Vendimet e çuditshme të Gjykatës së Tiranës: Burg kur braktis qenin, gjobë kur braktis foshnjën

2 Nëntor 2020, 09:06Kronika TEMA

Të shkosh si i pandehur në gjykatë për braktisjen e qenit të shtëpisë mund të të kushtojë një dënim më të ashpër sesa braktisja e një foshnjeje të porsalindur.

Kjo ka ndodhur në Gjykatën e Tiranës, ku për një të akuzuar për lënien e një qeni në rrugë është dhënë dënim me burg, ndërsa për foshnjen dënim me gjobë.

Vendimet gjyqësore të siguruara nga A2 i përkasin dy historive të ndara nga njëra-tjetra. Sipas një vendimi gjyqësor, 55-vjeçari me iniciale N. S. nga Bërzhita është marrë i pandehur për shkak se në janar 2020, qeni i tij ka kafshuar fqinjin në një nga rrugët e fshatit, duke i shkaktuar plagë në këmbë.

Gjykata arsyeton në vendim se i pandehuri, si zot i qenit, nuk kishte marrë masa mbrojtëse për kafshën e shoqërimit në ambiente publike.

Për gjykatën ai ka neglizhuar, duke mos parashikuar pasoja që duhet t’i parashikonte. Për këtë shkak, 55-vjeçari u dënua me 1 muaj burg për akuzën e “braktisjes së kafshës së shoqërimit”. Ai nuk ka shkuar asnjë ditë në qeli, pasi gjykata ka konvertuar dënimin me 2 muaj shërbim prove.

Ndërsa përmes një vendimi tjetër, një 26-vjeçare është fajësuar nga Gjykata e Tiranës për braktisjen e foshnjës së saj të porsalindur para portës së fshatit SOS në zonën e Saukut, në kryeqytet.

E reja me iniciale M. D. ka treguar për gjykatën se ishte braktisur nga babai i foshnjës gjatë shtatëzanisë dhe se nuk kishte asnjë mundësi financiare dhe kushte për rritjen e saj.

Ajo ka shfaqur pendesë në gjykim dhe ka provuar se mbante kontakte me të bijën e sistemuar në fshatin SOS dhe ka për qëllim të krijojë kushte për t’iu përgjigjur si nënë. Por, vepra penale rezulton të jetë konsumuar dhe për këtë ajo është dënuar përfundimisht me 50 mijë lekë gjobë.

2 komente në “Vendimet e çuditshme të Gjykatës së Tiranës: Burg kur braktis qenin, gjobë kur braktis foshnjën”

  1. AZ says:

    Nuk janë vendime të çuditshme, por shumë normale.
    I zoti qenit duhet të mbajë përgjegjësi për rastin konkret dhe nuk mund të justifikohet, ndërsa vajza nuk i ka bërë dëm askujt, por për situatën në të cilën ndodhej ka gjetur rrugën më të shkurtër për ta zgjidhur atë situatë.
    Ajo dërgimin e fëmijës në fshatin SOS mund t’a bënte edhe zyrtarisht por për arsye të kuptueshme ka zgjedhur një rrugë të gabuar por jo kriminale.
    Nëse unë do të isha gjykatësi, në të dy rastet, do të merrja të njëjtët vendime, por gazetarët tanë me nivelin e një adoleshenti çuditen dhe mendojnë se kanë zbuluar një skandal të madh.

  2. syri shqiponjes says:

    Gazetar leshi se vendimet jane shume normale

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje