Këshilli Politik u rikthehet tryezave pasditen e kësaj të hëne, ku për diskutim ka një sërë çështjesh të nxehta që kanë lindur pas ndryshimit të Kushtetutës në seancën e 30 korrikut, ku hapen listat emërore të kandidatëve.
Hapja e listave kushtëzohet në jo më pak se dy të tretat e tyre. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se kjo nuk përjashton hapjen e plotë të tyre, por duke garantuar përfaqësimin gjinor, sipas një mekanizmi të besueshëm.
Këto ndryshime mund të pasojnë edhe ndryshimin e formës së koalicioneve parazgjedhore. Kryeministri Rama është shprehur se koalicionet do të lejohen vetëm me një listë të përbashkët emërore dhe jo në formën e zgjedhjeve të 2013-ës dhe 2009-ës.
Nga ana e saj, Partia Demokratike kërkon hapjen e plotë të listave dhe mosndryshim të formulës së koalicioneve. Opozita akuzon Kryeministrin se synon që të ndalojë koalicionet zgjedhore me hapjen e listave, ndërsa ka propozuar një fletë-tip sesi mund të votohet edhe me lista të hapura, edhe pa ndryshuar koalicionet.
PS ka thirrur Këshillin Politik për të reflektuar në Kodin Zgjedhor ndryshimet kushtetuese. Por, këto ndasi mund të risjellin përplasjet e forta në këtë institucion, që edhe njëherë tjetër mund të kërkojë ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve.
Nga ana e saj, mazhoranca ka paralajmëruar se nuk do të presë shumë gjatë konsensusin e opozitës për këto ndryshime dhe mund të procedojë në Parlament me miratimin e njëanshëm të tyre.(SI)