Ilir Meta ka rikthyer në Parlament ligjin e ri zgjedhor, të hartuar bazuar në marrëveshjen e 5 qershorit dhe të ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut.
Kreu i shtetit e kishte paralajmëruar kundërshtimin e ndryshimeve në Kuvend, që solli hapjen e listave dhe përputhjen me praktikën e të gjitha vendeve të botës së listës unike të koalicioneve parazgjedhore.
Pra dihej që Meta do ta kthente Kodin Zgjedhor në Kuvend!
Kishte mbetur mister fakti që përse e vononte kaq shumë, vonesë e vënë në dukje dhe nga kryeministri Edi Rama, i cili kërkoi publikisht nga Meta që ta firmoste sa më shpejt kthimin në Kuvend, pasi do ta votonin sërisht ashtu siç është.
Presidenti e vonoi deri në kapërcyell të afatit kushtetues dekretimin e Kodit të ri Zgjedhor, për ta shpërndarë sot në media, teksa po zhvillonte një vizitë në qytetin e “serenatave”, Korçë.
Ajo që cedon është sjellja politike e kreut të shtetit dhe mbi të gjitha motivimi për ta rrëzuar ligjin e ri të dalë nga Parlamenti me gati 100 vota dhe arsyetimi pse e kishte bërë.
Gjykimet dhe vendimet e Ilir Metës ka kohë që nuk janë me një apo dy standarde. Ajo janë me stadarde të shumëfishta, ku në fund të herës prevalon “ligji” apo institucioni i cili “më pëlqen dhe më bën më shumë punë mua”.
“Pra ligji jam unë”, si kishte devizën Luigji i 14-të i Francës, i cili kishte kompetenca të plota në atë kohë dhe jo si Ilir Meta që është një President me kompetenca thellësisht të kufizuara.
Nuk po ndalemi tek arsyetimi ligjor që ka paraqitur Meta për kthimin e Kodit të ri Zgjedhor në Kuvend, në thelb të të cilit është fakti se sipas tij, kuorumi që ka votuar është ilegjitim, pasi deputetët e rinj kishin marrë menjëherë mandatet e djegura nga PD-LSI. S’kishin pritur sa të pendoheshin ata dhe të ndërronin mendje!
Megjithëse është një standard i dyfishtë ky argument i sjellë nga Meta për të kundërshtuar ligjin e ri zgjedhor, për shkak se ka dekretuar ligje dhe marrëveshje shumë të rëndësishme të dalë nga këta “deputetë ilegjitimë”.
Ajo që duam të nënvizojmë është se nga e ka marrë motivimin Ilir Meta për të rrëzuar ligjin e ri zgjedhor, vendim i deklaruar shumë kohë para arsyetimit ligjor të paraqitur sot.
Në disa dalje publike, Presidenti i Republikës së Shqipërisë është shprehur me zë dhe figurë se kishte dëgjuar thirrjen e Partive Popullore Europiane për të kthyer në Kuvend ligjin zgjedhor.
Për të gjithë ata që nuk e dinë se çfarë janë PPE-të, mund të sqarojnë se janë një grupim politik partish të djathta dhe ekstremisht të djathta, pjesë e të cilës është dhe PD. Eshte dhe partia e Viktor Orban, e Gruevskit dhe parti të tjera të ekstremit.
Ilir Meta një ish socialist, që mbron “ngjyrat” e LSI si kryetar real i kësaj partie, dëgjon thirrjen dhe merr mendjen e një grupimi politik, dhe jo të partnerëve tanë ndërkombëtarë, SHBA dhe BE, për të mos dekretuar Kodin Zgjedhor dhe tentuar rrezikimin e 25 prillit si datë e zgjedhjeve.
Nuk po ia shpikim një qëndrim të tillë Ilir Metës, e ka deklaruar gjithnjë, ndërkohë që nga Korça e deklaroi dhe këtë të premte.
“Reagimi i menjëhershëm i Partive Popullore Europiane pas miratimit të ligjit në Kuvend, dhe thirrja e tyre drejtuar Presidentit për ta kthyer në Kuvend këtë akt, me qëllim rikthimin e tij në shinat e marrëveshjes së 5 qershorit, ishte arsyeja kryesore për t’i dhënë mundësi mazhorancës të reflektojë dhe të respektojë marrëveshjen, në të kundërt mazhoranca do të mbajë një përgjegjësi kritike jo vetëm për këtë precedent të rrezikshëm të ndryshimit të rregullave të lojës në mënyrë të njëanshme. Respektimi i kësaj marrëveshje është një kusht i padiskutueshëm për rrugëtimin europian.
Presidenti është i qetë pasi është në një gjatësi vale me popullin shqiptar. I gjithë populli shqiptar është i mërzitur me lojëra dhe kërkon t’i jepet fund kësaj krize artificiale. Kthimi mund të ishte bërë më shpejt po u bë një motivim i arsyeve së bashku me ekspertë për të gjitha standardet që shkel. Shpresoj që mazhoranca t’i lexojë këto arsyetime dhe të reflektojë.
Në rast se do të kemi një këmbëngulje për të dëmtuar zgjedhjet dhe për t’i prishur ato, presidenti do të jetë me gjithë popullin për të treguar se e ardhmja është Shqipëria si gjithë Europa”, tha Meta nga Korça.
Pra dëgjoi PPE-të, këtë grupim partish europiane, në të cilën është anëtarësuar partia më e madhe opozitare shqiptare, dhe nuk dëgjoi sëpaku qëndrimin e fundit të qeverisë amerikane, të shprehur të enjtën në mbrëmje publikisht nga ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim.
E pyetur nëse marrëveshja e 5 Qershorit u shkel apo jo, Kim ka dhënë një përgjigje të qartë: “Mendoj se deklarata që nxori ambasada e SHBA ishte shumë e qartë, pra që metoda me të cilën u arrit marrëveshja 5 qershorit ishte një mënyrë e mirë dhe që duhet të ishte përdorur si model për marrëveshjet në të ardhmen.
Në të njëjtën kohë ne s’mund të mohojmë kompetencën e parlamentit për të miratuar legjislacion. Lidhur me pyetjen nëse 5 Qershori u shkel apo jo, njerëz të ndryshëm kanë mendime të ndryshme.
Edhe opinioni im është shumë i qartë për këtë, ajo që ndodhi përtej 5 Qershorit, shkon përtej 5 Qershorit por nuk e shoh si shkelje të 5 qershorit”, u shpreh ambasadorja Kim të enjten.
Pra nuk ka shkelje të marrëveshjes së 5 qershorit sikurse pretendon Meta dhe që kishte marrë parasysh dhe thirrjen e grupimit politik të djathtë europian.
Shteti nuk qeveriset me direktiva partie, qofshin këto dhe europiane, të djathta apo të majta.
Pasi qëndrimi i Metës është njësoj sikur Edi Ramës, si kryetar i PS dhe i qeverisë t’i shkrepej dhe të pyeste vetëm Internacionalen Socialiste, anëtare e së cilës është PS, për të gjitha vendimet në qeveri, nismat ligjore që çon në Kuvend apo elementë të tjerë të qeverisjes së Shqipërisë.
Po nga Ilir Meta çfarë nuk pritet.
Ai deklaroi se do të zbatonte dhe “sheriatin islamik” ndaj të gjithë atyre që prekin votën, duke u prerë një dorë.
I bie që Meta dhe Kryemadhi të hyjnë pa duar në zgjedhje, pasi blerjen e votës janë ata që e kanë perfeksionuar aq shumë sa e kanë ngritur në sistem./M.N-TemA
SI MUNDET TE BANALIZOSHE NJI MASKARADE TE KTIJ
KRIMINELI TRAFIKANTI HAJNI XHAMBAZI PRESIDECE DUKE BO
ALUDIME TE TILLA IDIOTE ❕