Biden fiton shtetin Nju Hampshër, Trump fiton Kansasin
Biden fiton shtetin Nju Hampshër me 4 vota elektorale, Trump fiton Kansasin me 6 vota.
Trump fiton shtetet Juta, Uajoming dhe Dakota e Veriut
Trump fiton shtetet Juta me 6 vota elektorale, Uajoming me 3 vota dhe Dakota e Veriut me 3 vota elektorale.
05:23Biden fiton Kaliforninë
Kandidati demokrat, Joe Biden, ka fituar Kaliforninë, raporton AP.
Ky shtet i siguron atij 55 vota elektorale.
Kalifornia ka qenë dikur shtet republikan, por qysh në vitin 1992 e fitojnë demokratët.
Trump në epërsi
Rezultatet e deritashme të zgjedhjeve në SHBA tregojnë se presidenti Donald Trump është në epërsi, kundrejt kandidatit demokrat Joe Biden.
Aktualisht, Trump kryeson me 93 vota elektorale, ndërsa Biden ka 83.
Në betejë për shtetet me numër të madh votash elektorale
Ende është i paqartë fituesi i zgjedhjeve në shtetet që kanë numrin më të madh të votave elektorale.
Florida, Pensilvania, Kalifornia dhe Karolina e Veriut janë në mesin e këtyre shteteve.
Presidenti Donald Trump ka siguruar tashmë disa fitore të parashikuara, si Kansasin dhe Dakotën e Veriut.
Kandidati demokrat, Joe Biden, po ashtu ka siguruar bastionet demokrate, si Kollorado dhe Virxhinia.
Për të fituar, njërit prej kandidatëve i duhen së paku 270 vota elektorale.
Garë edhe për Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve
Përveç presidentit, votuesit amerikanë kanë zgjedhur të martën edhe anëtarët e Senatit dhe të Dhomës së Përfaqësuesve.
Kontrolli i dy dhomave të Kongresit është vendimtar për presidentin që të shtyjë përpara agjendën e tij.
Gjatë dy vjetëve të kaluar, presidenti Donald Trump ka punuar me një Kongres të ndarë.
Demokratët kanë pasur shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa republikanët në Senat.
Udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch McConnell, i cili ka garuar në Kentaki, ka fituar kundrejt kandidates demokrate, Amy McGrath.
Të 435 anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve zgjidhen çdo dy vjet.
Mandatet në Senat janë për gjashtë vjet. Zgjedhjet mbahen çdo dy vjet, në bazë të rotacionit. Këto zgjedhje mbahen për 35 nga 100 anëtarët e Senatit.
Trump dhe Biden ndajnë edhe disa shtete
Agjencia e lajmeve AP raporton se presidenti Donald Trump ka fituar Luizianën, Nebraskën, Dakotën Veriore, Dakotën Jugore dhe Uajomingun, ndërsa kandidati demokrat, Joe Biden, ka fituar Nju Meksikon, Nju Jorkun, Qarkun e Kolumbisë dhe Kolloradon.
Sipas rezultateve në hartën tonë, Biden prin me votat elektorale.
Aktualisht, Biden ka 83 vota elektorale, ndërsa Trump 63.
Biden në epërsi të lehtë
Nga rezultatet e deritashme të zgjedhjeve në SHBA, kandidati demokrat, Joe Biden, ka fituar 74 vota elektorale, ndërsa presidenti Donald Trump 60.
Për t’u zgjedhur president, një kandidati i duhen së paku 270 vota elektorale.
Për më shumë, përcilleni këtë hartë.
Radhët e gjata të votuesve në Indiana
Në Indiana të SHBA-së, votuesit kanë pritur në radhë për të votuar, duke mbajtur distancën fizike, si masë kundër përhapjes së koronavirusit.
Donald Trump fiton edhe Indidanën
Presidenti Donald Trump ka fituar zgjedhjet në shtetin e Indianës, raporton AP.
Indiana është shteti prej nga vjen zëvendëspresidenti aktual, Mike Pence.
Ajo i siguron Trumpit 11 vota elektorale.
Trump e ka fituar Indianën edhe në vitin 2016.
02:35
AP nxjerr rezultate të reja
Agjencia e lajmeve AP raporton se presidenti amerikan, Donald Trump, ka fituar edhe Alabamën, Misisipin, Arkansasin dhe Oklahomën, ndërsa sfiduesi i tij demokrat, Joe Biden, ka fituar në Konektikat, Dellauer dhe Illinois.
Biden i fiton edhe katër shtete
Agjencia e lajmeve AP raporton se kandidati demokrat për president të SHBA-së, Joe Biden, ka fituar zgjedhjet në Merillend, Masaçusets, Nju Xhërsi, Rod Ajllënd.
Më herët është raportuar për fitoren e Bidenit edhe në Virxhinia dhe në Vermont.
Trump fiton Karolinën e Jugut dhe në Tenezi
Presidenti Donald Trump ka fituar në Karolinën e Jugut dhe në Tenezi, raporton agjencia e lajmeve AP.
Karolina e Jugut i jep atij nëntë vota elektorale, ndërsa Tenezi 11.
Trump e ka fituar me lehtësi Karolinën e Jugut edhe në zgjedhjet e vitit 2016, kundrejt kandidates së atëhershme demokrate, Hillary Clinton.
Si funksionon Kolegji Zgjedhor në SHBA?
Një sistem kompleks, i quajtur Kolegji Zgjedhor, përcakton fituesin e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara.
Trump fiton në Uest Virxhinia, Biden në Virxhinia
Agjencia e lajmeve AP raporton se presidenti Donald Trump ka fituar në Uest Virxhinia, ndërsa sfiduesi i tij demokrat, Joe Biden, ka fituar në Virxhinia.
Më herët, AP ka raportuar për fitoren e Trumpit në Kentaki dhe për fitoren e Bidenit në Vermont.
Trump: Qëndrojmë shumë mirë
“Qëndrojmë shumë mirë në të gjithë vendin”, tha në një postim në Twitter presidenti amerikan, Donald Trump.
Trump është duke garuar në zgjedhjet presidenciale për mandatin e dytë, kundrejt sfiduesit të tij demokrat, Joe Biden.
Votimet në disa pjesë të SHBA-së janë duke vazhduar ende, ndërsa në disa shtete janë mbyllur.
Sipas agjencisë së lajmeve AP, Trump ka fituar tashmë Kentakin, ndërsa Biden Vermontin.