Nga Gjon Ndreja
Data 31 Tetor shënon festën e krishterë që njihet si “Dita e të gjithë shenjtorëve”. Kjo konsiderohet si nata , kur nuk ka më kufi mes botës së të gjallëve dhe të vdekurve. Kjo festë është me origjinë pagane dhe daton rreth 3000 vjet më parë. Data e 1 nëntorit u krijua nga Papa Gregori III (731-741), kur shenjtëroi një kishëz për të gjithë dëshmorët në Bazilikën e Shën Pjetrit në Romë.
Ajo kishte për qëllim të festonte martirizimin e shenjtorëve në përvjetorin e martirizimit të tyre. Kur martirizmi u rrit gjatë persekutimeve të Perandorisë së vonë Romake, dioqezat lokale krijuan një ditë të përbashkët festash, për të siguruar që të gjithë dëshmorët, të njohur dhe të panjohur, u nderuan si duhet.
Katolikët festojnë herë pas here festa për shenjtorë të caktuar sipas zonave e krahinave bazuar në kalendarin katolik por kjo është një festë që u kushtohet gjithë shenjtorëve dhe festohet nga të gjithë të krishterët pa dallim dhe është një feste tipike familjare.
Origjina e saj e hershme mendohet se është Kelte (sot Irlanda) dhe mbërriti në SHBA së bashku me emigrantët irlandezë dhe hodhi rrënjë për të vuajtur tani një transformim radikal. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës festimi i parë i “Halloween” është regjistruar në shtetin verior të Minnesotas në vitin 1921.“Halloween” identifikohet me shenjën e kungullit, e cila e ka prejardhjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Emri Halloween ka të njëjtin kuptim dhe përkthehet si “Dita e të gjithë shenjtorëve” ( all hallows) . Kjo festë pasohet nga një festë tjetër me datën 2 Nëntor që konsiderohet si “Dita e gjithë shpirtrave”. Kuptimi i kësaj feste lidhet me faktin se njerëzit e hershem mendonin se shpirtrat e të vdekurve duhen qetësuar prandaj i kushtuan një festë e cila shoqërohej me vendosjen e ushqimeve dhe ëmbëlsirave në varre në mënyrë që të qetësonin shpirtrat e tyre.
I solla këto rreshta në hyrje të këtij shkrimi për të kuptuar thelbin e vërtetë të kësaj feste ndërkohë që praktika aktuale e këtyre festave është krejt tjetër.
Falë bizneseve që e shfrytëzojnë këtë festë për të shtuar xhiron dhe fitimet e tyre kjo e ka humbur tashmë kuptimin e vërtetë të saj. Bizneset organizojnë festime me skenarë nga më të ndryshmet dhe “viktimat” e tyre, kryesisht të rinjtë të etur për grumbullime e festime, mblidhen dhe festojnë deri në harbim me maska (jo nga këto të Covid-it) deri në orët e vona të natës.
Unë kam pyetur disa të rinj në se ata e dinin kuptimin e kësaj feste dhe kam marrë përgjigje të ndryshme por asnjëherë të sakta. Dhe të rinjve nuk ju a ndjen shumë lidhur me kuptimin e kësaj feste mjafton të argëtohen dhe të kënaqen. E kjo më sjell ndërmend një proverb rus që kur është fjala për të festuar thonë: “Mjafton dëshirë të kesh se shkakun e gjen”.
Në thelb nuk ka ndonjë gjë të keqe që festojnë njerëzit apo të rinjtë madje është gjë shumë e mirë “Mbretërisë nuk i vjen ndonjë e keqe kur njerëzia këndojnë” (Koncert në vitin 1936 ) por amplifikimi i këtyre festave për qëllime komerciale bën që ato të devijojnë thelbin e tyre. Dhe për fat të keq kjo dukuri, komercializmi i festave ka pushtuar pothuajse të gjitha festat e krishtera dhe ato jo fetare, ndërkohë që ato të besimit islam kanë qëndruar akoma disi si të paprekura. Kështu mund të themi për Krishtlindjet, Pashkët ku në ceremonitë e tyre kanë depërtuar shumë elementë komercialë.
Ndërkohë në mënyrë shumë të shfrenuar janë komercializuar Shën Valentini, 7-8 Marsi, Një Qershori etj, që shoqërohen me dhuratat të panumërta të cilat mbeten stoqe. Po kështu komercializmi është prezent në festimin e dasmave, ditëlindjeve, përvjetorëve të martesave, datave përkujtimore për të vdekurit, e deri te ndërtimi i varrezave, ku shquhet dukshëm një garë midis të gjallëve për të hedhur sa më shumë beton e mermer a thua se kjo është mënyra e vetme për t’i nderuar ata.
Ajo që në pikëpamjen time e bën të papajtueshme gjithë këtë praktikë është shpërdorimi i buxhetit familjar. Njerëzit që bien viktimë e këtij komercializmi janë të shtrënguar që kundër dëshirës së tyre, të dominuar nga këto që tashmë janë bërë “zakone” , të destinojnë disa shuma parash për këtë qëllim, të cilat në buxhetin vjetor të familjes zënë jo pak peshë dhe që cenojnë drejtpërdrejt cilësinë e jetës të njerëzve.
Por le të kthehemi tek festa për të cilën folëm në fillim ajo që tashmë është ndërkombëtarizuar me emrin “Halloween”. Disa shtete në botë me dominancë të krishterë, si Italia apo Franca e kanë e kanë shpallur këtë ditë si festë zyrtare ndërkohë që e tillë është edhe për Maqedoninë. Por ritet e kësaj feste janë të thjeshta dhe shoqërohen me një vizitë në varreza dhe vendosjen e luleve.
Tek po shkruaja këto radhë më erdhi ndërmend një ngjarje aty nga viti 1995 kur punoja me kohë të pjesshme për një projekt të një biznesi së bashku me një inxhinier italian që e kishte emrin Patricio. Në fillim të javës Patricio më kërkoj që të intensifikonim punën pasi atij në fund të javës i duhej të shkonte në Romë pasi kishte një festë. Kur unë e pyeta ai më shpjegoj se është Festa e gjithë shenjtorëve dhe se patjetër do të shkonte të vendoste një tufë me lule në varrin e babait. U ndjeva i turpëruar pasi edhe babai im kishte ndërruar jetë pesë vite më parë por unë nuk kisha shkuar ndonjëherë të kryeja këtë rit. E korrigjova sjelljen time sipas modelit të Patricios dhe nga ajo ditë nuk kam munguar ndonjëherë…
Kjo ngjarje e ktheu kujtesën time disa vite më parë në fëmijëri, kur ne festonim këtë festë sigurisht krejt ndryshe nga sot. Aso kohe me 31 Tetor në darkë ndizeshin qirinj në parvazin e brendshëm të dritares. Ndizeshin qirinj për shenjtorët duke i caktuar me emër si Sh’na Ndoj, Shën Gjoni,Shën Marku, Shën Pali etj.
Por ajo që më ka mbetur në mendje ishte një shenjt për të cilin bariu i shtëpisë ndizte përherë një qiri dhe ai quhej Shenjti i Shemërte. Ky shenjt kishte fuqinë të mbante mbyllur gojën e ujkut dhe kështu tufa e bagëtive nuk do të dëmtohej prej tijë. E kisha dëgjuar të përdorej edhe si mallkim një shprehje: “Ta mbylltë i Shemërteni gojën”…. Në një dritare tjetër ndizeshin qirinj për të vdekurit veçanërisht ata që kishin vdekur vitin e fundit. Në kushtet kur drita elektrike akoma nuk kishte mbërrit në fshat dhe dhoma zakonisht ndriçohej me një llambë vajguri, drita që jepnin qirinjtë e shumtë që ishin ndezur, i jepte një pamje shumë të këndshme dhomës.
Festa vazhdonte nesër në varreza ku pothuajse të gjithë njerëzit e shtëpisë përfshi edhe fëmijët shkonin te varrezat. Në varreza familjarët dhe të afërmit hidhnin mollë, arra, ftonj, paketa me cigare etj. Pas një farë kohe shkëmbeheshin vizita në varrezat dhe pas nja një ore vinte prifti i cili pasi bekonte varrezat duke i spërkatur me ujë të bekuar, ngrinte një meshë për shpirtrat e atyre që nuk ishin në jetë. Pasi mbaronte mesha, fëmijët derdheshin nëpër varreza kush e kush të mblidhte mollët apo ftonjtë që ishin hedhur në varreza dhe kjo nuk behej fshehurazi por ishte si një zakon i mirë që ato ti merrnin fëmijët,madje ata për këtë qëllim i merrnin me vete.
Por në se do të shohim se si ka evoluar festimi i kësaj date të bie në sy fakti se përgjithësisht thelbi i saj ka mbetur i njëjtë, me përjashtim të festimeve në kohët tona kur pothuajse është devijuar përmbajtja e saj në sajë të komercializmit . Dhe kjo përveç modernizimit dhe ndryshimeve të arsyeshme që ka pësuar krahas me zhvillimin e shoqërisë, ka sjellë edhe dëmet që përmendëm. Kështu sigurisht hedhja e frutave mbi varre apo është një dukuri tipike pagane dhe me të drejtë është eliminuar, ndërkohë që është zëvendësuar me festime kolektive që nuk kanë asnjë lidhje me simbolikën e kësaj date.