Gjuriç: Hoti mund ta gënjejë publikun, por s'do t’i ikë krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë

28 Shtator 2020, 13:57Politika TEMA

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha se kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, “mund ta gënjejë publikun sa të dojë”, por ai “nuk do t’i ikë” krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Ai [Hoti], në takimet në Bruksel, këndon këngë tjetër dhe jo vetëm që premton se do ta mundësojë formimin e Asociacionit të komunave serbe, por edhe garanton autorizime shtesë për të”, tha Gjuriq në një deklaratë të publikuar në ueb-faqen e Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë.

Gjuriq, i cili është edhe udhëheqës i delegacionit të Serbisë në bisedimet në nivel ekspertësh me Kosovën, tha se Hoti duhet të ndërmarrë urgjentisht hapa për të formuar Asociacionin, pas një vonese shtatëvjeçare.

Formimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Derisa Kosova insiston tani se nuk dëshiron ta hapë më çështjen e Asociacionit në bisedimet me Serbinë, kjo e fundit kërkon që të bisedohet për të.

Edhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lakçak, ka thënë se Asociacioni “duhet të adresohet në kuadër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse” midis Kosovës dhe Serbisë.

Por, Hoti përsëriti të hënën se çështja e Asociacionit është një temë e mbyllur tashmë dhe se ajo nuk hapet.

Gjuriq, në anën tjetër, tha se çështja e Asociacionit “do të mbyllet kur ai të formohet në përputhje me marrëveshjet e arritura në Bruksel, madje as atëherë, sepse Asociaioni është menduar dhe dakorduar si një institucion, që mund ta zhvillojë dhe zgjerojë edhe anëtarësimin, edhe kompetencat e tij”.

Një takim i Kosovës dhe Serbisë, në nivel ekspertësh, ka qenë i paraparë të mbahet sot në Bruksel, por ai është shtyrë për shkak të, siç kanë thënë zyrtarët evropianë, situatës së krijuar me koronavirus.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje