naftës, të cilat i kam parë vetë në pikat kufitare të dy vendeve në Tabanovc, teksa presin të erret për të hyrë varg në territorin serb, pa kurrfarë droje nga forcat suedeze të UNPROFOR-it, sikur ato të ishin garanci e vërtetë e tyre (!). Gazeta “Nova Makedonija” e ilustron këtë me një fotografi, e cila nuk e di si është botuar, ku paraqitet kalimi i automjeteve të mësipërme nëpër Shkup, me targa të qyteteve të Serbisë dhe në krah, dy ushtarakë të UNPROFOR-it, duke soditur pranë makinave të tyre karakteristike.
Në këto bisedime, flitet se Millosheviçi, e ka siguruar presidentin Gligorov se midis dy vendeve do të ketë një bashkëpunim të afërt dhe kurrfarë rreziku nga Serbia. Ai i ka kërkuar atij që të kundërshtohet ardhja e trupave amerikane në Maqedoni, për gjoja rrezikun që u vjen vendeve nga kjo ndërmarrje. Millosheviç ka shkuar dhe më tutje. Nisur nga marrëdhëniet e ngrohta serbo-greke, ai është i gatshëm të bëjë rolin e ndërmjetësit në konfliktin e Maqedonisë me Greqinë, për të cilin është marrë vesh me autoritetet më të larta greke dhe se lidhur me emrin, pajtohet me atë të “Maqedonia Sllave”, me të cilin, sipas tij dhe, sikurse dihet, ky ka qenë propozim i palës greke. Për këtë rol të mundshëm të Millosheviçit, tërheq vëmendjen sot dhe një koment i gazetës proqeveritare greke “Elefteros Tipos”, i cili e sheh në këndvështrimin, “për të mundësuar njohjen dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me shtetin e vogël, si nga ana e Greqisë, ashtu edhe nga Jugosllavia e mbetur. Kështu, në mënyrë drastike, sipas komentit, do të dobësoheshin edhe argumentet amerikane për mbrojtje nga “agresiviteti” serb”.
Partitë politike shqiptare dhe media në gjuhën shqipe kanë reaguar qysh atë ditë dhe të nesërmen e takimit. Partia për Prosperitet Demokratik shpreh habinë për terrin informativ, përderisa nga zyrtarët e lartë të Maqedonisë, por dhe nga media audiovizive dhe e shkruar maqedonase nuk thuhet asgjë konkrete dhe me të drejtë shtohet kërshëria, por dhe dyshimi rreth këtyre bisedimeve. Ajo i bën thirrje presidentit Kiro Gligorov që, për to, në mënyrë urgjente, të njihet Kuvendi i Republikës. Kurse Këshilli i Partisë Demokratike Popullore, në mënyrë të drejtpërdrejt, e vlerëson takimin si “një mjegull ndaj sovranitetit të Maqedonisë” dhe kërkon miratimin e ligjeve të reja dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Gazeta “Flaka e vëllazërimit” konkludon nga një kënd tjetër për takimin. Sipas saj, Millosheviçi, duke mbrojtur Maqedoninë, “kërkon të ruaj një bosht të vjetër dhe një lidhje të papenguar me vëllain grek”. Ndaj palës maqedonase gazeta, e cila subvencionohet nga ndërmarrja botuese “Nova Makedonija”, për këtë rast nuk mban ndonjë qëndrim konkret.
*Një diplomat i Tiranës në Shkup: (Në fillimet e shtetit të pavarur të Maqedonisë së Veriut)
Ketij takimi i eshte bashkuar edhe Sali Berisha! U diskutua per embargon qe i ishte vendosur Serbise dhe Sala premtoi Miloshevicit nafte ne kembim te eleminimit te uck. E kam degjuar kete nga Thaci
Ne fotografi nuk eshte Grigorov
Vezhgusi ka te drejte, ne fotografine e pare eshte Ivan Stamboliç, i kombesise serbe, anetar i kryesise se jJugosllavise, i perket gardes se Titos, por gaboi rende me afrimin qe i beri Milosheviçit , pasi brenda nje kohe te shkurter ky i fundit e neutralizoi politikisht, e me pas fizikisht ne menyre mafioze prane nje pylli e nuk i dihet as varri). Kurse ne foton ne mbrendesi te artikullit eshte ajo e Gligorovit me Milosheviçin..
Shkruar bukur nga ky diplomat, çfshihet pas takimit te kasapit te ballkanit me presidentin e ish republikes jugosllave, por dhe zgjimit te reagimeve ndaj kesaj ngjarje. Nga ato qe kemi lexuar ne Tema, libri i ketij diplomati rrit kersherine e lexuesit.
ju lutemi, ku ta gjejme librin ‘Nje diplomat i Tiranes ne Shkup’ te diplomatit dhe publicistit te njohur Leonidha Mertiri, ne cilat librari.
Ai ne foto eshte Ivan Stambolic, qe u vra nga dora e Miloshevicit.
Ngjarjet intensive dhe te pa publikuara e te njohur per publikun, per nje shtet no formim e ben me intensive kersherine per te patur dhe lexuar kete liber interesant dhe me vlere njohese politico shoqeror te ndjekim Loni pas cdo rubrike , urime per kete dhurate te bukur per lexuesin
SHresoja qe LONI ose me mire TEMA artikullin e pare te botonte atentatin e pregatitur nga inteligjenca RUSO SERBE kunder GLIGOROVIT ku ngeli i plagosur dhe mos gabohem dhe qore me nje sy,dhe me vone shtjelloheni librin si te doni per ti dhene lexusit natyren kriminale te SERBEVE DHE PERSONALISHTE milloshqeniçit.