Pas rritjes së pagës minimale, pritet që të rritet edhe ajo maksimale për efekt të pagimit të sigurimeve shoqërore. Burime nga Ministria e Financave pohuan se ende nuk është vendosur, por paga maksimale pritet të rritet me 15%.
Një rritje e tillë do ta çonte pagën maksimale nga 114.7 mijë lekë, që është sot, në rreth 131 mijë lekë. Rritja e pagës maksimale pritet që të shtojë automatikisht pagesën për sigurimet shoqërore, e cila ndahet mes punëdhënësit dhe punëmarrësit.
Me pagën aktuale, prej 114.7 mijë lekë, sigurimet e paguara në total janë rreth 31.9 mijë lekë. Nëse ajo shkon 131 mijë lekë, atëherë sigurimet që do të paguhen nga punëdhënësi dhe punëmarrësi do të jenë 36.5 mijë lekë, ose 4,500 lekë në muaj më shumë, (54 mijë lekë në vit) me një rritje prej rreth 14%.
Sipas të dhënave të INSTAT, 4.6% e të punësuarve kontribuues në vend kanë një pagë mbi 120 mijë lekë, në fund të tremujorit të dytë 2020.
Rritja e pagës maksimale reflekton atë të pagës minimale, që nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të shkojë në 30 mijë lekë, nga 26 mijë lekë që ishte më parë. Po sipas INSTAT, 27% e të punësuarve kontribuues në vend paguhen më pagë minimale.
Në total, ka 660 mijë të punësuar me kontribute në vend, nga të cilët rreth 74% janë të sektorin privat jo bujqësor. Nga totali i të punësuarve, rreth 30 mijë persona paguhen mbi 120 mijë lekë. Për këta persona do të paguhet (nga punëdhënësi dhe punëmarrësi) maksimumi 4,500 lekë më shumë çdo muaj (54 mijë lekë ne vit) ose në total 1.2-1.6 miliardë lekë më shumë (rreth 10-13 milionë euro) për vitin 2021.
Ndërsa me pagë minimale paguhen rreth 178 mijë të punësuar në vend, për të cilët pagesa e sigurimeve do të rritet me rreth 1,100 lekë në muaj, (13.3 mijë lekë në vit). Ministria e Financave ka llogaritur në projektbuxhetin 2021 se efekti i rritjes së pagës minimale në buxhet do të jetë rreth 3 miliardë lekë, ose rreth 24 milionë euro.
Si rrjedhojë, nga rritja e pagës minimale dhe maksimale në 2021, punëdhënësit dhe punëmarrësit do të paguajnë në total rreth 37 milionë euro më shumë taksa mbi pagën./Monitor
Të punësuarit me të ardhura 60 – 95 000, sipas grafikut, dalin kontributorët më të mëdhenj në buxhetin e shtetit. Sipas kategorizimit të qeverisë, personat më këto të ardhura i përkasin shtresës së mesme.
Por prej 8 vitesh, rrogat e kësaj kategorie jo vetëm që nuk janë rritur, por madje as janë indeksuar. Sigurisht që më këto ritme po afrohemi ngadalë shtresës me pagë minimale, duke thelluar akoma më shumë diferencën midis “shtresës së mesme” dhe atyre me paga maksimale.
Në fakt, edhe përcaktimi si shtresë e mesme për personat me të ardhurat e mësipërme, nuk është realist, pasi me çmimet e qerasë, kostot e transportit, kostot e energjisë elektrike dhe ujit (pa llogaritur këtu dhe ujin që blihet për konsum vetjak, pasi ai i depozitave është i papijshëm), shëndetit (në shtet ka shumë shërbime që nuk ofrohen), gjithçka është kufizuar vetëm në përballimin e jetesës së përditshme, duke i harruar argëtimin dhe pushimet vjetore. Si pasojë, kjo ka çuar akoma më shumë në degradimin e ngadalshëm të shtetit, që është kthyer në rrumpallhane.
Si përfundim njerëzit me këto të ardhura, mund të kategorizohen si shtresa e ulët e shtresës së mesme, e që sigurisht do jetë një votë kundër apo refuzim për çdo force politike që nuk e mbështet këtë shtresë që kontribuon me shumë, dhe që ndoshta është më e shkolluara dhe më e diskriminuara e këtij vendi, që vjen duke u rrudhur ditë pas dite.