Përkujtohet me protesta revolta e studentëve të Athinës

17 Nëntor 2020, 19:16Rajoni TEMA

Policia greke, e vendosur masivisht në qendër të Athinës, ndërhyri kundër disa grupeve protestues me gaz lotësjellës dhe granata, në ditën kur tradicionalisht kujtohet revolta e studentëve të universitetit të Politeknikut të Athinës, më 17 nëntor 1973, kundër regjimit të Kolonelëve, ku ushtria ndërhyri, duke shtypur me gjak protestën.

Kjo revoltë shënoi fillimin e fundit të regjimit.

Këtë vit, protestat e zakonshme, të cilat zakonisht arrijnë përpara ambasadës amerikane, e akuzuar për mbështetjen e puçit ushtarak, janë ndaluar nga qeveria konservatore e Kyriakos Mitsotakis, për të shmangur grumbullimet në kohë të një pandemie dhe bllokimi.

Një masë e zbatuar nga 15 deri në 18 nëntor që ngjalli polemika të forta nga opozita e majtë, duke përfshirë Syriza-n, partinë komuniste KKE dhe Mera25 të ish-ministrit Yannis Varoufakis.

Partitë kanë vendosur të protestojnë, duke praktikuar distancën dhe duke mbajtur maska.

Disa qindra militantë të partive KKE dhe Antarsya u takuan në qendër të Athinës në një përpjekje për të arritur në ambasadën e SHBA-së, por policia ndërhyri me forcë, duke i shpërndarë ata. Sipas Televizionit publik ERT ka pasur dhjetëra arrestime, si dhe është plagosur një deputet komunist.

Protesta të tjera si ajo e partisë më të madhe të majtë Syriza, e cila vendosi një kurorë lulesh para monumentit që përkujtonte revoltën në universitet, vazhduan pa incidente.

Një grup i vogël demonstruesish nga bashkimi komunist Pame, i cili kishte ngritur një grup përpara ambasadës amerikane, u shpërnda.

Të hënën në mbrëmje, në një përpjekje për të qetësuar tensionin, kryengritja e Politeknikut u përkujtua nga Presidentja e Republikës Katerina Sakellaropoulou, dhe nga Kryeministri Mitsotakis, i cili deklaroi para monumentit, se këtë vit përkujtimi kishte një kuptim tjetër, “atë të mbrojtjes së shëndetit publik dhe bashkëqytetarëve tanë”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje