Koronavirusi po vret më pak banorë të Nju-Jorkut sesa kishin parashikuar ekspertët shëndetësorë, tregon një studim i ri.
Shkalla e vdekjeve në rajon ka rënë nga nivelet më të larta që ishin në fillim të pandemisë.
Pasi Nju-Jorku u bë epiqendra e pandemisë në fillim të marsit, kur viktimat ishim me dhjetëra mijëra, ekspertët prisnin që infeksioni të mbetej aq vdekjeprurës në muajt në vijim.
Por, një hetim i ri tregoi se deri në mes të gushtit, niveli i vdekjeve te të shtruarit në spital me sëmundje të lidhura me koronavirusin kishte rënë nga 27 pikë përqindjeje, në rreth 3 pikë përqindjeje. Studimi tregoi se pacientë më të rinj dhe më të shëndetshëm po paraqiten në spital me simptoma më pak të rënda sesa rastet e pranverës.
Sidoqoftë, analiza e studiuesve tregoi se këta faktorë përbënin vetëm një pjesë të përmirësimit të normës së mbijetesës. Pjesa tjetër, dyshojnë ata, kanë ardhur si rezultat i përvojës në rritje të punonjësve të sistemit shëndetësor.
Për shembull, mjekët mësuan se vendosja e pacientëve me COVID-19 në pozicion barkas dhe jo në shpinë dhe shtyrja e përdorimit të ventilatorëve për aq kohë sa ishte e mundur ishin praktika më efektive, thonë autorët e studimit. Ilaçet ka të ngjarë të ketë ndihmuar gjithashtu.
Për më tepër, faktorë të tjerë si ekspozimi më i vogël ndaj infeksionit dhe testimi dhe trajtimi i mëparshëm, mund të kenë luajtur rol.
“Gjetjet tona sugjerojnë që ndërsa COVID-19 mbetet një sëmundje e tmerrshme, përpjekjet tona për të përmirësuar trajtimin ndoshta po funksionojnë“, thotë autorja kryesore i studimit, Leora Horwitz, profesore e asociuar në Departamentin e Shëndetit të Popullatës në NYU Langone Health.
Horwitz thotë se studimi i ri, i cili do të publikohet javën e ardhshme në “Journal of Hospital Medicine”, është analiza më e hollësishme deri më tani e niveleve të vdekjes nga koronavirusi. Duke llogaritur moshën, mbipeshën dhe faktorë të tjerë të rëndësishëm, studiuesit arritën të eleminonin disa shpjegime nga analiza.