Popullisti agresiv nga Lubjana

25 Tetor 2020, 14:31Bota TEMA

Nuk është befasi që kryeministri slloven Janez Jansha, i dyshuar vazhdimisht për korrupsion, përkrah Donald Trumpin për president të SHBA-ve. Por këtë përkrahje ai po e shoqëron edhe me sulme primitive kundër Joe Bidenit dhe me polemika. Një shembull se si helmi i popullizmit depërton edhe në shtete që dikur ishin shembuj të mirë. Sllovenia e Janshës tani është shembull i keq.

Nga Enver Robelli

Në Jugosllavinë socialiste Sllovenia, republika më veriore e shtetit shumëkombësh, gjithmonë ka qenë avangardë. Frigoriferët më të mirë (Gorenje!), pashtetat më të mira (Argeta!), ujin mineral me gjasë më të mirë (Radenska!), rrogat më të larta, ekonominë më të zhvilluar, skitë më të mira (Elan!), Cocta (versioni jugosllav i Coca Colas!), mediat më të mira (Mladina, Delo), politikanët më racionalë, madje edhe ata që vinin direkt nga Lidhja e Komunistëve të Sllovenisë, pjesë e Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë.

Politikanët sllovenë kanë qenë ndër të parët që u solidarizuan me grevën e minatorëve të Trepçës në Kosovë më 1989. Nga fundi i viteve 80-të mediat sllovene gjerësisht e tematizuan represionin serb në Kosovë. Atëbotë gazetarët sllovenë qenë ndër të parët që erdhën në Kosovë për të raportuar mbi tensionet e shkaktuara nga Sllobodan Millosheviqi në prag të heqjes së autonomisë së Kosovës dhe pas heqjes së autonomisë.

Çka ka ndodhur ndërkohë me Slloveninë? Më 2020 për të tretën herë kryeministër është zgjedhur Janez Jansha, dikur disident dhe kundërshtar i hegjemonizmit serb, madje i burgosur dhe i dënuar në një proces të montuar politik. Ndërkohë Jansha është shndërruar në një popullist agresiv dhe polarizues, nxënës recitues i Viktor Orbanit nga Hungaria, kundërshtar i Angela Merkelit dhe i politikave humane ndaj refugjatëve, adhurues i verbër i Donald Trumpit, kundërshtar i mediave të pavarura, ithtar i teorive të komplotit (pas çdo lisi slloven fshihet një komunist slloven dhe në çdo zyrë drejtësie punon një komunist apo pinjoll komunistësh – kjo është bindja absurde e Janshës). Në autokrat nga alpet.

Janez Jansha ka qenë i akuzuar për korrupsion, i dyshuar për keqpërdorime të ndryshme, ka qenë i shtyrë të japë dorëheqje pas akuzave për korrupsion, por një dënim kundër tij për korrupsion e ka anuluar Gjykata Kushtetuese. Një arsye për Janshën për të brohoritur se juridikisht është i pafajshëm, por ka pak njerëz në Slloveni dhe jashtë Sllovenisë që besojnë se ai është i pastër.

Prandaj, nuk është befasi që Janez Jansha në zgjedhjet e 3 nëntorit në SHBA mbështet Donald Trumpin. Jo për shkak se Trump është “dhëndër i Sllovenisë”, por për shkak se Jansha pëlqen mendësinë dhe metodat politike të presidentit amerikan. Në profilin e tij në Twitter Jansha jo vetëm që ka përkrahur Trumpin, por shpesh poston edhe mesazhe përkrahëse për Trumpin dhe shpërndan akuza kundër Joe Bidenit dhe ekipit të tij, duke e akuzuar për korrupsion. Në postimin përkrahës për Trumpin Jansha tha se Biden do të ishte presidenti më i dobët amerikan. Kjo shkaktoi një polemikë me një zyrtar të fushatës së Bidenit, me Michael Carpenter, i cili ka qenë zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit dhe atij të Mbrojtjes, përgjegjës edhe për Ballkan.

Metodat qeverisëse të Janshës janë populliste, agresive dhe shpeshherë madje primitive. Nga mesi i majit ai e shpalli të tejkaluar pandeminë në Slloveni. Pothuaj askush nuk besonte që pandemia u mposht, por për Janshën ishte me rëndësi të dalë në opinion dhe të thotë se Sllovenia është vendi i parë brenda Bashkimit Europian që e mposhti pandeminë.

Si në shumicën e vendeve të Europës edhe në Slloveni numri i infektimeve është rritur së fundi me shpejtësi të madhe, rrjedhimisht Jansha ka njoftuar se nga kjo fundjavë do të ketë kufizime të jetës publike: do të mbyllen dyqanet që nuk janë relevante për jetën e përditshme, hotelet, çerdhet e fëmijëve, konviktet. Edhe numri i të vdekurve po rritet, por Janez Jansha është i zënë duke u marrë aktivisht me zgjedhjet në Amerikë. Sepse Sllovenia e Janshës është avangardë – kësaj radhe e popullizmit të një kryeministri të papërgjegjshëm.

2 komente në “Popullisti agresiv nga Lubjana”

  1. Ylli says:

    Vozis ne gazeten Tema ,kryesisht per shkrimet e z.Robelli ,nje shembull sesi duhet te jete gazetaria shqiptare .
    Ndersa Mero kishte zbuluar se vrasesi i Remzi Hoxhes eshte Sali Berisha….per here te 999 !!

  2. Jansha -Tramp says:

    Eh mor Rrobelli …Rrobelli , ti nuk n ke hallin e Janshes por te Bidon-it qe ta shan Jansha . Nuk e di por ku i ke degjuar keto akuza per korrupsion te Tramp-it ne keto kater vjet ?? Joe Bidoni i ka me dokumenta dhe video te provuara dhe FBI eshte ne hetim e siper per shfrytezim posti per ti krijuar lehtesira ne bizneset e te birit ne Ukraine . Nuk po flas per akuzat e pedifilizmes per te dy babe e bir (demokratet jane kampion ) qe mbyten nga media Sorrosiane . Ti more RRobelli kerkon ta nxish figuren e Tramp-it nepermjet Janshes por e ke te kote , mos u lodh shume ………..e megjithate ti vazhdo te dezinformosh se per kete merr rrogen nga padroni .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje