Murtaja apo kolera?

20 Tetor 2020, 11:27Rajoni TEMA

Nga Enver Robelli

Çka arriti kjo klasë politike e Kosovës për gati 10 vjet dialog? Së pari i krijoi rrethanat për themelimin e një “Republike Serbe” brenda Kosovës. Pastaj i nxori në pazar kufijtë e Kosovës.

Për Serbinë, si humbëse e konfliktit, këto janë dy shanse për t’u kthyer si faktor në dizajnimin e shtetit të Kosovës sipas interesave të Beogradit: nëse nuk lejohet ndarja, e bëjmë “Republikën Serbe” brenda Kosovës. Ky është projekti i tanishëm.

Pra, zgjidh e merr: murtajën apo kolerën? Ndarja (shkëmbimi i territoreve, korrigjimi i kufijve dhe eufemizma të tjerë) tani për tani duket se ka dështuar si projekt, por tash Kosovës i ofrohet shishja me helm, që Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa ia kanë sjellë Kosovës nga Brukseli: Asociacioni i komunave serbe. Serbia nuk është e interesuar të themelojë organizata joqeveritare në Kosovë. Serbia kërkon të jetë bashkëqeverisëse përmes Listës Serbe dhe Asociacionit të komunave serbe.

Dhe këtë rrugë Beogradit ia kanë hapur partitë që kanë sunduar nga viti 2010 (PDK dhe LDK). Pse është me rëndësi të përmendet viti 2010? Sepse atëherë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vulosi pavarësinë e Kosovës, ndërsa klasa politike kosovare hyri në një proces pa plan, pa ide, pa qëndrime të qarta. Hyri në negociata për të mbetur faktor i pazëvendësueshëm i bashkësisë ndërkombëtare. Dhe si mbetesh faktor i pazëvendësueshëm? Duke lëshuar pe e bërë koncesione të pandërprera, pastaj kur premtimet e BE-së dalin gënjeshtra, ngutet shefi i partisë që nga arkat e tij në mal të nxjerrë një dokument dhe si dashnor i tradhtuar thotë: po, ajo Mogherini kështu më ka thënë atëherë… Federica Mogherini e ka braktisur politikën aktive në nëntor 2019, më 1 shtator 2020 ajo është zgjedhur rektore e College of Europe në Brugge të Belgjikës. Marrëveshjet që i ka arritur, fjalët e saj, premtimet e saj janë avulluar ose janë dëshmuar si të pazbatueshme në praktikë.

Por ky nuk është halli i saj, hallet e problemet i kanë mbetur Kosovës. Krejt kjo komedi, krejt këto lëshime që pala kosovare ia ka bërë Serbisë janë shoqëruar me përbetime se Serbia de fakto e ka pranuar Kosovën dhe me premtime se BE-ja do t’i heqë vizat. Nuk ka ndodhur as njëra, as tjetra. Ndërkohë qytetarët i kanë duruar këto parti. Shumë bile i kanë zgjedhur këto parti. Ndërkohë dikush ka gërryer vendin (gurthyesit!), tjetri është marrë me transaksione nëpër banka turke. Korrupsioni është bërë stil sundimi. Nëse kjo dekadë mund të përshkruhet me një fjali, atëherë me këtë: duke e vjedhur Kosovën ndjellim edhe kthimin e Serbisë në Kosovë ose prishjen e kufijve të Kosovës. Dhe mos harroni: këto parti ende janë në pushtet (PDK formalisht në opozitë, por e gjallë në çdo pore të kapjes së shtetit).

Ndonëse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë tha se kur një popull synon lirinë, atëherë nuk ka kufi, madje as kufi juridik, politikanët e Kosovës brenda një dekade vendosën të heqin disa kufij për të vrapuar pas premtimit se sa më shumë që lëshojnë pe ndaj Serbisë, aq më afër dita kur Beogradi do ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Strategjia e Beogradit ka qenë zvarritja e problemit, pritja derisa të ndryshojnë rrethanat gjeopolitike, shpresa se do të shembet rendi botëror që e çliroi Kosovën. Dhe ky rend, nëse krahasohet me vitin 1999, për fat të keq, ka rënë. BE-ja, për shembull, tani i duron autokratët edhe brenda radhëve të veta, ndërsa me autokratët në Ballkan e ka gjetur një “Modus Vivendi”: për aq kohë sa nuk ka luftë, të lirë jeni për pothuaj të gjitha poshtërsitë. Nën Donald Trumpin, SHBA-ja zbret nga treni i multilateralizmit dhe presidenti më i pazakonshëm në historinë moderne të SHBA-së nisi t’i shante aleatët e t’i lavdëronte autokratët anekënd botës.

2 komente në “Murtaja apo kolera?”

  1. Shpalosësi says:

    Hala ne sy!
    UÇK-ja, PDK-ja dhe perseri PDK-ja, AAK-ja, pra gjithnje krahu i luftes sikur per ty, sikur per Beligradin jane fajtor per gjithçka qe ndodhe ne Kosove. Jam shume kurreshtar nese ne ditet vujuese do ta shkruani nje artikull ne gazeten Tema, per dhuraten “PARABELLUM ME 200 PLUMBA” te gjeneralit greke, qe ia dha pseudopacifistit “shqiptar”, autorit te poezive per Titon. Ti zoteri i Xhilanit (Gjilanit) e dine per kend eshte fjala. Objektiviteti eshte gje atraktive apo ate duhet fshehur?

  2. agimi says:

    Keti i dhembe qe Kosova nuk mbetet ne Serbi dhe jo dicka tjeter.Pismaluk,e therrasim ne gjojen si ky .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje