Saranda, destinacioni i preferuar turistik, Gurma: Mbi 200 mijë pushues në qershor-gusht

20 Shtator 2020, 12:56Sociale TEMA

Qyteti bregdetar i Sarandës edhe këtë sezon veror ishte një ndër destinacionet kryesore të turizmit.

I njohur për plazhet mahnitëse, ujin e kristaltë dhe monumentet e shumta natyrore gjatë periudhës qershor-gusht pati një numër të lartë vizitorësh, por në krahasim me vitet e kaluara ky numër ishte më i ulët për shkak të pandemisë COVID-19.

Kryetari i bashkisë së Sarandës, Ardian Gurma, tha për ATSH-në se “në periudhën qershor-gusht Saranda u vizitua nga 200-220 mijë turistë vendas e të huaj. Ky numër krahasuar me vitet e kaluara është më i ulët, për shkak të pandemisë. Në vitin 2019 në të njëjtën periudhë Saranda u vizitua nga rreth 820 mijë turistë”.

“Këtë sezon turistik Saranda u frekuentua nga turistët vendas, ata nga Kosova dhe shtetasit e huajt si nga Polonia, Maqedonia e Veriut dhe Serbia etj”, – theksoi Gurma.

Sipas tij, muaji gusht ishte më i preferuari i turistëve ku pati edhe një rritje të numrit të tyre.

“Më të frekuentuarit si në Sarandë edhe në Ksamil kanë qenë hotelet në vijën e parë të bregdetit, të cilat ishin të prenotuar në nivelin 35-40%”, – tha Gurma.

Kryebashkiaku Gurma shprehet se “edhe qyteti antik i Butrintit ka qenë pjesë e itinerarit të turistëve të huaj, të cilët mahniten me bukurinë dhe qetësinë që ky park kombëtar ofron”.

Faqja e njohur e udhëtimeve turistike “TripAdvisor” në listën e nxjerrë në muajin prill me 25 destinacionet më të mira në botë, që i sugjeron për t’u vizituar këtë vit e renditi Sarandën në vendin e dytë.

Saranda, e ndodhur në gjirin e detit Jon, konsiderohet si një nga vendet më të bukura të rivierës shqiptare dhe nga destinacionet më argëtuese. I përkufizuar si “Qyteti i bardhë”, ai është i rrethuar nga kodra dhe përballë tij ndodhet ishulli grek i Korfuzit.

Përveç diellit e plazhit, Saranda njihet dhe për historinë dhe kulturën e saj: e magjishme është kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit tërheq turistët e shumtë me historinë e tij mijëra vjeçare.

1 komente në “Saranda, destinacioni i preferuar turistik, Gurma: Mbi 200 mijë pushues në qershor-gusht”

  1. Bk says:

    Turp per ty qe vjen Ambasadorja amerikane dhe organizon ounen per nxjerrjen e me shume se 1000 gomave nga deti. Te pakten te jete mesim per te ardhmen.
    Shpejto punen per shetitoren se me ritmet qe pashe aty edhe vitin tjeter do ta nxjeresh ndonje pretekst tjeter.
    Ceshte ai mur mbi 5m qe eshte ngritur anes detit deri tek Demi!! Ze kompleet pamjen e detit. Kam pershtypjen se Rama ka gabuar me ty. Me pak llafe dhe shtroju punes konkrete.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje