Bashkimi Evropian ka sqaruar se qëndrimi i saj mbetet se të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohet dhe se në zbatimin e Marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të merret parasysh edhe mendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
“I takon Kosovës që të propozojë si të ecet përpara, me zbatimin e marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015, duke marrë parasysh mendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano kur u pyet se “a duhet të zbatohet Marrëveshja për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”.
Më herët, Stano kishte thënë se Kosova me këto marrëveshje ka marrë obligime me vullnet të mirë dhe duhet t’u përmbahet atyre obligimeve.
“BE-ja dhe shtetet anëtare presin nga palët që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet nga e kaluara. Çështjet e hapura nga marrëveshjet e mëparshme duhet të adresohen paralelisht me negociatat në vazhdim e sipër për marrëveshjen gjithëpërfshirëse”, tha Stano, teksa iu përgjigj pyetjeve lidhur me atë se a do të bisedojnë palët për krijimin e Asociacioniz gjatë bisedimeve në Bruksel.
“Asociacioni është një mjet i krijuar në vitin 2013 për të adresuar nevojat e komunitetit joshumicë serb në Kosovë. Si pjesë e negociatave për marrëveshjen gjithëpërfshirëse është thelbësore që të adresohen në përgjithësi aranzhimet për komunitetin joshumicë. Në vitin 2013, Kosova ka hyrë në Marrëveshje për të themeluar Asociacionin e komunave serbe. Kjo marrëveshje është bërë me vullnet në mirëbesim nga të gjitha palët e përfshira. Nuk është anuluar apo tërhequr asnjëherë. Në fakt, Marrëveshja e vitit 2013 është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës me shumicën e 2/3 të votave. Duke bërë këtë, Kosova ka marrë obligime ndërkombëtare për të zbatuar këtë marrëveshje”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.
Zëdhënësi i BE-së, duke shprehur qëndrimin e bllokut evropian, ka shtuar se “i takon Kosovës që të propozojë rrugën tutje për zbatimin e kësaj marrëveshjeje”.
Stano ka thënë se “vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me Asociacionin rregullisht është keqinterpretuar”.
“Gjykata asnjëherë nuk ka thënë se Asociacioni nuk mund të themelohet. Prandaj, presim nga Kosova që të respektojë obligimin që ka marrë përsipër në dialog. Çështja e aranzhimeve për komunitetin joshumicë -Asociacionin duhet të adresohet si pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, ashtu siç kishin rënë dakord liderët në takimin e tyre të parë në korrik të vitit 2020 dhe ishte konfirmuar në rundin e fundit më 7 shtator”, është shprehur Stano.
Krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe tash e një muaj është bërë temë e kundërshtimeve mes Kosovës dhe Serbisë. Përderisa Beograd ka insistuar që për këtë temë të diskutohet në dialog dhe ajo të zbatohet sa më shpejtë, pala kosovare ka refuzuar një gjë të tillë. Por, Beogradi ka shprehur mospajtime edhe për propozimet që Asociacioni të themelohet në bazë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Madje, në takimin e fundit të Kosovës dhe Serbisë në nivel ekspertësh në Bruksel, Beogradi e kushtëzoi vazhdimin e dialogut me këtë çështje.
Në prill të vitit 2013, Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, patën arritur Marrëveshjen e parë të Brukselit, ku në bazë të kësaj marrëveshjeje parashihej edhe krijimi i një Asociacioni/Bashkësie të komunave me shumicë serbe.
Sipas marrëveshjes, Asociacioni do të krijohet me statut dhe do të themelohet mbi po të njëjtat baza sikurse statuti ekzistues i Asociacionit të komunave të Kosovës, si për shembull do të ketë kryetar, zëvendëskryetar, Asambleje dhe Këshill.
Më 2015, po në kuadër të dialogut të Brukselit, palët arritën Marrëveshjen mbi parimet për krijimin e këtij Asociacioni, marrëveshje e cila ende nuk është jetësuar, përkundër insistimit të Beogradit zyrtar.
Në tetor të vitit 2015, kjo marrëveshje u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015, tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj, nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.
Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe statuti që zbaton partimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, duhet të plotësojë standardet kushtetuese.
Në fakt, është e diskutueshme që Asociacioni nuk bazohet në multietnicitet, por bashkon komuna në të cilat një komunitet etnik është shumica. Janë gjithsej dhjetë komuna me shumicë serbe në Kosovë.
Republiçka Serbe 2 menjefjale! EU pasi e knaqi Bosnjen tani do te dhjese dhe Kosoven! Nese zbatohet kjo shpikje Ruse i bie qe kudo ka shqiptare ne ballkan te bejme njesoj. Shoqata e Komunave Shqiptare ne Mal te zi, ne Maqedoni te Veriut, ne Greqi biles dhe ne Kosove! Me pak fjale lufte ballkanike e garantuar. Edhe kesaj rradhe e frymezuar nga kremlini per te demtuar vete BE. I pafshi hajrin ballkanit mutietnik ku ka vetem serbe dhe shqiptare qe nuk merren vesht. Ju rrofte dhe Liqeni Trump i banditit Thaqi…
Aleks,
Komenti yt eshte i drejte me kushtin qe “Republicka Serbe” eshte qellimi i Serbise. Komenti yt nuk eshte i drejte me kushtin qe shqiptaret e kane kuptuar me kohe kete skenar te Vuciqit. Komenti yt nuk eshte i drejte duke u nisur edhe nga fjala e Stano(s).
E verteta eshte pak me ndryshe se sa komenti yt. Serbet dhe shqiptaret po luajne si gomari me pelen. Po qe se gomari(lexo Serbia) do e mballose pelen(Kosoven) do kemi mushken kosovare qe nuk do jete e zonja te pjelle me….Do kemi nje Bosnje te dyte.
Po qe se pela(lexo Kosova) nuk do i dorezohet gomarit(Serbise), gomari do vazhdoje ti “bjere me dore”.
E verteta eshte pak me komplekse se mendja jote. Praktikisht Evropa po mbeshtet Kosoven ne kete mesele. Ajo ra dakort me palen shqiptare qe takimi i rradhes te mos perfshinte diskutimin per “asiacionin e komunave serbe”, sepse ky ishte nje problem i brendshem i Kosoves. Ketu perseri ka merite Thaci qe foli hapur per kete problem…
E verteta per mendjen e zgjuar qendron keshtu: platforma jone duhet te mbeshtetet qe kjo pike te perfshihet ne marreveshjen gjitheperfshirese. Ajo duhet te kushtezohet me njohjen nga ana e Serbise si fillim. Momentalisht koha eshte ne anen tone sepse Evropa e mendon “asiacionin e komunave serbe” si problem te brendshem te Kosoves. Me nje fjale(qe te mos zgjatem shume), shejtani ne kete rast do jete ne detaje… Nga gjithcka, Serbia ne fund to fitoje asgje, po qe se shqiptaret punojne per Kosoven. Nga asgje, Serbia mund te fitoje gjitcka(bile edhe “republicka serbe”) po qe se shqiptaret do jene syleshko, apo spiune te Serbit…
E drejta eshte me ne, sepse ne do i “rregullojme Serbet e Kosoves me te gjitha te drejtat”, por gjithmone ne funksion te forcimit te shtetit te Kosoves…
Jam kurioz te di se cmendon Albini ne kete mes. Ai me siguri do e vinte karrocen para kalit….
Europa pasi e detyroi politiken servile te Kosoves te firmose per asosacionin, I cili eshte I papranueshem nga gjykata kushtetuese nxit perseri qeverine te permbylli kete marreveshje qe do te ngelet si gozhda e Nastradinit ne Kosove.
Pse duhet pranuar nje gje e tille kur asnje vend europian nuk e ka me perjashtim te Bosnjes ku ka rezultuar deshtim I plote.
Si nuk merret Europa me njohjen nga Serbia te krimeve te luftes ne Kosove e shume probleme te tjera deri tek zhbllokimi I pensioneve te Kosoves, por ja kreh Serbise bishtin sikur do te tregoje qe ajo ishte viktima dhe Kosova e pushtuar me pare nga kjo me ndihmen e Europes si agresore.
Ne vend qe ti beje presion Kosoves se pervuajtur, ti beje presion 5 vendeve europiane anetare qe ta njohin ate, veprim ky qe do t’ja ulte vleren njohjes se saj nga ana e Serbise.