Sëmundja në vëmendjen e të gjithë botës prej 7 muajsh është COVID-19, por shifrat tregojnë se diabeti po merr më shumë jetë.
Rreth 425 milionë njerëz janë të prekur në mbarë botën me diabet, ndërsa deri tani janë 53,865,130 të prEkur me COVID-19
Sot, në ditën botërore të kësaj sëmundje, Instituti i Shëndetit Publik tërheq vëmendjen dhe thotë se parashikohet që diabeti të bëhet shkaku i 7-të i vdekjeve në botë deri në vitin 2030.
“Vdekjet totale të shkaktuara nga diabeti janë parashikuar të rriten me më shumë se 50% në 10 vitet e ardhshme”, shkruan ISHP në një postim.
Diabeti është bërë një nga shkaqet kryesore të sëmundshmërisë dhe vdekjeve të parakohshme në shumicën e vendeve, kryesisht nëpërmjet rritjes së rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare (SKV).
Postimi i plotë nga Instituti i Shëndetit Publik:
#DitaBotëroreeDiabetit
Rreth 425 milionë njerëz në mbarë botën kanë diabet
Kjo epidemi globale e diabetit që po zhvillohet, do të ndiqet më pas nga një rritje e shpejtë e mbipeshës, përfshirë obezitetin dhe inaktivitetin fizik.
Parashikohet që diabeti të bëhet shkaku i 7-të i vdekjeve në botë deri në vitin 2030
Vdekjet totale të shkaktuara nga diabeti janë parashikuar të rriten me më shumë se 50% në 10 vitet e ardhshme.
• Numri i njerëzve me diabet pritet të rritet në 522 milion deri në 2030
• 3 në 4 persona me diabet jetojnë në vendet me të ardhura të ulëta
? Janë 2 tipe të diabetit
Diabeti Tip 1 i cili karakterizohet nga mungesa e prodhimit të insulinës, dhe diabeti Tip 2 i cili shkaktohet nga përdorimi joefektiv i insulinës nga trupi.
• Mbi 1 milion fëmijë dhe adoleshentë vuajnë nga diabeti tip 1.
? Tipi i 3-të i diabetit është diabeti gestacional.
Ky tip karakterizohet nga hiperglicemia, apo rritja e sheqerit në gjak, me vlera mbi normalen por më të ulëta se vlerat diagnostikuese të diabetit, dhe ndodh gjatë shtatzënisë. Femrat me diabet gestational kanë një rritje të rrezikut për komplikacione gjatë shtatzënisë dhe në lindje. Gjithashtu, ato kanë rrezik më të lartë për të zhvilluar diabet Tip 2 në të ardhmen.
• Në shtatzëni 1 në 6 lindje preket nga niveli i lartë i glukozës në gjak (hiperglicemia)
? Diabeti Tip 2 është më i shpeshtë se diabeti Tip 1.
Në mbarë botën 90% e njerëzve që vuajnë nga diabeti kanë diabetin Tip 2. Nëse më parë fëmijët me diabet Tip 2 kanë qenë të rrallë, tani kemi një rritje të këtij tipi të diabetit te fëmijët në mbarë botën, dhe në disa vende përbëjnë gati 1/2 e rasteve të reja të diagnostikuar me diabet te fëmijët dhe adoleshentët.
? Sëmundjet kardiovaskulare janë përgjegjëse për 50%-80% të vdekjeve te njerëzit me diabet.
Diabeti është bërë një nga shkaqet kryesore të sëmundshmërisë dhe vdekjeve të parakohshme në shumicën e vendeve, kryesisht nëpërmjet rritjes së rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare (SKV).
? Diabeti është shkaku kryesor i verbërisë, amputimit të gjymtyrëve dhe insuficiencës renale. Mungesa e ndërgjegjësimit rreth diabetit, kombinuar me aksesin e pamjaftueshëm të shërbimeve shëndetësore dhe barnave esenciale, mund të çojë në komplikacione të tilla si verbëri dhe amputim të gjymtyrëve.
? Diabeti tip 2 mund të parandalohet
30 minuta aktivitet fizik i moderuar për 5 ditë në javë dhe një dietë e shëndetshme mund të ulë ndjeshëm rrezikun për të zhvilluar diabet të tipit 2. Diabeti tip 1 nuk mund të parandalohet.